Një jetë prej misionari, për kohën dhe bashkëkohësit… - Bota Sot
Një jetë prej misionari, për kohën dhe bashkëkohësit…

Amerika

E premte, 19 tetor 2018

Një jetë prej misionari, për kohën dhe bashkëkohësit…

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 19 maj 2018 Në ora: 23:55
Ramazan Vladi

Rrugët e jetës janë të shumta e plot zigzake, here-herë në to shpërthejnë furtuna e rrebeshe, here-herë ndrit dielli ngazëllyes i premtimit dhe përmbushjes, por gjithësesi, kur në to shkelin njerëz me besim në vete dhe me parime në jetë, ata kthehen në udhë dashurie dhe përkushtimi për nejrëzit dhe kohën e tyre.

Edhe pse Ramazan Vladi dalëngadalë tashmë po shtyhet drejt pleqërisë së thellë, fytyra e tij e pastër dhe e ngazëllyer nga kujtesa, ku mirësia duket si një stampë e mirënjohur, e tregon ende të ri dhe të fortë. Vitet e shumtë mbi supe, pesha e një jete të jetuar me punë e përkushtim, dinjitet dhe besnikëri, jo vetëm nuk ia kanë zbehur vështrimin dhe fjalën, por iu kanë dhënë më shumë kuptim të thënave, kujtesës dhe bëmave të tij.

Një jetë e jetuar mes njerëzve, nga punëtor i thjeshtë në majat e pushtetit të kohës, mes sfidave të njëpasnjëshme, që e bënë më të pjekur, më të fortë, më të devotshëm. Kjo është jeta e një njeriu që ëndrrat i ka bërërealitet dhe tani, në moshën e tretë, teksa iu afrohet të tedhjetave, iu kthehet kujtimeve, rron me kujtimet, për të dëshmuar mirënjohje dhe dashuri, për të dëshmuar në fund të fundit, se ekzistenca njerëzore nuk do të kishte asnjë shenjë pa këto kujtime të shkruara e të përcjella nga brezi në brez.

Jeta e këtij njeriu përcjell një mesazh të madh për të gjithë njerëzit e për të gjitha kohët: njeriut ia rrit vlerën jo fjala e bukur, por veprimi i bukur. Njeriun e bën të gëzojë reputacion mes njerëzve të tjerë jo uni, të bërit e gjoksit gropë, ose autolëvdatat, por fakti se çfarë arrin të bëj ai për ata që e rrethojnë, për ata që besojnë tek fjala dhe veprat e tij.

I lindur në Pregj-Lurë të Dibrës, më 10 mars 1940, Ramazan Vladi, pasi mbaron shkollën fillore me të gjitha dhjeta, për pak kohë do të drejtojë për disa kohë kurset kundër anlabetizmit në fshat e më gjërë, detyrë të cilën e kreu me sukses për të vazhduar më tej për nevoja ekonomike familjare  rrugëtimin e tij të jetës si punëtor krahu në Ulz të Matit, më tej në minierën e bakrit Kurbnesh, e cila sapo pati nisur sprovën e prodhimit të këtij minereali të çmuar, ku e ckatuan magazinier turni. Mirënjohja e këtij burri të maleve, rrahur me vaj e uthull në jetë, shkon ndaj përgjegjësit të kësaj miniere Gjon Zogut, që e deshi si ta kishte djalë dhe e ndihmoi për të përballuar vështirësitë e punës në minierë, që mbi të gjitha ishte një punë me njerëzit.

Këtu, në këtë kantier të madh pune ndërtimtarie e prodhimtarie, iu dha mundësia të vazhdonte shkollën shtatë-vjeçare, për të vijuar pak më vonë dhe shkollën e mesme Elektro-mekanike, për të kulmuar në vitin 1971, kur në moshën tridhjetë e një vjeç mbaron Shkollën e Lartë të Partisë, në Tiranë.

Para djaloshit Lurian plot ëndrra dhe pasione të përkushtuara për jetën, dyert e kësaj të fundit po hapeshin me shpejtësi, duke mundësuar promovimin e një kuadri të ri, që gjithnjë do të rritej në sytë e vetes, të familjes, të opinionit publik dhe të strukturave partiako-shtetërore të kohës. Kishte punuar orar e pa orar, kishte sakrifikuar gjumin dhe ëndrrat rinore për hir të një ëndrre më të madhe, ëndrrës për t’u shkolluar, t’u bërë dikushi në jetë, një njeri me vlera për kohën dhe bashkëkohësit. Kështu nëpërmjet praktikës në punë dhe kurseve të kualifikimit arriti nivelet më të epërme të kualifikimit, kategorinë e shtatë si mekanik si dhe të merrte zanate të tjera si moto-kompresorist, eksavatorist, duke bërë që të dallohej në minierë për sedër në punë, talent dhe përkushtim në kryerjen e të gjitha punëve që iu ngarkuan.

Për shkak të angazhimeve të tij politiko-shoqërore, falë shpirtit të iniciativës dhe rezultatave në detyrat e ngarkuara, zgjidhet sekretar rinie në Minierën e Kurbneshit. Më tej emërohet Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mirditë dhe kulmoi me emërimin në postin e drejtorit të gjeologjisë së Rubikut.

Ishte viti 1972, kohë kur Byroja Politike do të merrte në analizë problemin e disiplinës proletare në punë, në katër ndërmarrjet ekonomike më të rëndësishme të vendit, si të Minierës së Bakrit Kurbnesh, Ndërmajes së Ndërtimeve Industraile Laç, Hidrocentralit të Fierzës dhe Kombinatit Metarlugjik Elbasan, ku si përgjegjës I brigadës mekanike, pararojë dhe anëtar i Byrosë së rrethit Mirëditë ishte ftuar për të raportuar dhe Ramazan Vladi.

Ky ka qenë një nga takimet e tij më emocionuese dhe më fatlume. Në atë takim mbreslënës ishte vetë Udhëheqësi, shoku Enver Hoxha. Fjalën do t’ia jepte vetë Enver Hoxha, duke respektuar punën e vështirë në frontin e minerave dhe atij, birit Lurian të përkushtuar në betejën e madhe për mineralin, do t’i hapej një horizont i ri në rruëgtimin e vështirë të një kuadri që kishte në lëkurë vetë pulsin e kohës së tij. Problemet që ai ngriti, bënë që vetë udhëheqësi ta përgëzonte dhe ky ishte takimi i tij i parë me Enver Hoxhën, me të cilin do të fliste sy më sy e ballëpërballë, ashtu siç kishte ëndërruar deri atëherë.

Në gusht të vitit 1975 e thirrën në Aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, ku shoku Hysni Kapo, ish Sekretar i KQ të PPSH në atë kohë, i komunikoi emërimin në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gjeologjisë së Shqipërisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Minerave Tiranë. Vite të gjata pune e studimi, përkushtimi e novatorizmi, netët mbi libra dhe literaturë, kurset dhe kualifikimet e pafund, nuk kishin vajtur dëm, por qenë kurorëzuar me një arritje madhore: ai do të ishte kryetitullari i Minierave të vendit të tij! Pesha e emocionit dhe sfidës shkonin në të njëjtën trajektore, ndërkohë që përgjegjësia përdetyrën ishte tepër e madhe…

Në bashkëpunim me kolegë të talentuar, vartës dhe eprorë të zotë, që e kosnideronin minierën si shtëpinë e tyre, ai në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm kreu një reform të thellë administrative e njerëzore, për ta vënë më në efiçensë këtë sektor të vështirë dhe jetik për ekonominë kombëtare. Në këtë detyrë të rëndësishme pati rastin të komunikonte me figurat më elitare partiake dhe shtetërore të kohës, ku do të veçonte takimet me kryeministrin Mehmet Shehu, i cili ishte tepër i angazhaur për sektorin e gjeologjisë dhe minierave të vendit. Rezultatet shumë të larta në krom, bakër, qymyr, hekur-nikel, polimetale, në bokside, ku u punua me efikasitet në vendburimet ekzistuese dhe u hapën vendburime të reja, kishin vulën e mendjes dhe punës së tij këmbëngulëse, ishte frut i talentit të tij për të drejtuar.

Për të gjitha këto rezultate, Ramazan Vladi do të dekorohej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhër të Klasit të Parë për Shërbime Shquara në Miniera e Gjeologji. Komuna Lurë gjithashtu I ka dhënë vlerësimin e saj më të lartë “Qytetar Nderi i Lurës” Një vlerësim të lartë pozitiv do të merrte edhe nga Byroja Politike e KQ të PPSh dhe Enver Hoxha, kur ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë qenë thirrur në analizë mbi perspektivën dhe arritjet në sektorin e gjeologjisë në shkallë republike. Fjala e tij u duartrokit gjatë dhe kur do të ulej në vend, kryeshefi I PPSh, Enver Hoxha do t’i drejtohej Pali Miskos, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Industrisë dhe Minierave: “Të lumtë Pali! Ke ditur kë të vesh në krye të shërbimit gjeologjik!”…

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të punës së tij përkushtrimtare në sektorin e gjeologj-minierave, do të ishte pjesëmarrja në Kongresin e 100 vjetorit të Shërbimit Gjeologjik Botëror, që u mbajt në kryeqytetin e Francës në Paris, nga data 5 deri 26 korrik 1980. Ishte hera e parë që shkelte në një tokë të huaj dhe për më tepër gjendjej në një mjedis elitar, ku merrnin pjesë liderë  botërorë si Fransua Miteran e të tjerë.

Kur iu kthehet gjurmëve, gjithçka i duket sikur ka ndodhur dje, teksa në ekranin e kujtesës koha pjesëtohet me orë e çaste dhe rikthehet në mendjen e tij, në shpirtin e tij të etur për mirënjohje, në trajtën e falenderimeve të pafundme, për këdo që ka thënë një fjalë e të mirë e ka vendosur një gur sado të vogël në themelet e karrierës së së tij.

Ramazani me bashkëshorten e tij Vasilika kanë tre fëmijë, dy djem, Eduardin dhe Vladimiri dhe një vajzë Ajshen, Eduardi dhe Ajshja jetojnë familjarisht në SHBA, kurse Vladimiri jeton familjarisht në Greqi.  Sot ata ecin kokelartë dhe krenarë nën gjurmit e atit të tyre me punë e vullnet . Duke u ndier krenarë për prindërit e tyre, por njëkohësisht duke i bërë edhe ata të ndjehen mirë dhe të kenë një ngohje në shpiritin e tyre.

Ramazan Vladi është shembulli i njeriut, që pa asnjë mbështetje tjetër, përveç punës së tij, ia doli që nga punëtor i thjeshtë të ngjitej në shkallët më të larta të pushtetit ekzekutiv të kohës, por kudo, në çdo punë e post, në çdo detyrë e mision, me zemër në dorë u bë një lloj misionari për kohën, për të bërë më të mirën e mundshme për njerëzit që kishin nevojë për të, për vetë kohën dhe bashkëkohësit e tij.

 Çfarë vlente dje, vlen sot dhe sigurisht që do të vlejë edhe nesër…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test