Këta janë tre shqiptarët që humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në SHBA

Amerika

Këta janë tre shqiptarët që humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në SHBA

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Sot përkujtohet 19-vjetori nga sulmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dy aeroplanë të përdorur nga terroristët e “Al Qaida”-s goditën dy Kullat Binjake.Në sulmin e 11 shtator të vitit 2001, humbën jetën rreth 3 mijë persona, duke u bërë një nga sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane.

Pas këtij sulmi, SHBA ndërhyri më pas në Afganistanin dhe më vonë në Irak.Por në mes të mijëra viktimave, ishin dhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Sipas të dhënave, Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore, e njohur si “Kullat Binjake”.

Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie. Tashmë çdo 11 shtator familjarët e tri viktimave si çdo ritual mortor vjetor presin e përcjellin njerëz dhe vizitojnë memorialët e anëtarëve të familjeve të tyre, që humbën jetën më 11 shtator 2001.Simon Dedvukaj ishte më i riu nga të tre shqiptarët që humbën jetën në Manhatan. 26-vjeçari Dedvukaj punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i punonjësve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake.

Tashmë në Neë York është edhe fondacioni “Simon M. Dedvukaj” , ku qëllimi i këtij fondacioni është në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj për të bërë zgjedhjen e duhur në jetë, për t’i shërbyer jo vetëm vetes, por edhe familjeve dhe komunitetit ku ata jetojnë.Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, punonte në njërën prej Kullave Binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë. 60-vjeçari kishte qenë në katin e 105-të kur i kishte telefonuar të birit, Vincent, për t’i dhënë lamtumirën dhe për t’i thënë se tani “ai do të ishte në duart e Zotit”.

65-vjeçari Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, punonte prej 30 vjetësh si portier në njërën prej Kullave Binjake. Në telefonatën e fundit Gjonbalaj kishte thënë që fëmijët e tij të bëheshin të fortë dhe ta mbanin familjen të lidhur ngushtë.Mbi 3 mijë njerëz humbën jetën kur rrëmbyesit përplasën katër aeroplanë mbi kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin shtetas të më tepër së 70 vendeve dhe në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat