Trashëgimia e Ratko Mladic, dhe qasja e butë e Perëndimit ndaj kriminelëve të luftës

Analiza

Trashëgimia e Ratko Mladic, dhe qasja e butë e Perëndimit ndaj kriminelëve të luftës

Nga: Ismail Ćidić & Alma Begić Më: 9 korrik 2021 Në ora: 18:27
Ratko Mlladiq

Më 8 qershor, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara la në fuqi dënimin e kreut ushtarak serb të Bosnjës dhe kriminelit të luftës Ratko Mladić për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës të kryera gjatë luftës në Bosnjë Hercegovinë.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, e rrëzoi apelin e Mladić, duke konfirmuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Udhëheqësit botërorë e mirëpritën përfundimin e çështjes gjyqësore 9-vjeçare kundër Mladić.

Presidenti amerikan Joe Biden, tha se fundi i këtij procesi “tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme, do të mbajnë përgjegjësi”, dhe se vendimi përfundimtare “forcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar mizoritë në të ardhmen, kudo që ato mund të ndodhin”.

Ndërsa shumë njerëz në Perëndim e konsiderojnë këtë një “drejtësi të vendosur”, dhe një kohë për të mbyllur një kapitull të errët, për Bosnjën plagët e luftës vazhdojnë të dhembin. Mladić dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij mund të jenë vërtet pas hekurave, por idetë dhe veprimet e tyre vazhdojnë që të diktojnë politikën boshnjake dhe të dëmtojnë jetën e boshnjakëve.

Trashëgimia e tij më e madhe – një njësi autonome e pastruar etnikisht, Republika Srpska, – jeton nën udhëheqjen e pasardhësve të tij ideologjikë, dhe vazhdon të jetë një model për kriminelët e luftës dhe terroristët në të gjithë botën.

Trashëgimia e Mladić

Para luftës, territori që përfshihet sot në atë që quhet Republika Srpska, ishte etnikisht i larmishëm ashtu si pjesët e tjera të Bosnjës, me rreth 30 për qind të popullsisë që ishte boshnjake (myslimane).

Por gjenocidi solli një homogjenitet etnik, me qytete si Banja Luka, Prijedor, Srebrenica dhe Vishegrad, që e humbën shumicën dërrmuese të popullsisë së tyre boshnjake. Sot Republika Srpska drejtohet nga Milorad Dodik, një mohues krenar i gjenocidit, dhe një dëshmitar i palës mbrojtëse në gjyqet kundër Mladić dhe ish-presidentit të Republikës Srpska,njëherazi i dënuar për krime lufte, Radovan Karadžić.

Që kur e ka marrë këtë detyrë në vitin 2006, Dodik ka zbatuar në mënyrë sistematike politika,që synojnë t’ua vështirësojnë në maksimum jetën boshnjakëve që janë rikthyer në shtëpitë e tyre në Republikën Srpska apo që duan ta bëjnë këtë.

Ai ka deklaruar se boshnjakët e rikthyer, po vijnë për të “pushtuar sërish” atë që ai e percepton si tokë të serbëve. Për të frenuar rikthime të tilla, ai ka kërkuar miratimin e ligjeve që mundësojnë konfiskimin e tokave dhe pronave të boshnjakëve dhe kroatëve, të cilët u detyruan të largoheshin gjatë luftës.

Nën udhëheqjen e tij, shkollat ​​në Republika Srpska vazhdojnë që t’ua mohojnë të drejtën kushtetuese fëmijëve boshnjakë për të studiuar në gjuhën boshnjake. Po ashtu institucionet shtetërore diskriminojnë jo-serbët si në mundësitë e punësimit, ashtu edhe në sigurimin e shërbimeve.

Shumica e elitës politike në Republika Srpska e mohon gjenocidin, dhe refuzon të dënojë krimet e Mladić, Karadžić apo ndonjërit prej kriminelëve të tjerë luftës tashmë të dënuar nga Haga. Në majin e këtij viti, parlamenti lokal refuzoi një kërkesë nga Përfaqësuesi i Lartë i PKB për Bosnje dhe Herzegovinën, Valentin Inzko, për t’u distancuar nga nderimet e qeverisë lokale ndaj kriminelëve të luftës si Karadžić.

Tek kjo udhëheqje politike, nuk ka pasur asnjë pendesë apo madje edhe debat në të gjithë shoqërinë serbe të Bosnjës,rreth asaj që ndodhi gjatë luftës së viteve 1990, dhe kriminelët e dënuar të luftës vazhdojnë qëtë nderohen si heronj.

Dyqanet e suvenireve në kryeqytetin e Republika Srpska, Banja Luka, shesin hapur postera, bluza me fytyrat e tyre, ndërsa rrugët dhe shkollat ​​në shumë qytete të Republika Srpska, mbajnë emrat e kriminelëve të luftës.

Ndaj nuk është aspak çudi, që brezi i pasluftës -i rritur nën këtë mjedis urrejtjeje – e përqafon plotësisht mohimin e gjenocidit dhe trashëgiminë e Mladić. Kryetari i bashkisë së Banja Lukës, Drako Stanivuković, një përfaqësues i kësaj gjenerate, është një nga shembujt kryesorë në këtë aspekt.

28 vjeçari jo vetëm që refuzon vazhdimisht të quajë Mladić, Karadžić dhe kriminelë të tjerë të luftës si të tillë, por ai duket se është një fans i “çetnikëve” fashistë, forcave paramilitare jugosllave aleate me Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikëpamjet radikale dhe aktivizmi i Stanivuković,është vlerësuar nga shumë radikalë, mes të cilëve edhe nga kriminelin e dënuar të luftës, Vojislav Šešelj.

Qasja pajtuese ndaj kriminelëve të luftës

Fuqia që vazhdon të ruajë edhe sot trashëgimia e Mladić ka shumë të bëjë me politikat perëndimore të qasjes paqtuese. Duket se Evropa Perëndimore nuk e mësoi sot leksionin e saj nga ngjarjet e fundit të viteve 1930, kur pranoi në mënyrë të përsëritur kërkesat e Hitlerit, duke shpresuar për paqe, vetëm për t’u zhytur në luftë pak kohë më vonë.

Gati 60 vjet më vonë, perëndimi bëri të njëjtin gabim, kur u përpoq të paqtonte komandantët e luftës të Republika Srpska. Në vjeshtën e vitit 1995, kur ushtria boshnjake nisi përparimin  kundër forcave Serbe, duke çliruar territore që ishin spastruar etnikisht, administrata e Bill Clinton nxitoi që t’i jepte fund luftimeve.

Ajo nxiti negociatat për paqe dhe ndërmjetësoi një marrëveshje, e cila e shndërroi krijesën e Mladić dhe Karadžić, Republikën Srpska, në një entitet të përcaktuar në kushtetutën e Bosnjës, duke i dhënë asaj një njohje ndërkombëtare.

Ajo lëvizje legalizoi dhe e legjitimoi çështjen nacionaliste serbe, dhe përçoi mesazhin e fortë se ëndrra për një “Serbi të Madhe” është ende e gjallë dhe madje e arritshme. Gjatë dy dekadave në vijim, Perëndimi vazhdoi të mbante një qasje të butë ndaj këtyre ideologjive gjenocidale.

Kur Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Dodik në vitin 2017, Bashkimi Evropian vendosi të mos e ndiqte këtë shembull, pavarësisht njohjes së politikës së rrezikshme etnike që po zbatonte udhëheqësi serb në Republika Srpska.

Në vitet që pasuan vijuese, kryeqytetet e vendeve të BE-së vazhduan që ta prisnin Dodik në vizitat zyrtare, pa e kritikuar atë në asnjë rast për mohimin prej tij të gjenocidit, sidomos atij të Srebrenicës.

Një shfaqje e tillë e dobësisë përballë ideologëve të gjenocidit, ka vënë në pikëpyetje integritetin e vlerave perëndimore, dhe i ka dërguar një sinjal të rrezikshëm pjesës tjetër të botës, se aktet gjenocidale nuk do të përballen me drejtësinë, dhe se ndaj udhëheqësve të tyre do të ketë vetëm një qasje të zbutur.

Dënimet e dhëna për kriminelët serbo-boshnjakë të luftës, nuk duket se i kanë dekurajuar mizoritë. Gjatë dekadës së kaluar, aktet gjenocidale kanë vazhduar të ndodhin në të gjithë botën, me pak ose aspak reagim nga bashkësia ndërkombëtare.

Kriminelët aspirantë të luftës e shohin çështjen Mladić si një model se si të legalizojnë me sukses gjakderdhjen brutale. Terroristët e ekstremit të djathtë, si Anders Breivik dhe Brenton Tarrant, janë ndjerë gjithashtu të frymëzuar nga “heronj” tillë si Mladić dhe Karadžic.

Në Republika Srpska, kjo qasje e Perëndimit i ka inkurajuar mbështetësit e Mladić, dhe ka dekurajuar çdo sfidë ndaj narrativës dominuese të mohimit të gjenocidit. Ajo vetëm sa po e thellon mosfunksionimin e shtetit boshnjak, dhe po e shtyn vendin gjithnjë e më pranë katastrofës politike, apo edhe një konflikti tjetër gjenocidal.

Është shumë domethënëse ajo që tha kohët e fundit Rajko Vasić, arkitekti i ideologjisë së partisë së Milorad Dodik, kur u shkatërrua një kishë ortodokse e ndërtuar në mënyrë të paligjshme në tokën e një gruaje boshnjake në fshatin Konjevic Polje.

“Në një luftë të ardhshme, shumë jetë të pafajshme do të humbin vetëm për shkak të këtij akti”- shkroi ai në një postim në Tëitter. Siç kemi mësuar nga historia, qasja paqtuese ndaj këtyre njerëzve të shpjerë vetëm drejt luftës. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat