Fakte që tregojnë se bota është më mirë sesa duket

Analiza

Fakte që tregojnë se bota është më mirë sesa duket

Nga: Burim Breznica Më: 29 maj 2021 Në ora: 09:34
Burim Breznica

Njeriu kur lexon ose dëgjon lajme, kur lexon libra të ndryshëm, apo kur viziton vende të ndryshme e kupton se ka goxha sfida dhe probleme globale. Në botë ka kriza politike e ekonomike, luftëra, varfëri, një pandemi që ka sulmuar njerëzimin për më shumë se një vit etj. Kur të dëgjohen dhe mësohen këto informacione, krijohet përshtypja se në botë ka vetëm probleme, sfida dhe prapambetje në fusha të ndryshme. Por në fakt, realiteti nuk është i tëri ashtu, ka fakte dhe gjëra më pozitive sesa mendohet dhe ka ngjarje shpresëdhënëse që ndodhin çdo ditë në mbarë globin.

Profesori suedez i shëndetit publik ndërkombëtar, Hans Rosling në librin e tij ”Forca e fakteve” (Factfullness, Sceptre, 2018) kishte argumentuar se bota është në gjendje më të mirë sesa shumë njerëz mendojnë. Profesori Rosling (tashmë i ndjerë pasi vdiq më 2017 por libri i tij u publikua nga djali dhe e reja e tij që i kishin ndihmuar më parë me studimin e tij) këtë e ka argumentuar përmes pyetësorëve, analizave dhe fakteve të tjera në librin e tij. Për këtë libër, Bill Gates ka thënë se ”ky është një nga librat më të rëndësishëm që kam lexuar dhe më ka shërbyer si udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për të kuptuar botën më mirë ”. Në vazhdim, do të marr disa shembuj nga ky libër dhe në fund do të bëj një krahasim të fakteve dhe shembujve nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.

Një prirje apo instinkt njerëzor është të ndaj botën në dy grupe të kundërta psh. në të pasur dhe të varfër, të zhvilluar dhe të pazhvilluar etj. Por profesori suedez që ka krahasuar të ardhurat e vendeve të ndryshme duke shfrytëzuar statistika e të dhëna nga Banka Botërore, nga Kombet e Bashkuara etj. argumenton se nuk ka një hendek mes vendeve të pasura dhe të varfëra, të zhvilluara apo të pazhvilluara si paraqitet. Sipas tij ”85% e njerëzimit janë tashmë në kategorinë që quhet `botë e zhvilluar´. Pjesa tjetër prej 15% është në mes të dy kategorive, ku prej tyre vetëm 13 vende apo 6% e popullsisë globale janë në kategorinë e vendeve´në zhvillim´(f.32-37).

ka krijuar një model në vend të dy grupeve (të pasur dhe të varfër) me 4 nivele lëvizëse të të ardhurave. Në nivelin 1 me të ardhura për kokë banori 1-2 dollarë në ditë psh. një pjesë e madhe e popullsisë janë të varfër (si psh. Somalia, Kongo, Burundi, ku rreth 1 miliardë njerëz në botë janë në këtë nivel). Në nivelin 2 (rreth 3-8 dollarë në ditë, ku mbi 3 miliardë në botë janë në këtë nivel) janë vende që kanë të varfër, por një pjesë tjetër e popullsisë kanë të ardhura dhe nuk ka varfëri ekstreme si në nivelin e parë (psh. Zambia, Lesoto, Angola, Bangladeshi, etj.). Në nivelin 3 janë vendet me të ardhura mesatare 9-32 dollarë në ditë (psh. Kroacia, Peruja, Egjipti, rreth 2 miliardë njerëz). Në nivelin 4 janë shtetet e pasura me më shumë se 32 dollarë në ditë për kokë banori, (si psh. Norvegjia, Zvicra, Suedia, SHBA, Gjermania, ku rreth 1 miliardë njerëz janë në këtë nivel).

Vetëm 9% e popullsisë botërore jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta (f. 27-31, 44-46) sipas të dhënave dhe ato vende kanë më shumë zhvillim sesa mendohet sipas Rosling. Paragjykimet e njerëzve dhe instinktet kanë përjashtuar kategorinë kryesore që janë rreth 75% e popullsisë botërore që nuk janë as nga vendet e pasura e as nga ato të varfëra por nga vendet me të ardhura mesatare dhe ky është realiteti botëror sipas tij (f.32-34). Ai argumenton se duhet krahasuar mesataret dhe jo ekstremet e dy të dhënave të vjetra dhe të bazuara në paragjykime dhe sipas tij ndarje fiktive. Brazili psh. është një nga vendet me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në botë. Më të pasurit atje që janë 10% e popullsisë arkëtojnë 41% të të ardhurave nacionale (f.42-43). Por, kur krahason të ardhurat e brazilianëve përmes katër niveleve të të ardhurave shihet se shumica e popullsisë janë në nivelin e 3-të që dmth. mund të financojnë studimet e fëmijëve të tyre në universitet, mund të blejnë motoçikleta, kanë pajisjet kryesore elektrike në shtëpi, kanë telefona, televizorë dhe mund të shkojnë së paku njëherë në vit në pushime. Rosling argumenton se edhe në një nga vendet me pabarazinë më të madhe në botë nuk ka hendek të madh sa mendohet dhe siç e portretizon media.

Një instinkt tjetër është ai negativ që një pjesë e njerëzve janë të prirur të shikojnë më shumë gjërat negative sesa ato pozitive. Dhe për mediet lajmet e mira nuk ”shiten” sipas Rosling por duhet fokusuar tek lajmet ”negative”. Pyetjet e studimit u janë bërë grupeve të ndryshme të njerëzve, ekspertëve, profesorëve, juristëve, publikut të gjerë etj. në vende të ndryshme në botë.

Në pyetjen se në 20 vitet e fundit a është dyfishuar, a ka mbetur e njëjtë apo përgjysmuar varfëria ekstreme në botë vetëm 7% e të anketuarve janë përgjigjur saktë! Në realitet ajo është përgjysmuar (f. 6-7). Rosling shkruan në mënyrë metaforike se në testet që bëhen me shimpanze për të zgjedhur një nga tri alternativa, ato kanë përgjigje më të saktë sesa përgjigjet që ka marr ai në disa nga pyetjet e parashtruara grupeve të ndryshme në botë!

Në pyetjen tjetër se sa fëmijë 1 vjeçar janë vaksinuar në botë (20%, 50% apo 80%?) vetëm 13% janë përgjigjur saktë dmth që diku 80% e fëmijëve në botë vaksionohen rregullisht dhe kjo do të thotë që ata/ato kanë qasje bazike dhe moderne në shërbimet shëndetësore (f.7-8, 146-150).

Në nivelin global, meshkujt e moshës 30 vjeçare kanë kryer së paku 10 vite shkollë në mesatare.Po femrat e të njëjtës moshë sa vite shkollë kanë kryer: 9, 6 apo 3 vite? Shumica e respondentëve nuk janë përgjigjur saktë (psh.Spanja, Belgjika 13% etj.) as në këtë pyetje, përgjigjja është 9 vite (f.169-171).

Në vitin 2015, Rosling ka marr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës dhe aty kanë qenë 1000 njerëz të fuqishëm dhe me ndikim politik, liderë dhe biznesmenë, gazetarë, zyrtarë të OKB-së etj. Në pyetjen për varfërinë ekstreme rreth 61% e tyre ishin përgjigjur saktë që është më shumë se sa publiku i gjerë. Por në pyetjet për rritjet e popullsisë dhe ofrimin e shërbimeve bazike shëndetësore, ata ishin përgjigjur ”më dobët sesa shimpanzetë” sipas tij (f. 12-14).

Lajm tjetër pozitiv është zbulimi i vaksinave anti Covid-19 (në fund të vitit 2020) nga shkencëtarët gjermano-turk, U. Sahin dhe O. Tureci (që janë dhe bashkëshortë, nga kompania BionNTech, në bashkëpunim me kompaninë amerikane Pfizer). Pastaj nga kompania amerikane Moderna dhe ajo angleze-suedeze AstraZeneca etj. që do ndihmojnë në imunizimin dhe mbrojtjen e popullsisë botërore nga Covid 19. Në shumë vende, vaksinimi ka ecur mirë e në disa të tjera më ngadalë. Pandemia duket se po futet ”nën kontroll” dhe po shkon drejt fundit në shumicën e vendeve të BE-së (deri në vjeshtë të këtij viti, sipas shtypit suedez rreth 46% e popullsisë të vaksinuar me së paku një dozë tashmë), pastaj SHBA e Angli (me mbi 50% etj.) dhe sa më shumë veta të vaksinohen, rreziku nga pandemia do të ulet e do eliminohet sipas specialistëve të shëndetësisë në Suedi dhe perëndim. BE premtoi së fundi se do të jap 100 milionë vaksina për vendet e Ballkanit dhe ato në zhvillim.

Një krahasim me Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë në disa fusha specifike

Nëse bëhet një krahasim i ngjashëm me vendet e Ballkanit, në disa qarqe dhe vende të BE-së dhe vende tjera ka disa paragjykime ose perceptime që njerëz të ndryshëm kanë (kuptohet me përjashtime) për Ballkanin por edhe për pjesë të tjera jashtë hemisferës perëndimore. Më poshtë do të jap disa shembuj konkret sesi psh. shqiptarët kanë shumë talentë dhe dallohen në fushat e tyre në nivel evropian dhe global, në një masë edhe kroatët, por shumë njerëz nuk e dijnë këtë.

Raste të shumta dëshmojnë se në disa fusha, profesionistët, talentët dhe sportistët nga Kosova dhe Shqipëria janë shumë më mirë sesa mendohet në vende të tjera. Sot ka shumë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria që kanë arritur rezultate të mëdha në fushat shkencore, profesionale, kulturore, sportive etj. në Evropë dhe në botë. Në shumicën e vendeve perëndimore, ka shumë intelektualë shqiptarë që punojnë si ekspertë në institucione shtetërore, në universitete, në mjekësi, në biznese globale, në medie etj. Nga politika, një shembull konkret është Arba Kokalari e (lindur në Shqipëri), deputete në Parlamentin Evropian (nga viti 2019) nga partia e Moderatëve të Suedisë. Tjetër shembull është Ylfete Fanaj (e lindur në Kosovë), kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit në Zvicër (nga viti 2020) etj. Ka të tjerë që kanë bizneset e veta, pastaj shumë të tjerë që janë të integruar mirë në profesionet e tyre. Për disa prej tyre është raportuar edhe në mediet vendore dhe ndërkombëtare.

Shembull nga sporti është kombëtarja e Xhudos e Kosovës, së fundi me më së shumti medalje në kampionatin evropian, dy medalje të arta dhe një të bronztë. Për Majlinda Kelmendin apo kampionen botërore (2013,2014) atë olimpike (2016) dhe evropiane (2014,2016,2017) dihet më herët (www. balkaninsight.com). R. Krasniqi është kampion bote në boks (për titujt IBO dhe WBA, 2020) i lindur në Kosovë. Nga Shqipëria është psh. atleti i njohur, Izmir Smajlaj nga Shkodra që ishte kampion evropian në kërcim së gjati në sallë (2017). Kurse në shah është kryemjeshtri Erald Dervishi i cili në vitin 1994 ishte kampion evropian për të rinjtë deri 14 vjeç (www.chessgames.com). Në vitin 2017, Dervishi fitoi kampionatin e vendeve frankofone në Tunizi. Tjetër shembull është edhe kualifikimi i Shqipërisë në kampionatin evropian të futbollit më 2016 falë punës së talentëve shqiptarë nga vendi dhe diaspora si dhe strategut italian, De Biasi. Pastaj talentët shqiptarë në reprezentacionin futbollistik të Zvicrës, të Maqedonisë së Veriut dhe shumë talentë nga fusha të tjera.

Dua Lipa është shembull special nga bota e muzikës, e rritur dhe formuar në Londër dhe Prishtinë, ajo së voni u shpall si këngëtarja më e mirë britanike dhe fitoi edhe në kategorinë e albumit më të mirë. Këngëtari tjetër, me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj nga Zvicra, para disa ditësh zuri vendin e tretë në Evropë (në Evrovizion), kurse të parin me votat e jurisë profesionale. Dihet pastaj për famën dhe talentet e Rita Orës (e lindur në Kosovë) Ermonela Jahos, Bebe Rexha (e lindur në SHBA) etj.

Një shembull tjetër është Kroacia që ka rreth 4.1 milionë banorë dhe ka fituar 5 medalje të arta olimpike në dy olimpiadat e fundit, kjo është vetëm një medalje më pak sesa India ka fituar në të gjitha olimpiadat së bashku, kurse India ka diku 1.38 miliardë banorë!

https://www.tribuneindia.com/news/archive/comment/why-croatia-can-india-cannot-621978). Kroacia në vitin 2018 doli e dyta në kampionatin botëror në futboll pas humbjes në finale nga Franca. Vlen të theksohet se Kroacia edhe në basketboll është një fuqi. Pse? Sepse Kroacia ka një traditë dhe infrastrukturë sportive të konsoliduar, investon më shumë në sport dhe në gara kompetitive dhe ka trajnerë dhe talentë të shumtë që i krijon vet. Kurse India në anën tjetër nuk ka traditë sportive, ka varfëri të madhe, sporti indian është i përfshirë nga korrupsioni dhe nepotizmi dhe këta faktorë pengojnë zhvillimin e sportit në tërësi dhe avancimin e talentëve të rinjë.

Ish. presidenti i SHBA, z. Obama ka thënë për librin që iu referova më lart kështu: ”duke na hapur sytë para fakteve dhe duke na mbrojtur nga shumë paragjykime të trashëguara, ky libër na ngjall shpresën në zotësinë e njerëzimit për të ecur përpara”.

Por, Kosova me kohë duhet të forcoj institucionet e të zhvilloj ekonominë. Duhet të stimuloj kreativitetin dhe punën ekipore. Dhe të zbatoj përvojat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare (dhe nga diaspora) për të arritur suksese të tjera në të ardhmen. Vizioni duhet të jetë arritja e rezultateve ekipore në fusha të ndryshme në nivel kombëtar e jo vetëm si individë dhe talentë të shquar globalisht. Përfundimisht, sikurse bota edhe Kosova është më mirë në disa fusha sesa mendojnë disa në perëndim dhe gjetkë dhe përkundër sfidave të shumta, në të ardhmen do të arrij edhe më shumë progres që e meriton pas shumë sakrificave historike të qytetarëve të saj për liri, paqe e zhvillim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat