Regjisorja Mrika Krasniqi me filmin “Prova” për luftën e Kosovës - Bota Sot
Regjisorja Mrika Krasniqi me filmin “Prova” për luftën e Kosovës

Amerika

E premte, 19 tetor 2018

Regjisorja Mrika Krasniqi me filmin “Prova” për luftën e Kosovës

Nga: Ermira Babamusta, Nju Jork Më: 30 janar 2018 Në ora: 18:13
Filmi “Prova”

“Prova” është një film autor me metrazh të gjatë, me skenar, regji dhe producente Mrika Krasniqi, prodhim i kompanisë filmike amerikane “Nil Production”. Ikona legjendare e aktrimit shqiptar, i madhi Xhevat Limani luan rolin e protagonistit kryesor, përkrah Liza Hoxha. Filmi bën fjalë për gjyshin dhe mbesën e tij, të cilët mbesin të izoluar në bodrumin e një ndërtese gjatë bombardimeve të luftës së Kosovës.

Pasi merr vesh se vajzës (luajtur nga Liza Hoxha) ia kanë vrarë prindërit, gjyshi (luajtur nga Xhevat Limani, “Ikona e Aktrimit Shqiptar”) pëson një traumë dhe vendos të qëndroj në bodrum edhe pas përfundimit të luftës. Duke qenë profesor i artit dramatik ai krijon brenda bodrumit hapsira të ndryshme për të argëtuar mbesën e cila gjindet në karrocë invalidësh nga një aksident i pësuar më parë. Filmi i dedikohet rreth 20 mijë fëmijëve të Kosovës, prindërit e te cilëve u vranë në luftën e vitit 1999.

“Pasi lexova skenarin e Mrika Krasniqit m’u duk sikur roli ishte shkruar për mua. Kisha shumë pikëtakime me personazhin dhe dramën e tij të brendshme. Bëmë disa seanca provash me regjisoren dhe ramë dakord të futemi në fazën parapëtgaditore dhe me forca të përqëndruara filluam projektin. Puna hulumtuese me regjisoren ishte një eksperiencë e veçantë. Mrika ishte shumë kërkuese sa u përket skenave me partnerët, situatat e rënda me transformime të shpeshta psikologjoke si dhe në ritmin e brendshëm të veprimeve konkrete në rrafsh natyrshmërie dhe spontaniteti. Mendoj se kemi realizuar diçka të veçantë,” tha Xhevat Limani.

“E veçanta e këtij filmi ishte që për herë të parë po drejtohem nga një regjisore grua. Dhe kjo ishte pjesa më e bukur, Mrika është një regjisore e veçantë dhe me shumë energji, ajo dinte saktë të na tregonte se çfarë duhet të luajmë dhe të veprojmë. Shpresoj të kemi sa më shumë regjisorë të kategorisë sikur Mrika Krasniqi. Po ashtu, ka qenë privilegj që të jem përballë aktorit të madh Xhevat Limani. Në përgjithësi mund t’a quaj një eksperiencë e veçantë. Për në fund dua të them për diopin Ibër Deari që ka qenë një punë e palodhme për të, sepse shumë qartë na tregonte e na lehtsonte neve aktorëve që të jemi sa më shpirtnisht e të saktë para kamerës,” tha aktori Mirsad Abazi.

Rolet e tjera luhen nga aktorët e mirnjohur Mirsad Abazi dhe Julian Biba. Mirsad Abazi është aktor profesional në Teatrin Profesional të Kumanovës në Maqedoni. Njihet si aktor që din të luaj shumë bukur role të ndryshme, si heroin edhe antagonistin.  Mirsad Abazi tregoi një arritje të jashtëzakonshme si një aktor shumë i talentuar në filmat "A Long Way Home”, “My City Screams,” “Between Paradise and Hell” të cilat janë vlerësuar me shumë çmime në festival ndërkombëtare.

Julian Biba është një producent, skenarist dhe aktor i talentuar i cili jeton në Nju Jork. Karriera e tij ka qenë e mbushur me role të paharrueshme si Al Kapone në "Misteret në Muze" në Travel Channel. Gjithashtu ka marrë pjesë në serialin e njohur "The Americans", krijuar nga Joe Weisberg për FX. Si një skenarist i aftë, Julian Biba ka shkruar “Leap of Faith”, “The Bright Future”, "Paftuar", puna e të cilit është paraqitur në revistën e njohur "Inktip". Julian Biba ka përfunduar trajnimin profesional të skenaristit "ScreenwritingU" në Nju Jork.

Regjisorja dhe skenaristja Mrika Krasniqi po bashkëpunon për këtë projekt me filmbërësin e suksesshëm në shkallë ndërkombëtare, Ibër Deari, i cili merr pjesë në filmin “Prova” si Drejtor i Fotografisë. Regjisori, skenaristi, producenti dhe Drejtori i Fotografisë Ibër Deari u bë i njohur me filmat e tij Toka, A long Way Home, My City Screams, Last Confession, të cilat janë shfaqur në mbarë botën. Lindur në Maqedoni, me origjinë shqiptare, Ibër Deari u bë mjaft i famshëm në skenat ndërkombëtare, duke fituar disa çmime si, Artisti Më i Mirë, Regjisori Më i Mirë, Filmi Më i Mirë.

“Mrika me këtë skenar ka krijuar një botë të madhe me një vend shumë të vogël. Dy lokacione dhe aq shume veprime, aq shume aktivitet kjo, është mjeshtria e një artiste dhe regjisore te veçant që pata fatin të punoj. Ajo përveç skenarit të mirë dhe regjisures, ka arritur të krijoj edhe një ekipë shumë të mirë që ka mbajtur energji pozitive gjatë gjithë kohës së xhirimeve.

Aktori Xhevat Limani që kisha privilegj të punoj me të, një njeri dhe aktor fantastik. Pastaj aktorja e re Liza Hoxha, që mendoj shume shpejt do të vazhdoj edhe në shumë filma të tjerë. Dhe dy aktorët fantastik Mirsad Abazi dhe Julian Biba,” tha Ibër Deari.

“Unë pasi përfundova xhirimet e ketij filmi e pash se nuk kishin vetëm përfundimit e një filmi, por edhe përfundimet e një shkolle të re. Gjatë tërë kohës mësova edhe shume gjëra të reja, dhe po e kuptoj se kinemaja është një studim i përjetshëm dhe se asnjëhere nuk do përfundojmë së studijuarit. Filmi i dedikohet fëmijëve të luftës, dhe kjo eshte një arsye e fuqishme se ne vend që të përdoren armë, ne përdorim artin dhe kinemanë,” shtoi Ibër Deari.

Regjisorja, skenaristja, producentja Mrika Krasniqi është themeluese e kompanisë filmike “Nil Production”, artiste me renome ndërkombëtare, vlerësuar për kontributin e saj të madh dhënë në fushën e artit dhe biznesit. Mrika Krasniqi ka fituar disa çmime, si: Gruaja e Vitit nga Kongresi Amerikan, Artistja më e Mirë në Francë, Ambasadore e Paqes, Regjisorja Më e Mirë, Prodhimi Më i Mirë, Dokumentari Social Më i Mirë, Dokumentari Historik Më i Mirë. Krasniqi është organizatorja e dy eventeve të suksseshme në Amerikë, Java e Modës Shqiptare dhe Java e Filmit Shqiptar, tani riquajtur “International Filmmaker Festival of New York”.   

Aktori i mirnjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Ikona Xhevat Limani, bashkë me aktoren e re 12-vjeçare Liza Hoxha portretizojnë dy personazhe mjaft interesante, shkruar nga Mrika Krasniqi. Skenari i filmit “Prova” përcjell te publiku luftën psikologjike dhe shpirtërore që përballet gjyshi dhe mbesa përballë traumave dhe vështirësive përjetuar nga lufta. Të izoluar në bodrum, dy protagonistët e përkryer Xhevat Limani dhe Liza Hoxha sjellin dimensione të ndryshme të përvojës dhe emocioneve njerëzore.

Drejtori i Fotografisë, Ibër Deari ka arritur të sjellë fuqishëm në ekran emocionet e forta të aktorëve, dhe vizionin e regjisores Mrika Krasniqi. Kompania “Nil Production” ka deklaruar se xhirimi i filmit “Proof” është bërë në Nju Jork.

 “Surprizë për mua ishte drejtori i fotografisë Ibër Deari i cili kishte shumë gjetje që nga groplanet e deri tek planet totale në një mini-hapsirë të ideuar në mënyrë të shkëlqyer nga skenaristja dhe regjisorja Mrika Krasniqi e cila me këtë film të gjatë do trokasë bindshëm nëp?r festivale dhe pse edhe të mos triumfojmë. Jam i bindur s’e kam realizuar një protagonist tejet poliedrik që mund të lë gjurmë. Mendoj se filmi “Prova” është filmi i parë ndër shqiptarët e Amerikës dhe shënon një akt dhe nivel të avancimit të statusit kulturor të Diasporës,” u shpreh aktori legjendar Xhevat Limani. 

“Liza Hoxha është nxënëse e klasës së VI- në shkollën amerikane në Prishtinë (American School of Kosova) vajza e Ardian dhe Era Hoxha, përndryshe mbesa ime në jetë dhe në film, ku njihet si Dea. Përveç që është nxënëse e shk?lqyer Liza ka talent edhe për aktrim, dizajn dhe pikturë. Përcaktimi i regjisores për Lizën në rolin e Dea-s kishte avantazh raportet tona gjysh-mbesë nga jeta në film. Talenti i Liza Hoxhës do të evidentohet gjithsesi në film,” shtoi Xhevat Limani, protagonisti i filmit Prova.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test