“In Loving Memory - Në kujtesën e dashur”, është kujtuar Skënder Gjilaga

Amerika

“In Loving Memory - Në kujtesën e dashur”, është kujtuar Skënder Gjilaga

Nga: Beqir SINA – New York City Më: 9 korrik 2021 Në ora: 07:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Skender Ghilaga(Gjilaga) lindi më 25 Shtator 1936, dhe vdiq më 14 Janar 2021

MANHATTAN NYC :  Skender Ghilaga, shqiptari që la gjurmë gati në të gjitha ndërtesat e famshme të Manhatanit, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Ai ishte një inxhinier dhe ndërtues i njohur, një aktivist i shquar i çështjes kombëtare në SHBA. Jeta e tij është përshkruar më së miri në librin e njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës” të botuesit Vehbi Bajrami.

Skender Ghilaga, një nga figurat më të shquara të komunitetit shqiptar në SHBA, gjashtë muaj pas ndarjes nga jeta është përkujtuar me një ceremoni “In Loving Memory - Në kujtesën e dashur”, duke kujtuar dhe shprehur respekt e dashuri nëpërmjet nekrologjisë së folësve.

Kjo ceremoni u dha mundësinë obitatorve që nëpërmjet fjalëve të tyre të tregojnë nekrologjinë e jetës së Skendër Gjilagës, të kremtojnë dhe nderojnë jetën unike të tij.

Ndërsa orkestra “Kristof & Band” luajti dy pjesë klasike në piano e violinçel  “ “La Foule” nga Edith Piaf dhe “In Backwater Woods” nga Mary Oliver ……Bato Aydelotte. 

Nekrologjinë e sotme në shtëpinë funerale ”Frank E. Campbell Funeral Home” në Manhatan, Qytetin e Nju Jorkut e udhëhoqi një listë e emrave të anëtarëve të familjes, miq dhe kolegë të tij, shokët e jetës.

Përfshirë të bijën Emilie Ghilaga, mbesat Tefta Ghilaga dhe Artes Ghilaga, miqtë e tij Nathan Joseph & Tommy Ponzio, Munirah Khalifa. Avokati Bradhyl Tirana & Ilir Fundo, Paul Bernstein, Bato Aydelotte,  në nekrologjitë e tyre përfshinë kujtime të çmuara, të paharrueshme, tregime qesharake dhe detaje të rëndësishme të jetës së Skënder Gjilagës, gëzimet dhe momentet e një jete të jetuar, ashtu si ka qenë. 

Nekrologjitë  ishin të gjitha të shkëlqyera dhe secila tregonte një histori të veçantë ndërkohë që pasqyronte personalitetin e Skënder Ghilaga (Gjilaga) , përkujtuar atë, gjashtë muaj pas vdekjes së tij .

Ambasadori Frymëzim Isufaj, Vehbi Bajrami, me bashkëshorten Gena, Bardhyl Tirana, Jimmy Xhema, Adrian Neritani, Eduart Toptani, dhe Ramadan Gashi ishin në mesin e miqve të tij, shqiptarë për të shfaqur respektin në shtëpinë funerale     ”Frank E. Campbell Funeral Home” në Manhatan, Qytetin e Nju Jorkut, dhe koktelin përkujtimor në “The Union Club”, ku u shfaq edhe një video-slide me fotografi nga jeta e Skender Gjilagës.

Përkujtimorja për babain tha nga foltorja e bija e tij Emilie Ghilaga(Gjilaga), e cila tha se Skender Ghilaga(Gjilaga) lindi më 25 Shtator 1936, dhe vdiq më 14 Janar 2021.

Më pas ajo lexoi një nekrologji, ku tha se Skender Ghilaga lindi në Dibër, Shqipëri me prindërit e quajtur Haxhi Ghilaga dhe Shukrije Kadiu Ghilaga.

Familja Gjilaga, u largua nga Shqipëria gjatë pushtimit të Italisë, dhe iku në Greqi në 1939, dhe si rezultat i shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe, përfundimisht u vendos në Stamboll, Turqi. 

Në Stamboll, Skender Gjilaga, tha e bija, ai ishte një student i dalluar, dhe u diplomua nga kolegji amerikan “Robert College” (Klasa e Vitit të Diplomimit '58) dhe fitoi një diplomë në degën Inxhinieri Mekanike. 

Në vitin 1955, familja e tij emigroi në SHBA, dhe qëndroi me banim në Manhatan, Nju Jork, dhe Long Island. 

Ai, pasi shërbeu në Ushtrinë e SHBA gjatë Luftës së Vietnamit për dy vjet, Skënderi filloi karrierën e tij në një kompani prestigjoze arkitekturore në Nju Jork, “Syska & Hennessy Group”, një firmë kryesore globale inxhinierike, ku ai shërbeu si Zëvendës President i Lartë dhe Drejtor i Operacioneve Ndërkombëtare. 

Në këtë kompani ai përfundoi projekte të tilla si Qendra Carlton në Johanesburg të Afrikës Jugore dhe Universiteti King Saud në Riad të Arabisë Saudite. 

Për më tepër, në këtë kompani ai zgjeroi ekipin ndërkombëtar në mënyrë që "Dielli të mos perëndojë kurrë" në zyrat e Syska & Hennessy.

Në 1981, ai u bë President i R.H. Sanbar Projects ku arkitektura e tij inxhinierike mban “vulën” në Kullën Dag Hammarskjold në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, dhe në disa ndërtime të tjera të njohura, në metropolin e botës, qytetin e Nju Jorkut. 

Duke ndjekur arritjet e tij të mëdha në NYC, ai punoi në Shoqatën Kombëtare të Dyqaneve Zinxhir të Barnave dhe në projekte të ndryshme këshilluese duke përfshirë zhvillimin e një kompleksi ndërtesash, në atë që quhet  “Fshati Amerikan i Kosovës” ngritur në periferi të Prishtinës, në Kosovë.

Skënder Ghilaga, tha e bija e tij Emilie, ishte një Njujorkez i vërtetë, por kurrë nuk e harroi trashëgiminë e tij shqiptare. 

Ai fliste katër gjuhë, me një të folur, lexuar dhe shkruar shqipen, sikur të ishte rritur në Shqipëri, dhe jo sikur të ishte larguar nga vendlindja e tij Dibra, në moshën 3 vjecare.

Skender Gjilaga, ishte një veprimtar dhe anëtar themelues i Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Amerikane. 

Emilie, tha se babai i saj e donte muzikën klasike, folklorike shqiptare, tenisin, futbollin evropian, hipizmin, pëlqente kuzhinën sidomos gatimet tradicionale shqiptare, lexonte shumë, dhe ishte i apasionuar pas letërsisë dhe filmave.  Si një artdashës dhe koleksionist me një sy të mprehtë, ai hapi “L'Afrique”, një galeri në lagjen e Manhatanit, Upper East Side, duke shfaqur artin fisnor afrikan në Madison Avenue. 

“Skender Ghilaga ishte një baba i jashtëzakonshëm dhe më i lumtur kur ishte me mua - vajzën e tij, Emilie,” u shpreh e bija e cila tha se e shoqëronte edhe në Porto Riko kur ai u nda nga kjo jetë krejt papritmas.

Ish-gruaja e tij Victoria Ghilaga u nda nga jeta katër vite më parë, por ata mbetën një familje me Emilie deri në ditën kur Victoria u nda nga jeta. Ai u largua nga kjo botë pasi kishte jetuar një jetë të plotë dhe të bukur dhe i kaloi ditët e tij të fundit duke luajtur tenis, duke lexuar librat e tij të preferuar dhe duke parë perëndimin e diellit. 

Ai la pas vetes të bijën Emilie, gjithashtu kunatën e tij, dy mbesa dhe një nip të madh.

  Për të nderuar kujtimin e Skenderit, donacionet po pranohen në Qendrën Kërkimore të Kancerit të Mushkërive në Neuberger Berman, PBS (Shërbimi i Transmetimit Publik) dhe Federata Botërore e Tavëllit, tha Familja Ghilaga.

Më 14 Janar 2021, lajmin mbi vdekjen e tij,  pasi e mori nga e bija, Emilie Ghilaga, i pari e dha botuesi i gazetës “Illyria”, në Nju Jork, Vehbi Bajrami, me të cilin Skenderi ka pasur miqësi të ngushtë.

Sipas njoftimit të saj, thuhej se inxh. Ghilaga ndërroi jetë në Kosta Rika, ku kishte udhëtuar për të kaluar Vitin e Ri me vajzën e tij Emile.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, shkroi  se Skënder Ghilaga ishte një inxhinier dhe ndërtues i njohur, një aktivist i shquar i çështjes kombëtare në SHBA.

Jeta e tij është përshkruar më së miri në librin e njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës” të botuesit Vehbi Bajrami.

Gjurmët e punës së tij madhështore në ndërtim ndodhen në shumë prej kryeveprave arkitekturore dhe ndërtesave më të famshme në Qytetin e Nju Jorkut.

Ndërmjet tyre: Kullat Dag Hammersjkold, “Qendra rezidenciale dhe tregtare “The Epurio”, Javits Convention Center, Lincoln Center for the Performing Arts, Mt Sinai Hospital, Madison Square Garden, etj.

Veprat e punës së tij shkojnë përtej kufijve amerikanë. Ai ka ndërtuar Hotelin “Kempinsky Hotel” (Pallati Ciragan) në Stamboll, Istanbul. Universitetin e Riadit në Arabinë Saudite etj.

Bashkë me bashkatdhetarin Dino Asanaj, kanë ndërtuar Fshatin Ndërkombëtar, në Prishtinë, Kosovë pas çlirimit të vendit prej NATO-s. Një nga investimet e para nga jashtë në vend.

Ghilaga ka qenë një aktivist i palodhur për çështjen kombëtare. Veç të tjerash ka rithemeluar Shoqatën “Miqtë e Shqipërisë”, ka bashkëthemeluar Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë, me qendër në Nju Jork si dhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) duke shërbyer si një nga anëtarët themelues të kryesisë.

Për këto veprimtari ka vepruar ngushtë sidomos me mikun e tij të ngushtë avokatin Bardhyl Tirana, si dhe me Prof. Sami Repishtin e figura të tjera të komunitetit.

Ai ka qenë gjithmonë një përkrahës dhe bashkëpunëtor i gazetës “Illyria”.

“Ishte inxhinieri më i njohur shqiptar në Amerikë”, tha me këtë rast, botuesi Vehbi Bajrami. “Një njeri me kureshtje intelektuale që mbeti gjithmonë i lidhur me komunitetin, Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen shqiptare.”

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat