IS merr përgjegjësinë për sulmin në xhaminë afgane

Azia

IS merr përgjegjësinë për sulmin në xhaminë afgane

Më: 16 maj 2021 Në ora: 09:27
Fotografi brenda xhamisë në Kabul ku ndodhi sulmi që la 12 të vrarë.

Grupi ekstremist islamik i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS) pretendoi se ka kryer sulmin e kësaj jave në një xhami në periferi të kryeqytetit Afganistan që la të vdekur 12 persona, njoftoi Grupi i Inteligjencës SITE, që monitoron aktivitetin online të militantëve.

Shpërthimi ndodhi brenda një xhamie në rrethin Shakar Darah të provincës Kabul gjatë lutjeve të së premtes.

Incidenti prishi armëpushimin tre-ditor të dakorduar mes talibanëve dhe qeverisë afgane.

Grupi IS tha se luftëtarët e tij kishin vendosur një pajisje shpërthyese brenda xhamisë dhe e kishin shpërthyer atë pasi adhuruesit mbërritën për të bërë lutje në ditën e dytë të festës së Bajramit të Madh.

Bomba vrau edhe hoxhën e xhamisë, i cili po drejtonte lutjet.

Armëpushimi mes talibanëve dhe qeverisë afgane ka përfunduar të shtunën vonë. Ai u arrit pas disa ditësh të përshkallëzimit të dhunës.

Të dielën luftimet midis talibanëve dhe forcave të qeverisë afgane rifilluan në provincën jugore të Helmandit, thanë zyrtarët, duke i dhënë fund armëpushimit.

Javën e kaluar një seri shpërthimesh jashtë një shkolle vajzash në Kabul vranë më shumë se 50 njerëz dhe plagosën shumë të tjerë, shumica e tyre studente.

Asnjë grup nuk ka pretenduar deri më tani sulmin, një nga më vdekjeprurës në vitet e fundit.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara kanë nisur t’i tërheqin trupat e veta nga Afganistani, pas 20 vjetësh luftë.

Deri më 11 shtator pritet të tërhiqen të gjitha trupat amerikane, ashtu si edhe forcat e tjera të NATO-s, të pranishme në Afganistan.

Kjo ka rritur shqetësimet e vëzhguesve nëse Qeveria afgane mund t’ia dalë e vetme në luftën kundër talibanëve dhe grupeve të tjera militante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat