Katastrofa tjetër globale është duke ardhur, dhe ne nuk jemi gati

Analiza

Katastrofa tjetër globale është duke ardhur, dhe ne nuk jemi gati

Nga: Niall Ferguson Më: 12 maj 2021 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Pandemia e Covid-19 nuk ka mbaruar, por është tashmë e qartë se Lordi Ris, astronomi i familjes mbretërore britanike, e ka fituar bastin që vuri në vitin 2017 me psikologun e Universitetit të Harvardit Stiven Pinker se “bioterrorizmi apo një gabim biologjik, do të shkaktojë1 milionë viktima në një ngjarje të vetme brenda një periudhe 6-mujore duke filluar nga jo më vonë se 31 dhjetor 2020”.

Dhe vetëm vitin e kaluar sipas Universitetit Johns Hopkins, virusi SARS-CoV-2 u mori jetën 1.8 milion njerëzve. Numri global i të vdekurve nga Covid-19, mund t’i kalojë 5 milionë deri më 1 gusht, ose 9 milionë, nëse dikush e pranon rishikimin e ri drastikisht në rritje të Institutit për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit.

Natyrisht, mund të kishte qenë edhe më keq sesa kaq. Në Mars të vitit 2020, disa epidemiologë argumentuan se pa një distancim social drastik dhe bllokime ekonomike, numri i vdekjeve përfundimtare mund të ishte midis 30-40 milionë.

Megjithatë, edhe kostoja e ndërhyrjeve të tilla jo farmaceutike ka qenë e madhe, dhe vetëm për SHBA është rreth 90 për qind e PBB-së. Lordi Ris ishte vetëm një nga shumë paralajmërimet e para vitit 2020 mbi rrezikun e qartë dhe të pranishëm që i kanosej njerëzimit nga një patogjen i ri dhe pandemia globale që mund të shkaktonte ai.

Por këto paralajmërime nuk mundën të përktheheshin në një veprim të shpejtë dhe efektiv në shumicën e vendeve kur u shfaq pandemia aktuale. Por pse kaq shumë demokraci e trajtuan kaq këtë krizë?Linja kryesore e kritikëve ka qenë fajësimi i liderëve populistë si presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri britanik Boris Xhonson, presidenti brazilian Zhair Bolsonaro dhe tani kryeministri i Indisë Narendra Modi.

Sigurisht, nuk e dalluan veten për mirë në këtë situatë, për ta thënë më minimalen. Sa i përket vdekshmërisë së tepërt, Belgjika ishte më keq vitin e kaluar sesa SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Brazili. E megjithatë kryeministre për pjesën më të madhe të vitit 2020 ishte liberalja Sofi Vilmes.

Peruja u godit gati sa çdo vend i madh. Edhe pse presidenti i saj, Martin Vizkarra, iu nënshtrua dy herë procedurave të shkarkimit, ai nuk mund të konsiderohet si një populist.

A ishte problem vetë demokracia? Jo. Në Kinë, shteti njëpartiak iu përgjigj shpërthimit epidemik të koronavirusit njëlloj siç reaguan sovjetikët ndaj katastrofës bërthamore të Çernobilit në vitin 1986:me gënjeshtra.

Për shembull më 31 dhjetor 2020, Pekini i tha Organizatës Botërore të Shëndetësisë se nuk kishte “asnjë provë të qartë” të transmetimit të virusit nga njeriu tek njeriu. Të nesërmen, 8 mjekë të Vuhanit që kishin kërkuar të jepej alarmi u arrestuan. Qeveria e presidentit Xi Jinping e parandaloi përhapjen e virusit përtej provincës së Hubeit vetëm përmes kufizimeve drakoniane të lirisë së individit.

Regjimet e tjera autoritare e pësuan më keq, edhe pse nuk mund të jemi të sigurt sesa keq, pasi statistikat e vdekjeve në Rusi dhe Iran nuk janë aspak të besueshme. Fituesit e vërtetë në reagimin e tyre ndaj pandemisë ishin Tajvani dhe Koreja e Jugut, dy demokraci të Azisë Lindore.

Gara për zhvillimin e vaksinave u fitua nga kompanitë e bioteknologjisë në SHBA dhe Gjermani. Dhe gara për shpërndarjen e tyre u fitua nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britania e Madhe. Një katastrofë siç është pandemia nuk është një ngjarje e veçantë.

Ajo çon në forma të tjera të katastrofës, ekonomike, sociale dhe politike. Menaxhimi i katastrofës bëhet akoma më i vështirë nga fakti se sistemet tona politike promovojnë në rolet kryesore njerëzit që duken veçanërisht të pavëmendshëm ndaj sfidave të përshkruara më sipër.

Pra, të gjitha fatkeqësitë në një farë mase janë të ndërtuara politikisht, edhe nëse disa i mendojmë si natyrore, dhe disa si të shkaktuara nga njeriu. Po çfarë duhet të bëjmë përpara se të mbërrijë katastrofa e radhës? Unë kam pesë sugjerime.

Së pari, ne duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të parashikuar apo përdorur probabilitetet për katastrofat. Nga tërmetet tek luftërat dhe krizat financiare, traumat kryesore në histori janë karakterizuar nga shpërndarje të rastësishme pa ndonjë ligjësi të caktuar. Ato i përkasin domenit të pasigurisë, dhe jo të rrezikut.

Së dyti, katastrofat kanë shumë forma, dhe ne nuk mund t’i analizojmë ato me qasjet konvencionale për zbutjen e rrezikut. Sapo kemi mësuar që kriza ekonomike si kjo aktualja çojnë shpesh në reagime politike populiste. Çfarë do të jetë më pas? Nuk mund ta dimë.

Për çdo fatkeqësi të mundshme, ekziston të paktën një Kasandra e besueshme. Por jo të gjitha profecitë mund të merren parasysh.

Së treti, sa më shumë e ndërlidhur që po bëhet shoqëria njerëzore, aq më i madh është potenciali për epidemi dhe pandemi, dhe jo vetëm nga varieteti biologjik. Për më tepër, çdo katastrofë ose amplifikohet ose zbutet nga fluksi i informacionit. Dezinformimi në vitin 2020, e përkeqësoi në shumë vende situatën e Covid-19.

Së katërti, Covid-19 nxori në pah një dështim serioz të burokracisë së shëndetit publik në SHBA dhe një numër vendesh të tjera. Epidemiologu amerikan Lerri Briliant, ka deklaruar prej vitesh se formula për trajtimin e një sëmundje infektive është “zbulimi i hershëm, reagimi i hershëm”. Në Uashington dhe Londër, ndodhi krejt e kundërta.

Së fundmi, ekziston një tendencë gjatë gjithë historisë, në kohërat e një stresi të madh shoqëror, për impulse ideologjike fetare ose gati-fetare për të penguar përgjigjet racionale.

Në verën e vitit 2020, miliona amerikanë dolën në rrugët e gati 300 qyteteve për të protestuar me zë të lartë dhe nganjëherë me dhunë kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit sistematik. Sado tronditëse që ishte vrasja që shkaktoi protestat, ajo ishte një sjellje e rrezikshme në mesin e një pandemie të një sëmundjeje shumë ngjitëse të frymëmarrjes.

Njëkohësisht, masa paraprake të mbajtjes së maskës u bë simbol i përkatësisë partiake.

Fakti që në disa pjesë të vendit, blerja e armëve dukej më popullore sesa mbajtja e maskave, dëshmoi mbi potencialin e një rendi publik si dhe një katastrofe të shëndetit publik.

Covid-19 nuk është katastrofa e fundit me të cilën ne do të përballemi gjatë jetës sonë. Ajo është thjeshtë e fundit në radhë, pas një vale të terrorizmit islamik, një krize financiare globale, pas dështimeve të shtetit, rritjes së emigracionit ilegal, dhe një të ashtuquajturi recesion të demokracisë.

Katastrofa e ardhshme nuk do të jetë ndoshta një katastrofë që i atribuohet ndryshimit të klimës, pasi rrallë ndodh që të jemi të përgatitur për një fatkeqësi, por një kërcënim tjetër që shumica prej nesh aktualisht po e injoron.

Mund të jetë ndoshta një lloj i Murtajës bubonike rezistente ndaj antibiotikëve, apo ndoshta një sulm masiv kibernetik ruso-kinez mbi SHBA dhe aleatët e saj. Ndoshta do të jetë një përparim në nanoteknologji apo inxhinieri gjenetike, që do të ketë pasoja katastrofike të padëshiruara.

Ne thjesht nuk mund ta dimë, se cila nga të gjitha fatkeqësitë e mundshme do të ndodhë në të ardhmen apo kohë kur. Ajo çfarë mund të bëjmë, është të mësojmë nga historia se si të ndërtojmë struktura shoqërore dhe politike, që të jenë të paktën rezistente dhe në rastin më të mirë jo të brishta, sesi të të shmangim zhytjen në kaos që i karakterizon kaq shpesh shoqëritë e mbingarkuara nga katastrofa; dhe si t’i rezistojmë atyre sirenave të alarmit që propozojnë sundimin totalitar apo qeverinë globale si të nevojshme për mbrojtjen e specieve tona fatkeqe dhe botës sonë shumë të prekshme. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat