Biberaj i VOA kritikon Edi Ramën: Je bërë më autoritar, më i korruptuar, më arrogant! - Bota Sot
Biberaj i VOA kritikon Edi Ramën: Je bërë më autoritar, më i korruptuar, më arrogant!

Amerika

Biberaj i VOA kritikon Edi Ramën: Je bërë më autoritar, më i korruptuar, më arrogant!

Nga: Beqir Sina - New York Më: 6 prill 2019 Në ora: 21:47
Elez Biberaj

Studiuesi i njohur paralajmëron se shoqëria shqiptare mund të rrëshqasë në një krizë mbarëkombëtare, me një potencial të madh të konfliktit civil.

Studiuesi i njohur Elez Biberaj kritikoi ashpër politikanët në Shqipëri si autoritarë, të korruptuar dhe njerëz që po dëmtojnë kombin duke qëndruar në pushtet.

Në një analizë që u bëri të shtunën zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Dr. Biberaj, drejtues i lartë në Zërin e Amerikës, një agjenci që transmeton në disa dhjetra gjuhë të botës, ia drejtoi disa nga kritikat më të ashpra Kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij është bërë “dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent.”

Image

Dr. Biberaj tha se kryeministri i Shqipërisë ka ngushtuar hapësirën publike dhe ka minuar institucionet e pavarura. “Rama, - tha ai, - ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë.”

Kryeministri, tha zoti Biberaj, ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, “duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si ‘kazan’."

Image

Zoti Biberaj iu referua sulmeve të fundit të zotit Rama ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Ai i quajti sulmet kundër VOA “jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre”.

“Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme,” tha Biberaj, i cili foli në një forum të mbajtur në Nju Jork me rastin e 110-vjetorit të themelimit të gazetës Dielli, organi më jetëgjatë i shqiptarëve të Amerikës nën shoqatën panshqiptare Vatra.

Image

Biberaj tha se kryeministri Rama “ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze të korrupsionit, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.”

Pa as më të voglin shqetësim, - tha drejtuesi i lartë i VOA, - Rama “u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.”

Image

Ai paralajmëroi se shqoqëria shqiptare mund të rrëshqasë “në një krizë mbarëkombëtare, me një potencial të madh konflikti civil.”

Në forume të ndryshme në të kaluarën, Dr. Biberaj e ka kritikuar shpesh klasën politike shqiptare për paaftësi dhe mungesë përgjegjshmërie. Por kritikat e tanishme janë më të ashprat dhe më të drejtpërdrejtat që ai u drejton ndonjëherë politikanëve në Shqipëri.

Studiuesi i njohur foli edhe për situatën e tashme të rënduar politike që është thelluar më tej me dorëzimin e mandateve nga opozita. Kriza, tha ai, është krijuar nga vetë udhëheqësit shqiptarë.

Ai paralajmëroi se nëse këta udhëheqës nuk bëjnë përpjekje serioze për kompromis, Shqipëria mund të hyjë në një situatë pa rrugëdalje.

Prova e parë, tha Biberaj, do të jenë zgjedhjet vendore, të planifikuara për në qershor. “Është në interesin e të dyja palëve që opozita të marrë pjesë në zgjedhje. Nëse Basha i bojkoton zgjedhjet, opozita do t’u mohonte mbështetësve të saj të drejtën e përfaqësimit dhe do të rrezikonte të margjinalizohej gjithnjë e më shumë.” Nga ana tjetër, - tha Biberaj, - do të ishte një politikë dritëshkurtër për Ramën të hynte në zgjedhje pa opozitën, ose të përpiqej të krijonte opozitën e tij për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.

Biberaj tha se politikanët e sotëm nuk mund të shihen më si udhërrëfyes – atyre iu janë shterruar idetë. “Ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më shumë dhe nuk mund të shërbejnë si katalizatorë për ndryshime thelbësore.”

Ai i bëri thirrje shoqërisë shqiptare që të nxjerrë një brez të rinj politikanësh për të marrë në dorë drejtimin që kërkon e ardhmja e kombit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...