Sistemi i Sigurisë Nacionale në Kosovë

Analiza

Sistemi i Sigurisë Nacionale në Kosovë

Nga: Mr. Sc Shpend Salihu Më: 21 tetor 2020 Në ora: 12:37
Shpend Salihu

Sistemi i Sigurisë Nacionale nënkupton vlerat dhe mirëqenien e shtetit që në korniza dhe domen të juridikcionit të vet, të definojë dhe ristrukturojë sektorin e vet të zhvillimit të proceseve të gjithmbarshme e aty përfshihet ekonomia, mineralet, infrastruktura, presidenca, parlamenti, qeveria, institucionet, ushtria, policia, diplomacia etj. Siguria nacionale nënkupton mbrojtjen e vlerave të përgjithshme që e mundësojnë një shtet që të jetë funksional ose jo funksional. Kosova pas lufte me strukturat e UNMIK dhe një pjesë të KFOR e OSBE, arriti të mbajë një ekuilibër strukturor të sektorit të sigurisë, përkundër polarizimeve dhe fërkimeve politike dhe më pas gërshetimit dhe akumulimit dhe rritjes së ekstremit ultra-nacionalist politik, si dhe radikal islamik. Tendenca e këtyre grupeve insurgjente dhe destruktive ishte debalancimi politik, ashpërsimi i relatave ndër-politike dhe rritja e tensioneve sociale, me çfarë do vinte deri tek prishja e ekuilibrit socio-ekonomik dhe politik, e cila do e rëndonte funksionimin normal të institucioneve, do irritonte masat dhe do e destabilizonte mirëqenien dhe funksionimin normal të shtetit.

Aktet ekstremiste të grupeve të caktuara me ideologji jo konformiste dhe reaksionare ndaj veprimeve institucionale të organeve legjitime të shtetit, e acaruan dhe minimizuan rolin e Kosovës, në rrafsh ndërkombëtar. Protestat e dhunshme, thirrjet publike për luftë nga grupe të caktuara, debatet e ashpra publike ku filluan betejat e pakompromisë ndaj skenës qeverisëse, kundërshtimi masovik i marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe pse në parim shumica prej tyre ishte në korniza të akteve ndërkombëtare për Kosovë, siç ishin marrëveshja e CEFTA, marrëveshja e asociacionit të komunave Serbe e firmosur në prill të vitit 2013, e cila ishte në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale, si dhe me konventën Evropiane për vetëqeverisje Lokale, marrëveshja për Çakorr e cila në bazë të kartave topografike të KFOR dhe kushtetutës së vitit 1974, ishte veprim i drejtë nga komisioni për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e ZI, si dhe veprime tjera iracionale, të ndërmarra nga grupe të caktuara të interesit, të cilat pos tjerash, kishin pikësynim prishjen e relatave të shtetit tonë me një pjesë të komunitetit ndërkombëtar, në njëfarë mase i kontribuan edhe elemente të SHISH, të cilët publikisht përmes analistave të tyre të paguar majmë trumbetonin kundër politikës së shtetit të Kosovës në rrafsh ndërkombëtar, a në anën tjetër këta elemente të SHISH kishin pozicione në KFOR dhe mekanizma ndërkombëtar dhe na hiqeshin, gjoja se kanë ardhë të na trajnojnë kuadrot në AKI, polici, FSK, etj, por mos të harrojmë se shteti ynë kishte dhe akoma ka kuadro të mjaftueshme të brendshme, që janë të trajnuar ose vetë trajnuar, të cilët mund të pregadisin doktrina dhe strategji të trajnimeve të kuadrove anemban strukturave të Sigurisë në Kosovë,pa ardhjen e elementëve të SHISH tek ne, dhe pa involvimin e tyre në struktura të sigurisë së Kosovës.

i kuadrove të brendshme dhe sistemimi i tyre, nëpër struktura të segmenteve të sistemit të sigurisë së Kosovës, nënkupton definimin dhe rikonfigurimin e sistemit të sigurisë nacionale, normal në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së KFOR, të cilat janë fizikisht prezente në Kosovë, si dhe në bashkëpunim me strukturat e sigurisë regjionale, por gjithmonë në domen të mbrojtjes dhe afirmimit të interesave vitale të shtetit sovran të Kosovës. Pasiqë Kosova tanimë është shtet sovran, duhet zëvendësuar strategjinë e sigurisë nacionale me Ligjin për Sigurinë nacionale, i cili do prodhonte fuqi më të madhe zbatimi, duke i prekur interesat vitale si në sferën diplomatike, institucionale, ekonomike, dhe ushtarake të Kosovës, si dhe pamundësimin e rrjedhjes së informacioneve vitale për interesa strategjik të shtetit tonë. Në këto momente kritike përmes këtij ligji do duhej të i jepen kompetenca shtesë ekzekutive këshillit të sigurisë nacionale, AKI, Njësisë së Inteligjencës financiare, policisë, prokurorisë, gjykatave etj, për vendosjen në binar të normalitetit të sektorit të sigurisë nacionale. Në bazë të këtij ligji do duhej përcaktuar edhe sesi sektorët e sigurisë nacionale do funksionin që të parandalohen, izolohen, neutralizohen dhe luftohen elementët potencial destruktiv ose subverziv që mund të e çrregullojnë jetën institucionale në Kosovë. Këto struktura të sigurisë nuk do të luftojnë vetëm çdo formë të terrorizmit, përfshirë kibernetik, social, fetar, politik etj, si dhe grupet e radikalizuara që janë në kundërshtim me rendin kushtetues në Republikë, por edhe elementët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të nxisin në ekstremizëm, fundamentalizëm dhe radikalizim e mobilizim të masave kundër rendit dhe sistemit kushtetues e politik të shtetit. Çdo element qoftë i brendshëm ose i jashtëm të aspiron ose detektohet që dëshiron të destabilizojë sigurinë nacionale, duhet të penalizohet në mënyrë që ta kenë të qartë edhe grupet e shërbimeve sekrete ndërkombëtare, që Kosova është e gatshme dhe në mundësi që të mbrojë dhe afirmojë në rrafsh ndërkombëtar vlerën dhe mirëqenien e vet shtetërore, dhe se është garancë e mbrojtjes dhe afirmimit të të drejtave të njeriut në korniza të ligjeve aplikative në fuqi, si dhe se nuk ka aspirata për destabilizim e sektorit të sigurisë së asnjë shteti fqinj, por se dëshiron bashkëpunim transparent në të gjitha fushat me të gjitha shtetet rajonale, dhe se nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve por se as nuk do lejojë prishjen e rendit kushtetues dhe cenimin e sigurisë nacionale nga asnjë grup ose shtet fqinj. Veprimet e tilla do na tregonin si faktor stabiliteti si në rrafsh të brendshëm ashtu edhe regjional dhe ndërkombëtar, dhe do ishin hapa drejt jetësimit prej pavarësisë së kushtëzuar ku akoma ndodhemi drejt jetësimit të pavarësisë së plotë, pamvarësisht aderimit apo jo në Asamblen Gjenerale të Kombeve të bashkuara, sepse akoma ka shtete plotësisht sovrane që nuk ndodhen në OKB.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat