Për mbylljen e konfliktit kolonial mes Serbisë dhe Kosovës (1912-2019) ekizstojnë vetëm këto dy opsione paqësore: (A) Njohja e së drejtës historike dhe legjitime e shqiptarëve (mbi 90%) mbi Kosovën si pjesë natyrale gjeopolitike territoriale e Shqipërisë Etnike nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, duke u bazuar në parimet dhe në normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashskuara dhe (B) Lëvizja e popullsisë, e shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe Medvegjës në Kosovë, si dhe e serbëve të Kosovës në Serbi.
Tjetër zgjidhje paqësore nuk ekziston, sepse Kosova nuk do të pranojë kurrfarë skenari politik të Serbisë për ndarjen e territorit të Kosovës, pavarësisht se për çfarë “modelesh dhe modalitetesh” kanë biseduar presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi kohëve të fundit gjoja për një “korrigjim të lehtë të kufijve territorialë” mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo “formulë” nuk ka gjasë që të jetësohet në Kosovë.
Skenarët politiko-propagandistikë të Serbisë, tanimë të publikuar me nga 17 e 20 pika për copëtimin dhe për serbizimin e Kosovës, vetëm një “fontanë” e dëshirave dhe e iluzioneve të shkreta të Serbisë për ripushtimin e Kosovës shqiptare
Pra, të gjithë skenarët e publikuar kohëve të fundit në masmediat dhe në “projektet studimore” të Beogradit gjoja për “zgjidhjen e statusit” të Kosovës sugjerojnë rikolonizimin dhe serbizimin e Kosovës. Asgjë më pak e as më shumë. Prandaj si qeveria, kuvendi, ashtu edhe mbarë populli shqiptar i Kosovës nuk duhet pranuar asnjërin prej tyre për të arritur ndonjë kompromis politik me Beogradin në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2019) dhe, në asnjë dialog a multidialog tjetër me Serbinë, se do të ishin fatalë dhe me pasoja të rënda dhe të pakorrigjueshme.
Kohëve të fundit, si në sfondin e politikës brendshme serbe dhe shqiptare, ashtu edhe në atë të politikës ndërkombëtare, po debatohet me të madhe se viti 2019, gjoja do të jetë vendimtar për “zgjidhjen përfundimtare” të statusit të Kosovës. Në këtë kontekst, zhurmën dhe “pluhurin” më të madh janë duke e ngritur forcat e errëta dhe retrograde të politikës dhe të propagandës së “regjimit demokratik proevropian” të Serbisë së Aleksandar Vuçiqit (president), të Ivica Daçiqit (nënkryeministër dhe ministër i Jashtëm) dhe të Ana Bërnabiqit (kryeministre), kryefigura qendrore, të cilat dhjetëra e dhjetëra herë kanë deklaruar zyrtarisht se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, kohëve të fundit duket se kanë evoluar politikisht, duke arritur në një mendje të përbashkët që në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2019), të bëjnë një kompromis politik me palën negociuese kosovare, duke i propozuar “shkëmbin territorial” mes Serbisë dhe Kosovës.
Këtë ofertë zyrtare të Beogradit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka pranuar dhe, siç bëjnë të ditur masmediat këtë e ka debatuar me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në takimet e tyre të fshehta.
Mirëpo, shqiptarët e Kosovës nuk duhet të pranojnë asnjë skenar të dalë nga “laboratorët kërkimorë”, thënçin analitikë studimorë të “specialistëve” të Beogradit dhe të Prishtinës, që do të shpiente në shkëmbimin, përkatësisht në ndarjen dhe në copëtimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, sepse sipas këtij skenari fatkeq të imponuar, Kosova do të gjymëtohej territorialisht, gjeopolitikisht, gjeostrategjikisht, ekonomikisht dhe demografikisht. Ky do të ishte fundi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte forma e “kolonizimit modern” nën Serbinë “demokratike evropiane” !
Prandaj, as Hashim Thaçi si president i Kosovës, as “hasa e as hysa” (si vasalë të tij) nuk kanë asnjë të drejtë morale dhe ligjore që ta apelojnë popullin për të fituar mbështetjen e tij legjitime për “shkëmbimin e territoreve” të Kosovës në favorin e zgjerimit territorial të Serbisë kolonialiste (1912-1999).
Këtë, në asnjë formë nuk duhet pranuar asnjë shqiptar në Kosovë, sepse do të bënte vetëvrasje edhe politike, edhe ekonomike, edhe kombëtare, edhe shtetërore, sepse humbja e territorit të pasur verior të Kosovës (Trepça e artë dhe Liqeni i Ujëmanit si asete ekonomiko-strategjike me interes nacional dhe shtetëror), shqiptarët, do t’i rrudhëte edhe demografikisht, duke qenë të detyruar të emigronin në shtetet fqinje, europiane dhe botërore për të siguruar ekzistencën e tyre sociale dhe jetësore (bukë, strehë dhe shpëtim nga varfëria, nga papunësia dhe nga pasiguria si rrjedhim i sundimit të huaj kolonial serb).
Opcioni serb i ndarjes territoriale të Kosovës, sipas të cilit “zgjidhja më optimale” do të ishte “ndarja territoriale” e Kosovës !?
Si në aspektin “metodologjik-shkencor”, ashtu edhe në atë “faktik-politiko-juridik” politika zyrtare e Serbisë (e instruktuar dhe e mbështetur direkt nga projektet e vjetra serbomëdha të Kishës Ortodokse Serbe), arritjen e një zgjigjjeje të këtillë absurde, antidemokratike dhe antiligjore ( në disfavor të së drejtës historike të popullit shqiptar), e konsideron përmes : (1)decentralizimit të pushtetit; (2) rajonizimit; (3) kantonizimit dhe 4) federalizimit serbo-ndërkombëtar në thelb, të gjitha këto 4 opsione nënkuptojnë ndarjen territoriale dhe administrative të Kosovës-krijimin e entitetit politiko-juridik, administrativ dhe kushtetues serb në Kosovë, sikurse ai i “republikës serbe” në Bosnjë e Hercegovinë (si pasojë e Marrëveshjes së theksuar të Dejtonit,1995).
Edhe pse kjo ide e Projektit të Serbisë së Madhe ndaj përthithjes së territorit indigjen të Kosovës është kundërshtuar nga politika amerikane, nga politika shqiptare si dhe nga disa “zëra” zyrtarë të Bashkimit Evropian( Gjermania dhe Britania e Madhe), rreziku për jetësimin e saj në praktikë ende nuk është evituar, për shkak se ky qëllim po synohet të arrihet edhe përmes formave dhe “teknikave” të tjera të politikës dhe të strategjisë integruese të BE-së, që në esencë, kanë për qëllim që me çdo kusht të përjashtojnë Amerikën si aktorin kryesor në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Edhe pse kërkesa e Serbisë për ndarjen e Kosovës përputhet me instrumentet e përshtatshme të BE-së (decentraliizimi, kantonizimi , rajonizimi dhe integrimi), kjo është iracionale dhe e papranueshme për shqiptarët, sepse krijimi i entitetit politik të “republikës serbe” të Bosnjë-Hercegovinës, nuk mund të merret si model për zgjidhjen e statusit të Kosovës ngase kjo historikisht dhe territorialisht i përket Shqipërisë Etnike, e cila që nga viti 1912 është copëtuar, aneksuar dhe kolonizuar me forcë dhe me gjenocid nga Serbia dhe Mali i Zi, të ndihumara drejtpërdrejt nga Fuqitë e Mëdha imperialiste të Evropës.
Me një fajlë, nëse Prishtina dhe Beogradi mund të bijnë në ujdi për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht të territoreve të tjera shqiptare, të cilat edhe sot ndodhen nën sundimin e sovranitetit kolonial të Serbisë, atëherë, mirëfilli, ekziston mundësia që arritja e një marrëveshjeje të tillë dypalëshe shqiptare-serbe nuk do të kundërshtohej nga Bashkimi Evropian (BE-ja), edhe pse ky shembull nuk është i parashikuar si interes prioritar i politikës dhe i strategjisë së objektivave të BE-së.
Mirëpo, në rastin konkret të zgjidhjes së statusit kolonial të Kosovës, ky shembull i këtillë (si përjashtim i poltiikës integruese të BE-së) është një utopi e shkretë, që vetëm mund të imagjinohet ngaqë nuk ekziston asnjë element real shpresëdhënës, që reflekton se pala serbe në mënyrë paqësore dhe të arsyeshme, do të pranonte, që të hiqte dorë nga “plaçka koloniale” e saj qindravjeçare. Ky është vetëm një iluzion dhe spekulim i pa fre politik në favor të statu-quo-së së Kosovës, përkatësisht të territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike me të njëjtin status kolonial.
Në anën tjetër, formula famëkeqe, e ashtuquajtur “ndarja e Kosovës” synohet të arrihet edhe përmes mjekimit paliativ paqësor, pa opercaion kirurgjik të kolonializmit kronik të konfliktit serbo-shqiptar, e kjo është zgjedhja e terapisë më të gabuar-standardet decentralizuese, të cilat, tanimë, BE-ja ia ka imponuar palës shqiptare kinse për ta shpëtuar minoritetin serb nga “ diskriminimi i pushtetit shtetëror centralist dhe autoritar” i shqiptarëve në Kosovë, i cili si i tillë nuk figuron as në aspektin doktrinar, as në atë praktik në Kosovë, por është i tirlluar dhe i atribuar si nga politika propagandistike shoviniste serbomadhe, ashtu edhe nga kanonierat e qendrave të vendosjes së diplomacisë ndërkombëtare.
Mbi këtë bazë BE-ja gjithnjë e më shumë po e mbështet decentralizimin dhe rajonizmin, koncepte politike këto, që pa dyshim do të ndikonin në krijimin e “shtetësisë funksionale” të Kosovës, që do të ishte me status të dyfishtë të ndërvarësisë si nga ana BE-së, ashtu edhe nga ana e Serbisë: “multietnike, multipluraliste dhe integraliste“, por nën protektoratin administrativ, politik, juridik, financiar dhe ekonomik të BE-së, dhe nën protektoratin e sovranitetit të pashlyerë kolonial serbomadh.
Pra, përfshirja e Kosovës në kuadrin e agjendave integruese të BE-së, gjithësesi është për t’u përshëndetur dhe çmuar nga politika shqiptare e Kosovës, por vetëm nëse Kosova aderon në të si shtet i pavarur në cilësinë e subjektit juridik ndërkombëtar, e jo si “shtet funksional”-koloni moderne e Serbisë në vagonin e fundit të trenit integrues ervoperëndimor, përkatësisht si krijesë vazale në agjendën integruese rajonale të Ballkanit Perëndimor, ku fjalën kryesore, do ta ketë politika pushtuese dhe gjenocidale e Serbisë së Madhe, e jo as Shqipëria si shtet më vete, e as Kosova me status kolonial serbosllav. Pavarësisht, se hëpërhë politikat shqiptare, (sikurse edhe ato të shteteve në Evropën Juglindore) janë të preokupuara me rrjedhat e transicionit dhe të integrimeve në Evropë, për asnjë moment nuk duhet të ushqejnë iluzione të rreme, se “ballkanzimi perëndimor” integrues, do t’iu sjellë favore dhe avantazhe të caktuara drejt zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.
Përkundrazi, do t’iu sjellë telashe dhe kokëçarje të mëdha sikurse politika strategjike e Fuqive të Mëdha imperialiste të Evropës së viteve 1878; 1912-1913; 1919; 1945, e cila ishte në anën e politikës pushtuese dhe kolonialiste të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë në kuriz të trojeve etnike shqiptare (50%), të cilat, edhe sot në erën e intgerimeve dhe proceseve demokratike të Evropës moderne kanë po të njëjtin status kolonial, gjë që kjo është në kundërshtim si me parimet dhe me qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, me të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe me vlerat dhe me standardet e noveluara të rendit të ri botëror, i cili në thelb, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik integrues, i kosnideron si vlera universale për gjithë njerëzimin. Në këtë kontekst, do të ishte akt johuman, i padrejtë dhe antiligjor, po qe se nga ky universalisëm, do të përjashtohej vetëm populli shqiptar në Ballkan, duke i mohuar të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtën e ligjshme historike mbi rikthimin e territoreve të tij nën jurisdiksionin dhe sovranitetin e Shqipërisë Etnike.
Në këtë vështrim, rolin kryesor, duhet ta kenë luajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse roli i deritashëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është në diskurs të plotë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe plotësisht është kompatibil me kursin diplomatik të BE-së dhe me ineteresat e politikës kolonialiste të Serbisë në kurriz të së drejtës së vetëvendosjes dhe të pavarësisë së Kosovës.