Analize muzikore dhe artistike mbi Albumin Raif Hyseni 24 - Bota Sot
Analize muzikore dhe artistike mbi Albumin Raif Hyseni 24

Amerika

Analize muzikore dhe artistike mbi Albumin Raif Hyseni 24

Nga: Afrim Shaban Më: 30 qershor 2020 Në ora: 15:43
Raif Hyseni

Është dëshmuar se artin e bëjnë njerëz të mëdhej që më pas të tillë mbeten tërë jetën, madje edhe pas vdekjes. Shumëkush për lavd më të lartë dëshiron të përdori edhe sintagmën e njohur “Artist lind, nuk bëhesh”. Sidoqoftë, kur në thelb arsimohesh e ngritesh profesionalisht, atëherë dhe vetëm atëherë portretizohesh si tërësi artistike.

Parë nga ky këndvështrim, Raif Hyseni është një figurë plotësisht e kompletuar si në aspektin e prirjes, ashtu edhe në atë të ngritjes së lartë kulturore, sepse arsimohet në vendlindjen e tij, pastaj vazhdon studimet pasuniverzitare në ShBA, ku punon, vepron dhe ligjëron në Montclair State University. Kjo ka bërë që ai të njihet nga afër me trashëgimitë dhe vlerat etnomuzikore të popujve të ndryshëm, vlera që do t’i japin frymëzime të fuqishme në krijimtarinë e vet. Mbi të gjitha, ai luan gjer në shkallë të përsosmërisë virtuoze në fizarmonikë, instrument bazë përmes të cilit do të jetësojë veprimtarinë e vrulleve të veta kreative. Dhe në radhë të parë, si objektiv tematik, do të merrte muzikën popullore shqiptare, do ta shtrojë atë me shumë pasion, dashuri dhe emocione të zjarta flakërimesh. Këtë do ta bëjë me vetëdije e kthjelltësi, sepse në tri dekadat e fundit interesi për etnomuzikën botërore është rritur tejmase.

Por cfarë në të vërtetë është materiali i këtij albumi? Ajo që këtë përmbledhje e bën tepër specifike është gërshetimi i jashtëzakonshëm i thesarit të muzikës shqiptare me atë të kulturave të tjera etnomuzikore botërore. Në finalizimet e punës kompozicionale, ai është kudo protagonist duke luajtur mjeshtërisht në fizarmonikë. Ky instrument paraqet kryefjalën e të gjitha kompozimeve. Kështu Raif Hyseni u bë një nga përfaqësuesit, ambasadorët e denjë i bartjes së vlerave etnomuzikore të kombit shqiptar për t’i përcuar ato pothuajse kudo, në katër kontinente (Evropë, Amerikë, Azi, Australi). Njëkohësisht dëshmoi se muzika shqiptare është tipike evropiane, fleksibile, lehtë ndërlidhet me muzikat e tjera, por kurrë nuk e cënon autenticitetin e vet. Ajo është tepër e gjallë dhe dinamike me të gjitha ritmet, tonalitetet, harmonitë, zbukurimet e meloditë e ëmbla. Këtë e gjejmë te albumi Raif Hyseni 24. Në të do të dëgjojmë kompozime instrumentale për fizarmonikë, të larmishme në përmbajtje e karakter stilesh ritmike.

Ajo që Albumin e bën më madhështor dhe universal është shkrirja tematike e elementeve të gjalla të melodive shqiptare nga njëra anë me zhanret e tjera të muzikës botërore sikurse është xhazi, bluzi, tango dhe nga ana tjetër me karakateristikat tepër interesante të etnomuzikës së kulturave të ndryshme të popujve kudo në botë. Dhe më së miri këtë e demonstron bashkërenditja e këtyre dallimeve të skajshme të muzikës shqiptare me atë japoneze, pastaj edhe me atë amerikane e kështu me radhë. Me format e këtilla muzikore, Raif Hyseni krijoi ura lidhëse të përafrimeve të kulturave të kombeve të shpërndara në gjithë rruzullin tokësor. Nuk ka si ndryshe që një ide e këtillë kaq fisnike t’i shërbejë paqes dhe dashurisë mes popujve, sepse të gjithë, shumëcka, kanë t’i japin njëri-tjetrit.

Biografia

Raif Hyseni lindi në qytetin e Mitrovicës në Kosovë. Herët në moshën e tij, ai do ta sajonte kapacitetin e talentit në artin e muzikës, prandaj edhe u përcaktua të studiojë në shkollën e këtij drejtimi, ndërsa me pasion të vecantë të përzgjedhjes do të merrte fizarmonikën. Ky instrument do të bëhej fryma e tij, jeta dhe krijimtaria e tij. Ai shpejt do të zë vendin meritor në shumë Ansamble. Hovi i tij nuk do të kishte të ndalur. Ai do të kalonte në shkallën e një virtuozi të fizarmonikës.

Rrethanat politike, instalimi i regjimit të dhunshëm politik serb, kuptohet se do ta lodhnin e ngulfatnin ëndrrën për arritje më të larta. Prandaj në vitin 1992 do të transferohet në Tiranë. Në kryeqendrën shqiptare shkonte me një përvojë të shkëlqyer të interpretimeve, ndër të tjerave edhe paraqitje në Rtv e Prishtinës. Një kohë të gjatë kishte bashkëpunuar me violinistin Isak Mucolli, po dhe me orkestrin e tij. Raif Hyseni u bë i njohur si një inovator në fizarmonikë duke kompozuar dhjetëra këngë e melodi instrumentale, duke luajtur në evente të mëdha për publikun shqiptarë e më gjërë. Gjatë kohës në kryeqytetin shqiptar, ai bashkëpunojë disa herë edhe me ansamblin kombëtar i këngëve dhe valleve.

Përkushtimi i tij në këtë fushë të artit, do t’i hapte Raifit ambicie të tjera, madje për të emigruar në SHBA (1995) e për të filluar një aventurë të re frymëzimesh. Ai diplomoi master në drejtimin e muzikës dhe atë në Universitetin Shtetëror Montclair. Po këtu, në vitin 2014, Raifi themeloi Katedër të Ansamblit muzikor (Albanian Ballkan Ensemble), e para e këtij lloji në një Institut të arsimit të lartë, ku amerikanët mësojnë të luajnë muzikë shqiptare, njihen me vlerat e saj dhe performojnë për mrekulli para publikut të gjërë. Fizarmonikisti ynë edhe sot vazhdon ta kryesojë këtë Ansambël e të bëjë një punë të mrekullueshme, duke i shërbyer promovimit të kulturës muzikore shqiptare. Si kompozitor, ai ka shkruar muzikë për fizarmonikë, muzikë për teatër dhe filma dokumentarë. Ka kompozuar edhe këngë. Në radhë të parë ajo që mbetet si një mjeshtëri e stil autentik të tij ështe veprimtaria në kompozimet e melodive instrumentale që arrijnë shkallën universale si vlerë dhe si përmbajtje gërshetimesh shumëdimensionale të zhanreve të muzikës botërore.

Sot, Raif Hyseni dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja e njohur, Merita Halili, jetojnë në Caldwell të New Jersey. Si cift, gjithmonë vihen në shërbim të eventeve të komunitetit shqiptar në SHBA, ndaj dhe janë të dashur për të gjithë. Është e udhës të thuhet se edhe video koncerti i tyre është arkivuar te Library of Congress.

(Informacioni biografik u mor nga shkrimtari i këtij artikulli në një bisedë me kompozitorin, Raif Hyseni.)

Stili i individualitetit të kompozitorit në veprat muzikore

Raif Hyseni është një pasionant i vërtetë, adhurues e besnik i fizarmonikës, më saktë një virtuoz i saj. Në kompozimet e tij, para së gjithash, ai tregon kulturën e shkëlqyer të njohurive të dëshmuara në një gamë të gjërë stilesh dhe teknikash të ndryshme që i përdor në këtë instrument.

Dihet sakt se çdo instrumentist luan ose pak më gjerësisht (tenuto), ose më shkurt (stakato). Autori në fjalë i ka të dyja komponentat. Dhe kjo nuk është pasuria e tij e vetme. Ai përdor mjeshtërisht ritmet asimetrike dhe simetrike dhe përvec këtyre gjejmë edhe ritmet swing dhe shuffle. E tërë kjo ritmikë e larmishme dhe mjaft komplekse, organizohet në 2/4, 4/4, 7/8 (3+2+2) ose edhe në 9/8 (2+2+2+3).

Accelerandot dhe përshpejtimet e tempos (që dëgjohen shpesh në këtë album) janë mrekulli më vete që i demonstron kompozitori në përformancat e tij. Dhe kjo ndodh që në pjesën më të madhe të melodive të dëgjojmë ndryshimin në përshpejtimin e tempos disa herë, në raste edhe në një gamë të madhe tempoje në kohëzgjatje më të madhe.

Fizarmonika dhe instrumentet e tjera që mund të luajnë akord (ose thënë ndryshe, më shumë se një tingul në kohë), shpesh përdorin akorde si dhe zëvendësime tjera harmonike, veçanërisht nëse nuk ka ndonjë instrument tjetër akord në grup. Në gjithë këtë, në pjesën dërmuese të veprave, dominojnë elementet e muzikës standard shqiptare.

Një kënaqësi më vete paraqesin shkallët muzikore jo të zakonshme, moduse, gjysmë- tonale, diatonike por jo-tradicionale, të cilat dëgjohen në vijimësi. Një nga shkallët jo- tradicionale që dëgjohet shpesh në këtë album është Phrygian + maj.3 (Phrygian mode with a raised 3rd). Psh:. shkalla minore harmonike që fillon A-Bb-C#-D-E-F-G-A (dominant = dominant); gjithashtu e njohur nëpër botë edhe si shkallë muzikore, Hixhaz.

Instrumente muzikore

Ritmet asimetrike shqiptare nuk janë aq të njohura për amerikanët. Megjithatë, në album, falë Raif Hysenit muzicientët këto ritme i luajnë fare me lehtësi si të ishin ato vetë ritmet e zakonshme të tyre 2/4, 3/4, 4/4, etj.. Këtë e bën edhe më të qartë fakti se shumica e muzikantëve në këtë album janë profesionistë, dhe mund të gjenden në Youtube edhe me shfaqjet e tyre solistike. Nga instrumentet që performojnë në veprat instrumentale të Albumit të Raifit janë: Dumbek, Perkusione, Flaut, Violinë, Cello, Harp, Daulle, Lodër, Vibraphone, Trumpet, Contra Bass, Kanun, Bass Guitar, Tastiera, Lauto, Klarinet, dhe natyrisht Fizarmonika duke qenë në qendër të të gjithëve.

Stili në fizarmonikë

Me zhvillimin e teknologjisë, të rrallë janë ata që do ta përzgjidhnin fizarmonikën si instrument. Megjithatë ka artistë të vërtetë që janë mjeshtër të fizarmonikës. Dhe një nga këta është Raif Hyseni, një pasionant i vërtetë, adhurues e besnik i fizarmonikës. Madje mund të themi se e konsideron si pjesë të frymës së tij. Një lidhje të këtillë e kuptojnë vetëm ata që mirëfilli e ndiejnë dhe jetojnë me artin muzikor. Kjo dëshmohet edhe me faktin se Raif Hyseni ka pasur shumë perfomanca muzikore në vende të ndryshme të botës.

Por ku qëndron e vecanta e virtualitetit të tij?

Para së gjithash, ai tregon kulturën e shkëlqyer të njohurive të dëshmuara në një gamë të gjërë stilesh dhe teknikash të ndryshme që i përdor në fizarmonikë. Albumi është një demonstrim i të gjitha këtyre shkathtësive e ngjyrave tingëllore të larmishme e të ngrohta. Po këtu ai shfaq një stil të ri e autentik, unik e të sofistikuar. Brenda kësaj ai shpalos një ndjeshmëri të thellë, përjetim e gjallëri të skajshme. Nuk do mend se dëgjuesi shumë shpejt impresionohet nga kjo teknikë e lëvizjes së gishtrinjve të shpejtë, glissandos dhe lëkundjeve tingëllore të fiazarmonikes. Di mrekullueshëm të inkorporojë një element të ri muzikor në trup të jazzit e ta bëjë të tingëllojë natyrshëm e plotësisht të shkrirë në njëshmëri. Madje këtë e bën edhe te zhanret e ngjashme si te pop muzika, bluz, tango,...

Një virtuoz domosdo ta ketë elementin e vet dallues që nuk do t’i ngjajë ndonjë tjetri. Raif Hyseni e identifikon personalitetin muzikor me atë shqiptar duke përformuar me një stil frazash të shkurtra e të zbukuruara me trillime, të thjeshta, po të ëmbla, të shpejta e në ritme të rregullta (simetrike), si dhe të parregullta (asimetrike), por të sakta e mirë të harmonizuara. Këtu qëndron e bukura e përtejshme, se stili i tij ka elemente të muzikës shqiptare, por të vëna në një formë moderne të fizarmonikës evropiane, folklorike, por edhe jazz, pop, bluz, tango,... Pra, Raifi nuk është një fizarmonikist i rëndomtë, sepse ai kulturës muzikore shqiptare i sjell një frymë relativisht të re, të padëgjuar më parë e krejtësisht tjetërfare.

Kreativiteti i tij është cudibërës. Fizarmonika në këtë Album është vetë kompozitori, Raif Hyseni me fizarmonikë Guerrini Superior II! Pra, një reciprocitet mes personalitetit njeri dhe instrumentit fizarmonikë. Kjo e shndërron virtuozin tonë në një muzicient universal botëror e të dashur përjetësisht. Albumi i kompozimeve të tij instrumentale më së miri e dëshmon këtë.

Albumi i kompozimeve

“Raif’s First”, i pari kompozim i këtij mjeshtri të jashtëzakonshëm vjen që në moshën e njomë kur shpërthimin e papërmbajtur të talentit dhe punës ai e jetësoi i mishëruar në instrumentin e fizarmonikës për të luajtur me të në shkallën më të shkëlqyer të virtualitetit. Në këtë nismë të hapave të para që hodhi, ai magjepsi të gjithë duke orkestruar një melodi instrumentale shqipe me hove gazmore e ritmike, me përfytyrime lumturishë, buzëqeshjesh e optimizmash. Vepra është në një formë të shkallës D minore, në takt 4/4, me qartësi e kthjelltësi muzikore. E luan me atë pasion si të thuash i përfytyronte valltarët e valltaret duke këcyer me lehtësi në ritmin e gjallë të melodisë.

Maestroja sjell një tjetër instrumentale titulluar “Vicianum” që nënkupton emrin e lashtë të qytetit të Vushtrisë. Autori është kapur për të mos u shkëputur nga rrënjët historike të vendit të vet dhe kjo nostalgji do ta ndjeki gjatë gjithë karierës së tij porfesionale muzikore. Cdo krijues shquhet për nga stili i vet dhe elementi i tij dallues në këtë aspekt gjithmonë është loja, shkathtësia, preciziteti dhe aftësia improvizuese në fizarmonikë. Po këtë e shohim edhe te vepra Vicianum që në temën e parë fillon në taktin tradicional shqiptar 7/8 (3+2+2) me tempo moderato. Nuk e lë me kaq, sepse imagjinatën e vet e zhvillon në temën e dytë në taktin 4/4 duke i dhënë ritmit gjallëri të plotë. Si tërësi ka për bazë celësin A, G dhe D maxhore / minore / moduse. Kjo formë kreativiteti në cdo etapë të rrjedhës së jetës do t’ia ruaj orkestruesit shpirtin e përhershëm rinor.

Te pjesa e titulluar “Kalorësi Kosovar”, autori sikur dëshiron të shfaqi momente realistike të përjetimeve të rënda të jetës në Kosovën martire për të treguar më pas qëndrueshmërinë e paepur të kombit shqiptar. Mu për këtë edhe vepra merr frymë universale të kulturës pa iu shmangur elementit bazë të muzikës tradicionale shqiptare.

Pra, Raifi vetë e dirigjon orkestrin për ta shpjerë atë në një introduksion perkusiv, duke shtuar mjeshtërisht klarinetën, kitarën, celon e fisarmonikën si një gjymtyrë të pashmangshme të karakterit të vet. Gjithcka harmonizohet në një tërësi të këndshme ngjyrash tingullore. Në versetin e parë ka një ritëm asimetrik 7/8 të ndërlidhur në hollësi detajesh të lojës së instrumenteve.

Në vazhdim tërësia kthehet në theksin e natyrshëm të 7/8, me një dominancë të zakonshme improvizimi të shprehjes së virtualitetit në fizarmonikë.

“Shqiptari në Japani” – Te kjo vepër kompozitori bën një gërshetim mes fizarmonikës dhe flautës. Në pah del shkalla pentatonike si influencë e muzikës shqpitare të jugut dhe ajo pentatonike e traditës japoneze. Autori lëshon një thirje kurajoje në kuptimin se muzika është fisnikërim i shpirtrave, ndaj edhe dy popuj sado të largët e të ndryshëm të jenë, mund të bashkohen në një tingëllimë fryme përplot laryshi elementesh interesante, sa të këndshme, aq edhe të bukura. Mes kohëve ka dhe një zërim glissando të ndërlidhjes interkontinentale për të vijuar një pjesë tjetër përplot modulacione.

Herë pas here edhe ritmi ndryshon pjesë-pjesë në 7/8, 4/4 dhe 9/8. Dhe si gjithmonë, qenësinë e vet autoriale Raifi e shfaq me dashurinë e qëndrueshme ndaj fizarmonikës për të nxjerrë nga ajo tonet e ëmbla të melodive të melosit shqiptar. Dhe në fund fare, kompozitori i kthehet elementit të parë nismëtar me të vetmin qëllim të dëshmisë se në artin muzikor fare lehtë mund të krijohet një simbiozë kulturash të ndryshme edhe përkundër faktit se mund të kenë dallime të skajshme. Një mjeshtër dhe personalitet i pajisur me kulturë të jashtëzakonshme, edhe dallimet më ekstreme di t’i shndërrojë në favor të idesë perfekte e për të pasuruar imagjinatën.

Raif Hyseni në “Fantazi për Fizarmonikë” shfaq lirizmin e vet kreativ me tërë fuqinë e shpërthimit shprehës. Ai sikur do të na thotë “Më leni të ngopem, të kënaqem e të mbushem shpirtërisht!”. Si? Duke bërë një gërshetim dhe përmbledhje të gjithë koloritit të pasur të gurrës popullore shqiptare. Bredh në të katër anët, ose ndalet nëpër stacione të kulturës së Shqipërisë së mesmëe, pastaj në atë të jugut, kthehet në veri, kalon i gjallëruar nëpër tufa virtuale tingujsh të fizarmonikës, sepse aty është e tërë magjia, fantazia, vrulli i mbledhur që merr udhë, gishtat fluturues nëpër tastet e instrumentit nuk njohin lodhjen, por marrin edhe më shumë energji... Mbi gjithë këtë, Raifi zbulon arsenalin e kompletuar të kulturës muzikore, të diapazonit të gjërë të njohjes para së gjithash të margaritarëve shëndritës e të pafund të etnokulturës kombëtare për ta ngjeshur atë me nivelin e dijes profesionale të shkallës së përgatitjes kadrovike muzikore. Në fund domosdo se kjo e rrumbullakson më të bukurën e mundshme për të dalë si vepër e përjetshme.

“Tango Tirana” – Raif Hyseni ka një stil shumë autentik. Me plot bindje mund ta mbështesim këtë konstatim në faktin se ai para së gjithash, në kreativitetin e vet merr në konsideratë zhanre të ndryshme të muzikës botërore. I zbërrthen ato gjer në copëzime për të mos i ikur asgjë dhe më pas mrekullia shfaqet si një ylber ngjyrash tingëllore shqiptare që mbërthen në këtë rast tango muzikën.

Ndërsa tangoja gjeneron si frymë nga kontinenti i largët i Amerikës së jugut, ose më konkretisht nga Argjentina e Uruguai. Afiniteti për të gjetur një formë gërshetimi të tangos me elementet e muzikës shqiptare është e vecanta e specialitetit të kompozitorit të madh. Autori është i vetëdijshëm se kulturës botërore i duhet qasur nga kryeqendra gjithshqiptare që është Tirana. Në atë pikë përmbledh të gjitha format virtuale të muzikës shqiptare për të arritur dy qëllime. E para si popull për nga kultura natyrshëm priremi kah ajo evropiane, ndaj dhe lehtësisht mund ta inkorporojmë elementin tonë me atë të muzikës perëndimore po dhe më gjërë. E dyta, kjo mund të bëhet kështu vetëm nëse muzika e një kombi është e konsoliduar dhe e larmishme. Dhe mbi këtë gjenialiteti i Raifit njësohet në njëshmërinë e dashurisë së tij ndaj instrumentit të fizarmonikës te i cili nxjerr perla të shumënduarshme improvizimesh.

“Gajda e Stivit” - Në veprimtarinë muzikore, Raif Hyseni ka edhe krijime të tilla kushtuar ndonjë miku të vet. Pikërisht “Gajda e Stivit” ia dedikon valltarit e bashkëpunëtorit Stephen Kotansky, i cili jeton dhe vepron në New York. Pavarësisht se kompozimi duket i zakonshëm, i rëndësishëm është efekti që ia bën Kotanskit, sepse ky gjen frymëzimin për një koreografi të re. Në këtë rast, autori ynë është një ambasador i suksesshëm i prezentimit të vlerave tona shpirtërore sic është muzika jonë kombëtare. Madje këtë e bën në SHBA, atje ku pothuajse gërshetohen të gjitha kulturat e popujve të botës. Pjesë e orkestrit në violine është edhe djali i Kotanskit.

Vepra fillon me klarinetën si simbol të gajdës që gjithashtu është instrument frymor. Ka një ritëm moderato 7/8, por ritmi merr hov me modulimet e shpeshta që kompozitori i ka si specialitete te vecanta. Prandaj tërësia në fund del një kryevepër e bukur.

“Embël, Lëmueshëm, Butë dhe Gëzueshëm” është një pjesë tipike e xhazit të butë e të ëmbël, sic e quan autori. Raifi dëshmon se është një fizarmonikist jo vetëm virtuoz, por edhe inteligjent e kreativ, sepse edhe në stilin e xhazit në mënyrën më të përkryer di ta inkorporojë brenda fizarmonikën, gjë që nuk ndodh dhe aq shpesh ta gjejsh në kombinim këtë instrument.

Përndryshe e tërë vepra është një kambo xhez shoqëruar me vibrafonë, mbështjellë në stilin shuffle. Raifi me sensin e shijen më të hollë në përsosmëri improvizon shkallë e moduse jazzi. Pra, përfundimisht ky është një personalitet i pajisur me kulturë të jashtëzakonshme muzikore.

“I Vetmuar, Vetëm - Unus” - është një improvizim i lirshëm dhe i pasur me shumë elemente që i sjell imagjinata e kreativitetit të autorit. Është për t’u habitur se sa energji krijuese ka kompozitori, sepse në asnjë moment ai nuk i lë vend monotonisë. Prandaj tempoja ndryshon disa herë, ndërsa fizarmonikën e sjell në një formë të re ngjyrimi duke përdorur regjistrin bason e në ritëm 7/8. Edhe në këtë rast ai bën lëvizje të bukura në shakllë minore pentafonike e heterofonike (texture), lë hapësirë të shfaqjes së vibrafonit, dyfishon strukturën ritmike duke e bërë jashtëzakonisht atraktive tërësinë e veprës. Dhe mbi të gjitha këto, nuk harron të demonstrojë një pjesë të frazës së melodisë shqipe.

“Atmosfer Amerikane” - është vepër e ritmit dallues e të njohur amerikan të swing jazz. Kuptohet se kjo është një ndërlidhje e natyrshme me xhazin e rëndomtë. Raifi di të gërmojë edhe në forma të këtilla për të nxjerrë më pas një dicka të stilit të vet, gjithnjë si risi e atraksion për cdo dëgjues që e do këtë zhanër. Kuptohet fuqia shprehëse vjen përmes fizarmonikës, gjë specifike vetëm për Raif Hysenin. Ky instrument përmes modulacioneve të njohura të këtij virtuozi e freskon dhe i jep një shije shumë më të vecantë improvizimit, sidomos kur hëpërhë të zë veshi disa copëza të muzikës shqipe me të cilat kompozitori portretizon veten duke treguar gjenezën e tij me bagazhin e njohurive të thella mbi kulturën muzikore.

“Intermeco” - është pjesë e shkurtër mes pjesëve të tjera. Autori edhe kohën e pushimit e bën me një dromcë (pjesë) muzikore për të përafruar e ndërlidhur pashkëputshëm muzikën shqipe me atë botërore. Ai përdor ritmin e zakonshëm 4/4, por me ngjyrime të valles së gajdës gjë që e thekson intervali P5 (Perfect 5th). Sigurisht, intermeco në këtë rast është e shkurtër, por kuptimplotë në mesazhin që jep dhe në shkathtësinë fenomenale që demonstron fizarmonikisti virtuoz.

“Vallja e Manhetanit” - Si shqiptar, pjesëtar i një populli të lashtë evropian, kompozitori ka një spektër shumë të gjërë të kulturave të dryshme muzikore. Te elementet e tyre për aq sa vëren gjëra të përbashkëta, për aq vëren edhe dallime substancionale. Madje, vetë Menhetani është një qendër e gërshetimit të shumë kulturave të këtilla. Fizarmonika eshte nga ato instrumente që përafron e në raste edhe bashkon këto pasuri thesaresh muzikore të popujve. Ndërsa mjeshtri ynë e përdor në shkallë të virtualitetit në ritëm 4/4 e në tempo të shpejtë duke i rënë në stil stakato. Kjo nuk rri vetëm, por kombinohet me instrumentet e tjera si tromba, klarineti, saksofoni dhe të gjitha këto improvizojnë.

Raifi këtu ka shfaqur edhe një ide gjeniale për ta filluar melodinë instrumentale me notat Re(R), La(A), Mi(I), Fa(F), nota a shkronja që deshifrojnë emrin e tij. Karakteristika tjetër e pashmangshme është ajo e modulimeve të shkëlqyera – si një specialitet shumë i vecantë i këtij virtuozi.

“Puhi Bosfori” – Në këtë vepër bie në vesh elementi i theksuar oriental. Por në sintagmën e titullit e përdor toponimin e Bosforit që është një ndarje mes perëndimit e lindjes, Evropës dhe orientit. Frymën e orientit e karakterizojnë instrumentet që i ka vënë në përdorim si kanunin, violinën, celon, basin, saksofonin e tupanat. Të gjitha janë solistike, monofonike (texture). Megjithatë, fizarmonika në dorë të maestros është si një urë lidhëse mes dy kulturave. Ai krejtësisht i bashkon elementet në një tërësi tepër të bukur instrumentale. Por i jep theks të vecantë fizarmonikës si pasqyrim i pasionit të shpirtit të tij.

”Mirëmëngjes!” – Kësaj vepre gjallëzore i vjen përshtat titulli “mirëmëngjes”, sepse me energjinë e vet ritmike jep një elan e disponim të fuqishëm në fillimin e mbarë të ditës. Ajo pothuajse është një potpuri e muzikës së pasur shqiptare. Në lidhshmërinë e pjesëve tematike ndryshon edhe ritmi, edhe tempoja. Sa vjen, bëhet më dinamike, më shprehëse. Fizarmonika bart tërë peshën e kësaj melodie instrumentale, sepse është e thekshme, përplot ngjyrime tingujsh e modulimesh. Fundja, ky është stili i autorit, të bëjë dicka pa e braktisur atë që e karakterizon si fizarmonikist e si kompozitor.

“Paqe dhe Dashuri” - Raif Hyseni përmbyll këtë kollazh melodishë instrumentale me porosinë universale e të qëndrueshme të dashurisë e paqes për njerëzimin kudo në

botë. Ai luan shqip, po aq sa luan edhe në skajet më të largëta të kulturave të tjera muzikore të vendeve të skajshme duke krijuar ura lidhëse miqësie jo përmes fjalëve, por përmes afrimit të frymës artistike e respektive ndaj dallimeve të të gjitha formave të kulturave që kanë popujt e ndryshëm. Prandaj mjeshtërisht gërsheton një pjesë japoneze, amerikane, a afrikane me atë shqipe. Te “Paqe dhe Dashuri” gërsheton dy instrumente dhe atë harpën dhe fisarmonikën, i pari tepër arkaik, ndërsa i dyti më i kohës, por që korespondojnë me njëri-tjetrin paqësisht, me dashuri e me modesti. Raifi te të dy e gjen veten: te lashtësia ilire si parardhësit tanë dhe te vazhdimësia e kësaj parakulture të trashëguar e zhvilluar gjer në kohën tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat