Historia e tre shqiptaro-amerikanëve që humbën jetën në sulmin e Kullave Binjake

Amerika

Historia e tre shqiptaro-amerikanëve që humbën jetën në sulmin e Kullave Binjake

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 00:35
Historia e tre shqiptaro-amerikanëve

3000 viktima humbën jetën nga sulmi terrorist i 19 viteve më parë në Kullat Binjake. Në listën me emra të viktimave janë dhe tre shqiptaro-amerikanë të cilët punonin në Qendrën Tregtare Botërore, në dy Kullat e famshme Binjake të New York-ut.

Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj quhen tre viktimat shqiptaro-amerikanë. Në Manhatan është vendosur memoriali me emrat, ku shkojnë shpesh familjarët e tyre për ti përkujtuar me dhimbje.

Por si është historia e tyre?

Image

Simon Dedvukaj ishte më i riu nga të tre shqiptarët që humbën jetën në Manhatan. 26-vjeçari Dedvukaj punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i punonjësve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake. Tashmë në New York është ngritur fondacioni “Simon M. Dedvukaj” , ku qëllimi i këtij fondacioni është në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj për të bërë zgjedhjen e duhur në jetë, për t’i shërbyer jo vetëm vetes, por edhe familjeve dhe komunitetit ku ata jetojnë.

Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, punonte në njërën prej Kullave Binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë. 60-vjeçari kishte qenë në katin e 105-të kur i kishte telefonuar të birit, Vincent, për t’i dhënë lamtumirën dhe për t’i thënë se tani “ai do të ishte në duart e Zotit”.

Image

65-vjeçari Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, punonte prej 30 vjetësh si portier në njërën prej Kullave Binjake. Gjonbalaj e donte shumë punën dhe refuzonte të dilte në pension, megjithëse e kishte mbushur moshën. Në telefonatën e fundit nga kati i 86-të i Kullës Binjake numër dy amaneti i tij kishte qenë që fëmijët e tij të bëheshin të fortë dhe ta mbanin familjen të lidhur ngushtë.

144 unaza martese u gjetën nën rrënoja! Disa fakte 19 vite pas sulmit terrorist në Kullat Binjake.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat