Frika na mban të bashkuar? Nuk është instrumenti i vetëm

Analiza

Frika na mban të bashkuar? Nuk është instrumenti i vetëm

Nga: Mauro Bonazzi Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Jemi në këngën e njëzetetetë të Parajsës. Udhëtimi i Dantes vazhdon dhe i afrohet fundit nën udhëheqjen e Beatriçes, që i tregon të gjitha hierarkitë ëngjëllore, në një triumf të dritës. Rrezet e dritës janë kaq të shumta, saqë Dante mbetet i shastisur:

“Dhe kishte kaq shumë, sa që numri i tyre / më shumë se dyfishimi i shahut në mijëra. Dante i referohet një legjende të njohur në Mesjetë, e cila rrëfente për një mbret pers, sa i pasur aq edhe i mërzitur, i cili u kishte premtuar gjithçka atyre që do ta argëtonin. Të gjithë u përpoqën, dhe vetëm një tregtar i varfër pati sukses, duke i ofruar një tabelë me 64 gurë. Ishte Shahu.

Tejet entuziast, mbreti e pyeti se çfarë dëshironte: gurë të çmuar, shtëpi, flori? Disa kokrra grurë, iu përgjigj tregtari, duke i lënë të gjithë të habitur: një për kutinë e parë, dy për të dytën, katër për të tretën, tetë për të katërtën… Kaq pak? Rezultati, i komunikuan mbretit financierët e tij, ishte më i madh se sa sasia e grurit që do të mund të kultivohej në të gjithë tokën, për shumë vite. Një shembull më i thjeshtë mund të jetë ai i të imagjinuarit sikur kemi një Euro në 1 tetor, dhe ta dyfishojmë atë përditë, deri në datë 31: Euro do të bëhet 2 euro, 4 në datën 3, 8 në datën 4, 16 në 15 tetor. Sa Euro do të kishim në 31 tetor? Shumë, sigurisht. Po sa?

Më shumë se 1 miliard.

Janë shembuj, të cilët tregojnë një të vërtetë shumë të thjeshtë, dhe në një farë mënyre të papritur. Ne nuk jemi aq racionalë sa mendojmë. Ose më saktë, mënyra në të cilën funksionon mendja jonë nuk arrin gjithmonë të kuptojë implikimet e asaj që shkon përtej përvojës sonë të drejtpërdrejtë, ose zakoneve të përditshme. Si të shpjegojmë atëherë kuptimin e vendimeve të vështira, të cilat janë kundër-intuitive, të tilla si ato që merren për t’u përballur me virusin? Tundimi më i fortë është gjithmonë të përqafosh mësimet e Thomas Hobbes, një nga filozofët më të mëdhenj politikë të të gjitha kohërave.

Vëzhgues i vëmendshëm i realitetit të kohës së tij, i mbushur me luftëra civile dhe epidemi, Hobbes ishte i bindur se ekziston vetëm një ndjenjë e aftë për të mbajtur së bashku trupin shoqëror të qytetarëve, veçanërisht në kohë krize – frika. Në faqen e titullit të kryeveprës së tij, Levatiani (1651), ne mund të shohim një qytet të shkretë ku vetëm disa ushtarë dhe dy mjekë enden nëpër rrugë, të mbuluar me një maskë të frikshme, për t’i mbrojtur ata nga murtaja. A ju kujton diçka? Për Hobbes, frika luan një rol vendimtar, duke i detyruar qytetarët të respektojnë ligjet që nuk mbrojnë domosdoshmërisht interesin e tyre të menjëhershëm (por që sidoqoftë garantojnë mbijetesën e komunitetit). Eshtë një histori e hidhur, ajo e rindërtuar nga Hobbes, e cila gjen shumë konfirmime nëse shohim historinë tonë.

Një herë që shpjegohen llogaritë e mësipërme, të gjithë e kanë kuptuar pak a shumë se si funksionon progresioni dhe në cilat lloj shifrash infeksionesh mund të mbërrijmë, shumë shpejt. Në po të njëjtën mënyrë, shumë qytetarë (shumica) kishin kuptuar përsosmërisht se si qarkullonte infeksioni dhe kishin pranuar në masë të madhe izolimin, në pranverën e kaluar. Frika është e rëndësishme, por nuk është instrumenti i vetëm për të mbajtur të bashkuar trupin shoqëror. Nëse duam të kemi qytetarë të vërtetë, që marrin pjesë me vetëdije në jetën e komunitetit të tyre, duhet të kemi kurajën për t’i trajtuar me seriozitet. Besimi është diçka që ndërtohet me kalimin e kohës. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat