“Bijtë e Shqipes” përkujtojnë presidentin e parë amerikan që ndihmoi Shqipërinë

Amerika

“Bijtë e Shqipes” përkujtojnë presidentin e parë amerikan që ndihmoi Shqipërinë

Nga: Beqir Sina Më: 6 prill 2019 Në ora: 15:12
 “Bijtë e Shqipes” përkujtojnë presidentin e parë amerikan që ndihmoi Shqipërinë

“As unë, e as populli amerikan, kurrë nuk do të bien dakord që shqiptarët të sakrifikohen nga fqinjët”.
Ishte viti i parë mbas përfundimit të Luftës së Parë Botërore kur në Paris u mblodh Konferenca e Paqes për rishikimin e kufijve të shteteve europiane të sapo dalë nga lufta, midis tyre edhe e Shqipërisë. Në këtë konferencë u dëgjua fuqishëm zëri i një burri të madh të kohës: “As unë, e as populli amerikan, kurrë nuk do të bien dakord që shqiptarët të sakrifikohen për fqinjët”. Ky ishte zëri i presidentit amerikan të atyre viteve. Ai ishte si një grusht i fuqishëm për fqinjët tanë, Greqisë, Italisë, Sërbisë dhe Malit të Zi, që shuajti dëshirën e tyre për të gllabëruar tokat e Shqipërisë dhe për të fshirë një herë e mirë nga harta, Shqipërinë e pavarur por të dobësuar tepër nga lufta.
Për të nderuar kujtimin e këtij burri shteti, Shoqata Atdhetare Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, organizoi,më 30 mars, në Qendrën Kulturore të saj një veprimtari me temë: “Woodrow Wilson (28 Dhjetor 1856 – 3 Shkurt 1924) – Presidenti i parë amerikan që ndihmoi Shqipërinë”, me rastin e 95 vjetorit të largimit të tij nga jeta.
Veprimtarinë e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës, i cili uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në këtë veprimtari dhe i falenderoj ata. Në vazhdim ai ia dha fjalën z. Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës, i cili e filloi ligjëratën e tij me fjalët: “Presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, vlerësohet nga historianët si një nga presidentët më të shquar të popullit amerikan”
Pastaj, mbasi bëri një pasqyrë të shkurtër të veprimtarisë së Woodrow Wilson-it, në periudhën para presidenciale, angazhimin e tij si president për përmirësimi e ekonomisë amerikane, si dhe ndihmesën e tij në shërbim të paqes botërore, që i dha atij çmimin “Nobel për Paqen”, në vitin 1919, u ndal te ndihma e tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku midis të tjerave theksoi:
“…. Fjala e tij e fuqishme në Konferencën e Paqes në Paris i shkundi rëndë mendjet dhe praktikat djallëzore të përfaqësuesëve të shteteve të mëdha europiane…”, e më tej vazhdoi:
“….Kështu, disë herë në historinë e tij, populli shqiptar ka gjetur mbështetjen dhe shpëtimin nga ShBA-ja dhe presidentët e saj të ndritur Wilson dhe Klinton. Me të drejtë çdo shqiptar mund të thotë: Të faleminderit Amerikë”.
Z. Llazar e përfundoj ligjëratën e tij me fjalët:
“…..Woodrow Wilson u nda nga jeta më 3 Shkurt 1924. Në kujtesën dhe mirënjohjen e popullit amerikan ai mbetet ndër presidentët më të vlerësuar, ndërsa në zemrat dhe kujtesën e shqiptarëve, të të gjithë brezave të popullit shqiptar, ai është përjetësuar jo vetëm si një president i madh, por shpëtimtar i madh që e shpëtoi popullin tonë nga harresa”.
Në vazhdim folën edhe z. Abedin Teme dhe z. Sadik Elshani.
Në përfundim , në ekranin e madh në krye të sallës, u shfaq një video me foto nga jeta e Woodrow Wilson-it, nga veprimtaria e tij në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe nga situata ndërkombëtare e atyre viteve.
Kokteji i zakonshëm i shoqatës e mbylli këtë veprimtari.
Vlashi Fili
Filadelfia, 1 Prill 2019

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat