Urime Federatës Pan shqiptare të Amerikës, Vatra - Bota Sot
Urime Federatës Pan shqiptare të Amerikës, Vatra

Amerika

Urime Federatës Pan shqiptare të Amerikës, Vatra

Nga: Shaqir Salihu-* Vatran,Washington/ Më: 27 janar 2020 Në ora: 06:18
Shaqir Salihu

I përgëzoj delegatët e Kuvendit të Vatrës, të cilët u mblodhen më 19 janar në Michigan për të zgjedhur kryesinë e re të kësaj organizate patriotike, më e vjetra në botë që vepron jashtë atdheut. Në këtë kuvend u zgjodhën dy kryetarë, kryetari i ri, zoti Elmi Berisha dhe presidenti i nderit me të drejtë vote të përjetshme, zoti Agim Rexhaj. Vatra, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën, edhe kësaj radhe diti  në mënyrë dinjitoze ta kalojë edhe sfidën e përçarjes që kishtë pllakosur gjatë dy vjetëve të fundit.

Vatra jonë gjatë gjithë historisë së saj mbi një shekullore ka kaluar me sukses sfida edhe më të mëdha, por ajo gjithmonë ka ngadhënjyer. Unë, anëtar i saj nuk kam dyshuar kurrë në suksesin e saj në Michigan. Delegatët treguan nivel të lartë përgjegjësie ndaj Vatrës dhe kombit. Uroj zotin Berisha për këtë mandat, në këtë detyrë të madhe dhe fisnike në shërbim të kombit tonë të vuajtur. Vatra është një organizatë mbarëkombëtare dhe nuk ka vend për krahinorizma. Siç tha edhe kryetari i deritanishëm në fjalën e tij, zoti Dritan Mishto, Noli dhe Konica e kanë përcaktuar drejt në Kanunorën  e Vatrës duke vendosur mandat afatshkurtër për kryetarin. Kjo është bërë pikërisht për të qarkulluar elitat drejtuese.

Në mënyrë të veçantë e përgëzoj zotin Agim Rexhaj për zgjedhjen e tij si president nderi me të drejtë votë të përhershme në Vatër. Këtë post të lartë në Vatër e mbajti deri në fund të jetës së tij, ish-presidenti Agim Karagjozi. Agim Rexhaj, shquhet për sakrifica të mëdha për hir të atdheut. Ai ka qenë edhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Amerikë dhe për hir të unitetit të Federatës Panshqiptare Vatra, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për çështjen kombëtare aty ku ka nevojë më së shumti. Për këtë arsye Agimi ka marrë shumë mirënjohje nga nivelet me të larta shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë, ku vlen të përmendet medalja Gjergj Kastrioti Skënderbeu që mori nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, më 24 shtator 2019 për punën e palodhur në shërbim të atdheut.

Uroj edhe një herë suksesin e Vatrës sonë, tempull i demokracisë!

Me nderime, 

*Shaqir Salihu,ish gazetar në Zërin e Amerikës anëtar i Vatrës me dekada - autor i librit « Rrëfime Lirie »  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat