A mjafton trajtimi që ofrohet në Kosovë për përdoruesit e substancave narkotike?

Analiza

A mjafton trajtimi që ofrohet në Kosovë për përdoruesit e substancave narkotike?

Nga: Blinera Pajaziti Më: 8 qershor 2023 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Që një person i varur nga substancat narkotike t’i ndalojë ato dhe t’i rikthehet jetës normale, duhet një trajtim i mirëfilltë dhe i gjatë, me muaj e mbase vite. Megjithatë, mundësia që ofrojnë institucionet shtetërore në Kosovë për trajtimin e tyre, është shumë e limituar. Në veçanti, duke pasur parasysh numrin e madh të përdoruesve, që sipas të dhënave nga organizatat, është mbi 40 mijë. Të mos harrojmë faktin se ka shumë të tjerë që nuk trajtohen e nuk janë të regjistruar në ndonjë qendër këshillimi apo rehabilitimi. Në njërën anë, kemi nivelin në rritje të substancave narkotike e, në anën tjetër, angazhimi jonë është minimal.

Por çfarë kushte trajtimi ofrohen në Kosovë dhe çfarë kushte dhe kapacitete kanë? Në Kosovë nuk ekziston asnjë qendër rehabilituese apo klinikë që do të ofronte shërbime të specializuara dhe gjithëpërfshirëse për personat përdorues apo të varur nga substancat narkotike. Pothuajse të gjithë përdoruesit që dëshirojnë të largohen nga kjo dukuri, detyrohen të trajtohen në një shtet tjetër. Përmes një strategjie që Qeveria e Kosovës kishte miratuar për periudhën kohore 2012-2017 në kuadër të drogave, ishte paraparë edhe krijimi i qendrave rehabilituese, mirëpo kjo nuk ka ndodhur deri në ditët e sotme.

Ndërkaq, Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit 2021, nuk ka në programin e saj qeverisës ndonjë pjesë që flet për luftimin e kësaj dukurie. E gjithë procedura, u ka mbetur në dorë qytetarëve apo organizatave joqeveritare që tu dalin në ndihmë këtij grupi që është në numër mjaft të madh. Aktualisht në vend nën menaxhimin e institucioneve shëndetësore të Kosovës ekziston vetëm Klinika e Neuropsikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilën trajtohen personat që kanë probleme akute nga varësia e drogës. Sipas informacioneve të fundit që janë dhënë nga kjo klinikë, ajo ka një kapacitet shumë të vogël, apo më saktësisht, vetëm gjashtë shtretër.

Përdoruesit e substancave narkotike, mund ta bëjnë rehabilitimin në Klinikën Psikiatrike, me qëndrim dy javor, por nuk ka programe rehabilituese apo përcjellje për ta. Disa qendra tjera që ndihmojnë në trajtimin e personave përdorues të substancave narkotike janë edhe Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Qendra “Streha” dhe Qendra këshilluese “Rijeta”. Qendra “Labyrinth” është një organizatë jofitimprurëse e cila është themeluar në vitin 2002. Kjo qendër merret me parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga drogat dhe alkooli. Në kuadër të qendrës “Labyrinth” funksionojnë tri qendra: Qendra në Prishtinë me njësitë në Gjilan dhe Prizren. Kjo qendër ofron programe ditore, nga mbështetja psiko-sociale deri te terapitë grupore.

Sektori i trajtimit, i cili përbëhet nga profesionistë të fushës së mjekësisë dhe psikologjisë, përfshin këshillim, psikoterapi, farmakoterapi, terapi mbajtëse me metadon, detoksikim ambulantor për drogat opiate, si dhe teste të shpejta të detektimit të drogës në organizëm. Çdo vit janë mbi 2500 përdorues vetëm të regjistruar, derisa ka edhe shumë të tjerë që nuk regjistrohen fare. Kjo qendër deri më tani nuk ka pasur mbështetje financiare nga shteti. Financat i ka kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë. “STREHA” është gjithashtu një tjetër qendër e themeluar në vitin 2007 që gjendet në Gjilan. Në këtë qendër terapia zgjatë përafërsisht 12-18 muaj. Detoksikimi, paraprakisht duhet të bëhet para se të pranohet në STREHË. Secili prej pjesëmarrësve duhet të nënshkruajë kontratën e terapisë dhe t'i përmbahet rregullave të shtëpisë. Synimi i kësaj qendre është që përdoruesit e substancave narkotike të shkëputen nga to përmes punës dhe jo përmes barnave. Disa nga aktivitetet e qendrës STREHA janë: kursi saldimit, puna në serra, aftësim në zdukthtari dhe puna në fabrikë. Kjo qendër posedon 1 hektar tokë, ku rriten misër, fasule dhe grurë. Një serrë e madhe, ku rriten marullat në dimër e pranverë dhe kryesisht tranguj turshi në verë.

Po ashtu, kanë edhe një firmë të paketave që quhet Streha-Pak. Aty prodhohen paketa në masa të ndryshme për Pica dhe gjëra të tjera. Adresë tjetër është Qendra këshilluese „Rijeta“ në Ferizaj, qendër që u del në ndihmë përdoruesve të drogës e familjarëve të tyre. Në këtë qendër ofrohen shërbime si konsultime, psikoterapi individuale, psikoterapi grupore, vetëdijesim dhe ligjërata, shërbime këto që bëhen në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë. Numri i përdoruesve që janë shkëputur nga droga pas trajtimit në këtë qendër është mbi 30, megjithatë numri i atyre që kërkojnë ndihmë është shumë më i lartë se kapaciteti i kësaj qendre. Përveç anës psikologjike që u ndihmon vetë kjo qendër, po nga kjo qendër përdoruesit stimulohen që të vazhdojnë trajtimin jashtë vendit, nëse ata kanë mundësi.

Kjo qendër nuk financohet nga shteti, e po të mos ishin donatorët e tjerë, kjo qendër nuk do të kishte mundësinë të vazhdonte të funksiononte. Pra, të gjitha këto qendra që gjenden në Kosovë, nuk financohen nga shteti dhe funksionimi i tyre varet nga donatorët. Dhe përveç kësaj, kapaciteti i tyre është shumë i ulët e pothuajse i pamundur për të arritur në shkëputjen e plotë nga substancat narkotike. Ajo çfarë u ofrohet përdoruesve të drogës momentalisht këtu, është minimale me atë çfarë atyre u nevojitet. Kështu, duke pasur parasysh edhe numrin e tyre që është vazhdimisht në rritje, krijimi i një institucioni shtetëror për trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike është një nevojë urgjente për vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat