Varianti i ri i koronavirusit, Izraeli forcon kufizimet për udhëtimet

Azia

Varianti i ri i koronavirusit, Izraeli forcon kufizimet për udhëtimet

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Izraeli miratoi sot një sërë masash për të parandaluar përhapjen në vend të variantit të ri të koronavirusit, i njohur si “Omicron”. Shtetasit e huaj nuk do të lejohen të futen në Izrael, si dhe autoritetet do të përdorin një program, që ka nxitur debate, lidhur me gjurmimin e kontakteve.

Në një deklaratë të ministrisë së Shëndetësisë thuhej se ky vend ka futur tashmë në listën e kuqe 50 vende afrikane, ndërsa shtetasit izraelitë që vijnë nga jashtë janë të detyruar të futen në karantinë.

“Sot mbërrita nga dy ditë qëndrimi në Stamboll. Plani im fillestar ishte të qëndroja tre ditë, por për shkak të vendimeve të reja nga qeveria izraelite, i ndërpreva pushimet dhe u ktheva herët”, thotë Nezar al-twna, qytetar izraelit.

“Unë nuk jam shumë e frikësuar nga ajo që ndodh. Jam e vaksinuar, e kam kaluar tashmë COVID-in, kështu që mendoj se gjithçka do të shkojë mirë”, thotë një tjetër qytetare.

Në Izrael po shihet me shqetësim përdorimi i teknologjisë për monitorimin e telefonave celularë për të kryer gjurmimin e kontakteve të individëve të konfirmuar me variantin e ri të koronavirusit, “Omicron”.

Grupet izraelite për të drejtat e njeriut kanë thënë se kjo është shkelje e të drejtave të privatësisë. Në fillim të këtij viti Gjykata e Lartë vendosi që përdorimi i kësaj teknologjie të kufizohej.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett mbrojti masat e marra, duke thënë se janë të përkohshme, por të domosdoshme, për të mos lejuar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, të cilin OBSH-ja e ka cilësuar si “shqetësues”.

Të shtunën, Izraeli konfirmoi një rast me variantin e ri, ndërsa për shtatë qytetarë të tjerë priten rezultatet. Për variantin e ri të koronavirusit të zbuluar në Afrikën e Jugut, shkencëtarët thonë se është shqetësues për shkak të numrit të tij të lartë të mutacioneve dhe përhapjes së shpejtë.

Izraeli, një vend me 9.3 milionë banorë, ka raportuar të paktën mbi 8 mijë vdekje nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë. Shumica e popullsisë së saj, mbi 6.3 milionë banorë, është e vaksinuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat