Seancat dëgjimore për të emëruarin e presidentit për Gjykatën e Lartë

Amerika

Seancat dëgjimore për të emëruarin e presidentit për Gjykatën e Lartë

Më: 17 mars 2017 Në ora: 17:32
ilustrim

I emëruari i Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, gjykatësi Neil Gorsuch, do të jetë në qendër të vëmendjes të hënën (20 mars) kur Komisioni i Senatit për Drejtësinë të fillojë seancat dëgjimore për konfirmimin e tij. Zoti Gorsuch është një jurist me bindje të thella konservatore dhe gëzon mbështetjen të fuqishme nga republikanët në Senat. Por shumë demokratë të opozitës nuk janë dakort dhe po përgatiten të mos sia bëjnë të lehtë konfirmimin.

Republikanët e pritën shumë mirë njoftimin e Presidentit Trump për të emëruar gjykatësin Gorsuch vetëm pak ditë pasi erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

“Gjykatësi Gorsuch ka aftësi të jashtëzakonshme juridike, mendje të ndritur, disiplinë të pashoqe dhe ka fituar mbështetje dypartiake”, tha Presidenti Trump.

Nëse konfirmohet, zoti Gorsuch do t’i zërë vendin e gjykatësit Antonin Scalia, një nga mendjet më të ndritura juridike me pikëpamje konservatore, vdekja e të cilit një vit më parë, la një vend bosh në gjykatën e lartë shpesh të ndarë përgjatë linjave konservatore-liberale.

“Duke qëndruar në këtë ndërtesë me kaq histori dhe i vetëdijshëm për të metat e mia, zotohem se nëse konfirmohem, do të bëj gjithçka të mundshme që të jem shërbëtor besnik i kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi të madh”, u shpreh zoti Gorsuch.

Republikanët e mbështesin atë fuqishëm. Por shumë demokratë kanë shprehur rezerva të thella, përfshi senatorin demokrat Chuck Schumer, i cili u takua me zotin Gorsuch pas emërimit të tij.

“Ky president po teston mbështetjen themelore të demokracisë dhe institucioneve tona. Është koha për përgjigje dhe gjykatësi Gorsuch nuk i ka ofruar ato.”

Demokratët nuk janë të kënaqur që senatorët republikanë nuk morën në shqyrtim të emëruarin e Presidentit Obama për Gjykatën e Lartë, gjykatësin Merrick Garland.

Nëze zoti Gorsuch konfirmohet, konservatorët do të rimarrin epërsinë pesë me katër në Gjykatën e Lartë me nëntë anëtarë, thotë James Thurber me Universitetin Amerikan.

“Edhe pse do të jetë një gjykatë konservatore, nëse zoti Gorsuch konfirmohet, dhe ndoshta do konfirmohet përfundimisht, do të jetë pesë me katër për konservatorët, dhe ata besojnë në caqet e pushtetit të presidentit.”

Republikanët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën tetë demokratëve për të shmangur zvarritjen pa kufi të konfirmimit të zotit Gorsuch, që ai të zërë vendin e mbajtur nga ikona konservatore Scalia, thotë Alan Morrison me Universitetin George Washington.

“Kam besimin se ai do konfirmohet. Ai nuk do të jetë gjykatësi Scalia. Asnjera prej palëve nuk mund të nxjerrë më një gjykatës si Scalia”.

Konfirmimi i zotit Gorsuch do të jetë fitore e madhe për Presidentin Trump, i cili premtoi gjatë fushatës presidenciale se do të emëronte një kandidat me pikëpamje konservatore në gjykatën më të lartë të vendit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat