Saherë vinte në New York -
Në Zemrën e Tokës së Shenjtë
Ai fliste mendueshëm
Për Shenja të Mëdha
Për Shtëpinë -
Që e ruan Zoti
Dhe Miqtë ...
Pastaj -
Për Gurët për Diellin
Për Tokën e Qiellin ...
Por, tek fliste për Zjarrin -
Që duhej shuar
Se, po ra -
Mund të digjte gjithçka të gjallë -
Më bëhej se i shtohej
Një rrudhë më shumë në ballë ...
Njerëzit pëshpërisnin
Dh’e vështronin me habi
Si mund ta shuante
Zjarrin -
Me Frymë
Ky Njeri?!
*
E vështronim me dhimbje
Kur ndahej prej nesh
Në Aeroportin Kennedy ...
Tek shpërndërrohej
në një Lejlek krahëthyer
Që fluturonte me nxitim -
Me ankthin se Mullenjëzezat -
mund t’ia shthurnin Folenë
Majë Oxhakut të Kullës -
Në Dukagjin ...
*
Dhe vitet shkonin
Borë thinjash reshte
Mbi koka të njerëzve
Që prisnin Mrekullinë...
Po -
Ai s'e humbi kurrë Besimin
Se Dielli i Naimit -
Lind andej nga Perëndon ...
Dhe vitet shkonin ...
*
Çatia zu’ të pikonte pikëllim
Nga dhimbjet e trarëve
Që kërkëllinin -
Në Acarin e Dimrit
të Vetmisë së Madhe
Qindvjeçare!
*
Dhe -
Kur pakkush besonte
Se Dita e Premtuar
Do të hapej nga Qielli -
Rrathët e Ferrit të Dantes
Po çaheshin me gjëmim
Nga uturima e Zogjve të Zjarrtë
Mbi Qiejt e Ballkanit -
të shituar nga Qoftëlarg'ja Plakë ...
Err e terr: Flakë - flakë!
Njerëzpengjet Dardanë
Po iknin pikëllueshëm në një Karvan Biblik
Si dikur moti n? Jug -
Sivëllezërit e tyre Moreanë
Ata shfaqeshin e çshfaqeshin trishtueshëm
Si hije -
Drejt horizontit të përflakur
Ku pritet Qielli më Tokën...
Njerëznumrat -
Në podrume rrënojash
Flisnin me gishtërinj:
Një, dy, tre ... dhjetë -
Shtatëdhjetetetë!
Njiqindvjetnet!
*
Dhe
Papritmas -
Bashkë me Mrekullinë
U përmenden dh’e panë
Me sy të lbyrur
Kufirin e Ferrit!
*
Tashmë -
Lulëkuqet kishin shpërthyer
Në pellgje të njoma gjaku
Mbi pirgje kufomash
Në ara e livadhe
Në korie e grykëmale ...
*
O Zot!
Ç'Diellmejt po lindte
Bashkë me dënesa bonjakësh
E gulçima Nënash të dhunuara ...
*
Dhe -
Kur u çel Qielli i Dardanisë
Të gjallët -
Rikthyen t? folmen e moçme
Me jehona Alpesh;
- A jeni njehë, ore-e!
- O, po ore, po-o-o!
Dhe filluan ta masin kohën
Me Shenja të Reja:
Para Rugovës dhe Mbas Tij!
________________
New York, 2 dhjetor
(Në ditëlindjen e Tij)