Lulushi: Njeriu ikën nga vendlindja për të kërkuar Liri dhe Mirëqenëje, këtu unë i gjeta të dyja!

Amerika

Lulushi: Njeriu ikën nga vendlindja për të kërkuar Liri dhe Mirëqenëje, këtu unë i gjeta të dyja!

Nga: Beqir Sina - New York Më: 6 gusht 2019 Në ora: 18:42
Astrit Lulushi

Astrit Lulushi është i lindur në Tiranë, më 8 tetor 1953 nga prindër libohovitë e nepravishtnjotë. U rrit në periudhën më të errët të diktaturës, gjatë së cilës përjetoi diskriminime e përndjekje të formave nga më të ndryshme. Këto krijuan e formuan karakterin e tij. U arratis nga Shqipëria për në ishullin grek tē Korfuzit në 13 korrik më 1985 ; pak pranë Korfuzit një anije greke me turistë në bord e nisur për në Itali, e pa në ujë, e mori dhe e çoi Astritin në Brindizi, prej nga u vendos në Amerikë, ku jeton edhe sot. Astriti ka punuar për 30 vjet për Zërin e Amerikës nga ku më 31 korrik 2019 doli në pension. Me këtë rast, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett i dorēzoi Astritit Çmimin e Karrierës. 

Me këtë rast Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës, ditë më parë i shprehu atij urimet më të mira për këtë fazë të re në jetën e tij. Astriti është i njohur si producent i ekipit dhe për shumë vite ka trajtuar temat e mjekësisë dhe shkencës në programet e Zërit të Amerikës në shqip. Ai njihet edhe si autor i disa librave. 

Gazetari ynë në New York, Beqir Sina, bisedojë për Bota sot me Astrit Lulushin


Çfarë dinit ju për Zërin e Amerikës 30 vjet më parë?

Zërin e Amerikës, si radio, e kisha dëgjuar, madje shumë shumë vite para se të vija në Amerikë, më 1986 -një vit më parë, më 1985, isha arratisur dhe kisha dalë në Itali, pas një udhëtimi 24 orësh, 16 orë me not për në Korfuz, dhe pa prekur fare në tokën greke, 8 orë të tjera me anije deri në Brindizi. Më kujtohet, dhe, më vjen në vesh, zhurma e valëve të shkurtra që përcillte çdo mbrëmje Zërin e Amerikës. Me atë zhurmë edhe u rritëm, shumë edhe u dergjën burgjeve, për ato dëgjime. Aq ndikues ishte Zëri i Amerikës, dhe kjo kuptohej nga frika që kishte regjime dhe nga ashpërsia e dënimeve për ata që kapeshin duke dëgjuar. Madje, për qëllime krejt të kundërta, Zërin e Amerikës, e dëgjonte edhe vetë udhëheqja komuniste, sipas raporteve të Ramiz Alisë. Pra, t’i përgjigjem direkt pyetjes suaj: Zëri i Amerikës, ishte me mua shumë kohë përpara se unë të filloja të punoja për ‘të. 

Pse zgjodhët Zërin e Amerikës ?

Mirë e thatë, e zgjodha. Ku tjetër veçse në Amerikë, njeriu është i lirë të zgjedhë për të bërë a punuar çfarë të dëshirojë, mjafton të kesh një ëndërr. Për mua, që nuk kisha punuar ndonjëherë në gazetari, ishte e para punë zyre në jetën time dhe kjo filloi në zyrat e Zërit të Amerikës në Washington DC. Mendoni tani se të punoja këtu nuk ishte ëndrra ime më e  madhe dhe Zëri i Amerikës, e bëri këtë ëndërr realitet. 

Cilat ishin raportimet e juaja më të forta sidomos, kur ju e filluat në Shqipëri ishte Ramiz Alia. 

Puna në atë kohë fillonte me përkthime, pak burime të tjeta kishte, mos të harrojmë si Shqipëria. Ajo ishte hermetikisht e mbyllur. Kur jepej rasti raportonim ose bënim intervista me intelektualë të ndryshëm amerikanë e shqiptarë në Amerikë si profesorët Pano, Pipa, Prifti e të tjera figura të nderuara nga komuniteti si At Liolini, Imam Ismaili, Dom Kqira e Dom Mirdita, sa për të përmendur disa.  

Çfarë ju ka bërë më së shumti të lumtur në këto 30 vjet në shërbim të Zërit të Amerikës ?

Mendoj se lumturia nuk duhet të përdoret për matjen e ndjeshmërisë ndaj punës. Puna nuk është qef, nuk është as dëshpërim; është thjesht kontratë, marrëveshje, padetyrim, nëse do e pranon, nëse jo, e hedh poshtë. Unë punova për 30 vjet, dmth, se më pëlqeu. 

Cilat emisione gjatë tre dekadave, të Zërit të Amerikës, iu kanë kënaqur më së shumti?

Pasioni është cilësi e gazetarit; pasioni bën të harrosh çdo lodhje. Megjithëse puna është e përditëshme, ne përpiqemi ta ndajmë në vite. Por për t’iu përgjigjur pyetjes, them se dita e parë, dita e fundit dhe të gjitha ditët midis më kanë pëlqyer. 

Me çfarë kujtimesh u larguat ?

Kujtoj se jeta ka qenë një roller coaster mbushur me frikë dhe kënaqësi, çka jeta është me të vërtetë, mund të kishte qenë më mirë, mund të kishte qenë më keq. Fillimi ishte i mirë dhe përfundoi në mes. Siç thonë, bëhet më mirë para se të përkeqësohet. Eshtë e kundërta e malit, ngjitja është e lehtë, zbritja e vështirë. Nuk është e lehtë të harrosh ëndrrat dhe ankthet dhe nuk do të përpiqem kurrë, sepse në qoftë se bëj këtë do të jetë fundi i gjithë kësaj aventure që është jeta.

Ku e shihni vetën tani pas 30 vjet në Zërin e Amerikës ?

Në fillim të një karriere tjetër, atë të një njeriu që krijon vullnetarisht. 

A do të jet kjo eksperiencë kaq e gjatë një libër për Astrit Lulushin?

Njeriu mëson pavarësisht ku apo çfarë. Prej natyrês së mësimit lindin edhe idetë që përhapen në drejtime të ndryshme. Nuk do të them se do shkruaj sepse mund të mos shkruaj, dhe anasjelltas, nëse po, me siguri që do të jetë libër plot emocione pozitive, siç është vetë Amerika për mua.

 

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat