Vështirësi për prodhuesit e veturave në Evropë

Auto

Vështirësi për prodhuesit e veturave në Evropë

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 14:13
Foto ilustrim

Gjigandët e prodhimit të veturave në Evropë ngritën të martën shqetësimin se mungesa e çipave elektrikë në tregjet botërore do të kushtëzojë prodhimin dhe shitjet deri në fund të këtij viti.

Prodhuesit e makinave BMW dhe Stellantis, – bashkimi konglomeratit Fiat dhe French PSA Group, – u detyruan të mbyllnin fabrikat gjatë vitit të shkuar. Shkak u bënë masat kufizuese dhe fakti se një pjesë e furnitorëve të produkteve të para nuk i përmbushnin në kohë dërgesat.

Përveç kësaj, gjatë këtij viti kompanitë evropiane po hasin konkurrencë të ashpër për sigurimin e porosive për çipa elektrikë – qarqe të integruara. Kompanitë e veturave elektrike janë ato që kanë siguruar pjesën dërrmuese të porosive ndërsa industria e prodhimit të këtyre qarqeve ka hasur vështirësi për t’i përmbushur kërkesat.

Vitet e fundit veturat janë bërë më tepër të varura nga qarqet elektrike për shkak të integrimit të funksioneve të ndryshme, – si frenimi emergjent, drejtim i asistuar e të tjera – me një kompjuter qendror.

Përballë kësaj situate, kompanitë janë përqendruar kryesisht në prodhimin e modeleve të shtrenjta duke nxjerrë përfitime nga çmimi i lartë.

Zyrtarë të Stellantisit thanë se situata mund të vijojë deri në fund të vitit me një mangësi totale prodhimi prej 1.4 milionë veturash.

BMË, që deri më tash nuk është prekur shumë nga kjo mungesë në treg, shfaqi të njëjtin shqetësim, madje duke parashikuar se prodhimi mund të ndikohet edhe për vitin e ardhshëm.

Kompani si Tesla apo Ford Motor Co thonë se vrulli i zhvillimit të modeleve të reja pengohet nga varësia e industrisë te prodhimi i qarqeve të integruara.

“Ndërsa ne zhvillojmë makina në shpejtësi marramendëse, situata botërore e mungesës së çipave mbetet mjaft serioze”, tha drejtuesi i Teslas, Elon Musk, javën e kaluar.

Prodhuesi gjerman i çipave Infineon Technologies gjithashtu bëri një parashikim të zymtë të martën, duke thënë se po përballej me kufizime ekstreme në tregjet e saj pasi vala e fundit e COVID-19 bllokoi prodhimin në Azi dhe kjo solli uljen e dërgesave.

“Rimëkëmbja e tregjeve globale të veturave vazhdon të pengohet nga kufizimet akute të furnizimit në të gjithë hallkat prodhuese”, tha drejtuesi i Infineon, Reinhard Ploss. “Në përgjithësi, do të duhet kohë për t’u kthyer në një ekuilibër të kërkesës dhe ofertës”.

Instituti i kërkimeve ekonomike IFO publikoi një raport sipas së cilit industria e prodhimit të veturave në Gjermani vuajti mungesën më të madhe të furnizimit me çipa në 30 vitet e fundit – 83 për qind e kompanive u prekën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat