HRW kërkon hetimin e vrasjeve të protestuesve në Kazakistan

Azia

HRW kërkon hetimin e vrasjeve të protestuesve në Kazakistan

Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:32
Ndërtesa e djegur pas protestave në Kazakistan

Organizata Human Rights Watch i ka kërkuar autoriteteve të Kazakistanit që hollësisht të hetojnë të gjitha të shtënat vdekjeprurëse tek civilët nga organet e rendit gjatë protestave në qytetin Almat.

“Ka prova të shumta që tregojnë se forcat e sigurisë hapën zjarr pa ndonjë justifikim të dukshëm dhe vranë të paktën 10 persona. Numri i të vdekurve nga goditja e dhunshme ka të ngjarë të jetë shumë më i madh dhe kërkon një hetim të shpejtë dhe efektiv”, tha Jonathan Pedneault, studiues i konflikteve dhe krizave në HRW, në një deklaratë të lëshuar më 26 janar.

Një protestë paqësore në rajonin perëndimor të Manghystau të shtetit të Azisë Qendrore mbi një rritje të çmimit të karburantit çoi në protesta masive anti-qeveritare në të gjithë vendin dhe përfundoi me të shtëna vdekjeprurëse në Almat.

Gjatë protestave, autoritetet kazake ndalën internetin dhe kufizuan funksionimin e telefonisë celulare për pesë ditë.

Presidenti i Kazakistanit Qasym Zhomart Toqaev fajësoi aktivistët e të drejtave dhe gazetarët e pavarur për "nxitjen" e protestave, të cilat çuan në arrestimin e disa reporterëve në qytete të ndryshme anembanë vendit.

Toqaev tha në vazhdën e protestave se "20,000 ekstremistë të trajnuar në kampet e huaja terroriste" sulmuan qytetin Almat, por ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin.

Me përhapjen e trazirave, Toqaev kërkoi ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) e udhëhequr nga Rusia.

Toqaev gjithashtu tha publikisht atëherë se ai kishte urdhëruar forcat e sigurisë "të qëllonin për të vrarë pa paralajmërim".

Autoritetet kazake kanë thënë se 227 persona, përfshirë 19 oficerë të zbatimit të ligjit janë vrarë në të gjithë vendin, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se numri i saktë i njerëzve të vrarë gjatë trazirave mund të jetë shumë më i lartë.

"Duke pasur parasysh peshën e shkeljeve të supozuara, partnerët ndërkombëtarë të Kazakistanit, duke përfshirë OKB-në, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), anëtare e së cilës është Kazakistani dhe Bashkimin Evropian, duhet të bëjnë presion ndaj qeverisë së Kazakistanit që të të kryejë një hetim efektiv, të pavarur dhe të paanshëm për përgjigjen e forcave të sigurisë ndaj ngjarjeve të janarit, me synimin për të siguruar përgjegjësi të plotë”, thuhet në deklaratën e HRW të 26 janarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat