Madeleine Albright mbi autoritarizmin dhe luftën kundër virusit - Bota Sot
Madeleine Albright mbi autoritarizmin dhe luftën kundër virusit

Analiza

Madeleine Albright mbi autoritarizmin dhe luftën kundër virusit

Nga: Madeleine Albright Më: 3 qershor 2020 Në ora: 12:38
Madeleine Albright

Amerika duhet të ri-angazhohet me pjesën tjetër të botës për të rikthyer besimin në të ardhmen

Në filmin e vitit 1951, “Dita kur Toka u ndal”, vizitorët nga gjithësia (kozmosi) kërcënojnë të shkatërrojnë planetin tonë nëse Lindja dhe Perëndimi nuk bien dakord të ndalojnë rivalitetin e tyre të rrezikshëm ushtarak. Si ilustrim, qytetarët e huaj e drejtojnë paralajmërimin e tyre te shkencëtarët nga të dy palët, në të cilët ata kanë më shumë shpresë se tek politikanët. Njerëzimi mund të shpëtohet, sugjerojnë ata, vetëm nëse qeveriset nga arsyeja e shëndoshë; një ndërgjegjësim i një qëllimi të përbashkët duhet t’i tejkalojë pasionet fisnore.

Në fund të vitit të kaluar, një virus i vogël filloi të transmetojë një mesazh të ngjashëm. Si përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u kërkoi luftëtarëve kudo që ishin t’i pezullonin konfliktet e dhunshme. “Duhet të ketë vetëm një luftë në botën tonë sot,” tha ai, “lufta jonë e përbashkët kundër COVID-19.”

Deklarata elokuente e Z. Guterres gjeneroi më shumë mbështetje verbale sesa ndaljen e luftimeve. Askush nuk u befasua nga kjo gjë. Përgjatë historisë, njerëzit kanë shfaqur një tendencë dëshpëruese për përballje atëherë kur logjika e shëndoshë do të thoshte se ata duhen bërë bashkë. Dhe vitet e fundit, shumë krerë qeveritarë janë distancuar nga i gjithë koncepti i bashkëpunimit global.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është më i zjarrti midis një grupi telashexhinjsh hiper-nacionalistë që thonë se ndërvarësia është një iluzion i krijuar nga intelektualët për të shkatërruar sovranitetin e shtetit dhe për t’ua plaçkitur njerëzve identitetin e tyre. Kjo tezë është e pakuptimtë, por mund të jetë politikë e dobishme. Në vend të frenimit të pasioneve fisnore, këta oportunistë shfrytëzojnë frikën e ndjekësve të tyre për të rritur fuqinë e tyre.

Bota po paguan një çmim të lartë për këto skajshmëri autoritare. Nuk është rastësi që pandemia filloi në një vend ku qeveria nuk ka besim te njerëzit e saj, shtyp rrjedhën e lirë të informacionit dhe parandalon që zyrtarët e saj, përfshirë profesionistët shëndetësorë, të flasin të vërtetën.

Nuk është gjithashtu rastësi që shumë prej vendeve që janë përballur efektivisht me virusin janë demokraci të forta, përfshirë Gjermaninë, Islandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Tajvanin dhe Finlandën (të gjitha këto vende të udhëhequra, siç po ndodh, nga gratë). Këto dhe shembuj të tjerë tregojnë se rrjedha e lirë e informacionit, debati i bazuar në fakte mbi opsionet e politikave, vetë-organizimi vullnetar i shoqërisë civile dhe angazhimi i hapur midis qeverisë dhe njerëzve janë pasuri esenciale në luftimin e pandemisë.

Për të qenë të sigurt, kur përballemi me emergjencë shëndetësore publike ne kemi nevojë që qeveritë të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur të mirën e përbashkët. Nuk është antidemokratike të mbyllësh shkolla dhe restorante, të kufizosh masa njerëzish, të menaxhosh udhëtimet, të urdhërosh prodhimin e pajisjeve mjekësore dhe të ngjashme. Sidoqoftë, ekziston një dallim i qartë midis përdorimit të fuqisë dhe abuzimit të tij. Kryeministri i Hungarisë, për shembull, e ka mirëpritur këtë krizë për të anashkaluar parlamentin dhe për të kufizuar lirinë e mediave.

Nëse lihen të pakontrolluara, praktikat e tilla do të dëmtojnë demokracinë në të gjithë botën. Kjo na përkujton shumë fillimet e viteve ’30 kur Depresioni i Madh minonte besimin në qeveritë konvencionale dhe pasioni nacionalist çoi në vrasjen e miliona njerëzve.

Demokracitë dhe demokratët “d” të vogël (një person që mban pikëpamje demokratike; jo domosdoshmërisht dikush që është anëtar i “Partisë Demokratike” të një shteti) në çdo shoqëri duhet të alarmohen para këtij kërcënimi. Ne duhet fuqishëm të konfirmojmë vlefshmërinë e qëndrueshme të të drejtave dhe lirive të fituara me shumë vështirësi. Ne duhet të shpërfaqim përpjekjet për të përdorur emergjencën aktuale si një arsyetim për të shkaktuar dëme të përhershme në institucionet demokratike. Më tej, ne duhet të punojmë bashkërisht për të arritur atë që asnjë vend nuk mund ta realizojë vetë – fitoren ndaj virusit.

Një nga rreziqet e mëdha të paraqitura nga liderët autoritarë është se ata kërkojnë legjitimitet duke kërkuar monopol aftësish dhe muskujsh, të nevojshme për të mbrojtur shtetet e tyre. Kjo iu lë atyre më pak mundësi sesa homologët demokratikë qe të pranojnë, e lëre më të nënvizojnë, vlerën e bashkëpunimit me të tjerët. Përkundrazi, ata i trajtojnë apelet për mirësjellje ndërkombëtare si shenja të dobësisë ose tradhtisë.

Mirëpo pandemia na përkujton se bota moderne kërkon udhëheqje të fortë në çdo nivel. Për të arritur sukses kundër virusit dhe kërcënimeve të tjera që i shpërfillin kufijtë ndërkombëtarë, shtetet demokratike duhet të ndihmojnë në ringjalljen e një mirëkuptimi themelor ndërkombëtar: duke punuar në mënyrë kreative me të tjerët, secili shtet mund të korrë përfitime.

Kjo nuk do të thotë, që demokracia ofron një garanci të një udhëheqjeje të sofistifikuar. Në Amerikë, pandemia ka ekspozuar më tej mangësitë tashmë të theksuara në besueshmërinë dhe aftësitë e banorit aktual të Shtëpisë së Bardhë. Por virtyti më i madh i demokracisë është fleksibiliteti i tij dhe aftësia për të korrigjuar vetveten. Zgjedhjet amerikane në nëntor janë më pak se gjashtë muaj larg.

Kur udhëhiqet siç duhet, Amerika mund të bëjë akoma më shumë se çdo vend tjetër për të lëvizur botën në drejtimin e duhur. Një Amerikë që e ka rikthyer zërin e saj të vërtetë mund ti ndihmojë njerëzit kudo për t’i kundërshtuar zaptuesit e pafre të pushtetit, autoritarë dhe diktatorë të mundshëm. Mund të punojë ngushtë me aleatët demokratikë për ti mbështetur ata që përpiqen ti mirëmbajnë të drejtat e tyre, zërat e tyre dhe dinjitetin e tyre. Amerika mund të bëjë shkencën dhe arsyen, jo duke përfituar në kurriz të shkathtësive të rrejshme në raport me rivalin (one-upmanship), edhe një herë bazë për vendimmarrje globale. Mund të themi, me pak fjalë, për të rikthyer besimin tonë kolektiv në të ardhmen.

Në Samitin e Gjenevës në vitin 1985, ku Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbatchev u takuan për herë të parë, presidenti amerikan ia shtroi udhëheqësit sovjetik një pyetje që po e shqetësonte një kohë të gjatë. “A do të na ndihmonit,” pyeti ai, “nëse Shtetet e Bashkuara sulmohen papritmas nga gjithësia (kosmosi)?” Gorbatchev u përgjigj pa hezituar. “Pa dyshim,” tha ai. “Edhe ne po ashtu,” u përgjigj Reagan.

Dialogu dhe solidariteti midis kundërshtarëve, atëherë, kur përballet me pyetje të tipit “Dita kur Toka u ndal”, është një kujtesë e dobishme për ne tani. Dhe sapo kriza me COVID të qetësohet, kombet do të përballen me rreziqe të tjera që kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar, duke filluar nga ndryshimet klimatike deri tek terrorizmi. Ashtu sikurse Reagan, ata do të pyesin njëri-tjetrin: “A do të na ndihmonit?”

Përgjigja do të tregojë nëse ne nuk kemi mësuar asgjë nga kriza aktuale, ose – siç do të preferoja të besoja – e ka rizgjuar logjikën që, duke qëndruar së bashku, ne mund të rifillojmë progresin drejt një bote më paqësore, më të prosperuar dhe më të sigurt.

*Madeleine Albright ka qenë Sekretare Amerikane e Shtetit në vitet 1997-2001/Voal/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat