Dita e nëntë e protestave në Iran, vritet një tjetër vajzë: Arrin në 41 numri total i viktimave

Azia

Dita e nëntë e protestave në Iran, vritet një tjetër vajzë: Arrin në 41 numri total i viktimave

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 23:30
Foto ilustrim

Prej nëntë ditësh Irani nuk po gjen qetësi. Protestuesit në mbarë vendin janë ngritur në këmbë kundër regjimit islamik të Ayatollah Ali Khameneit.

Vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini vetëm pse nuk kishte veshur në formën e duhur hixhabin ka bërë që protestat e udhëhequra nga gratë të mos pushojnë deri në rrëzimin e regjimit.

Ata kanë hedhur gurë, kanë djegur makinat e policisë dhe kanë djegur ndërtesat shtetërore duke thirrur “vdekje diktatorit”.

Por, kundërpërgjigja ka qenë e ashpër. Forcat e sigurisë kanë qëlluar me armë zjarri dhe plumba gome ndaj protestuesve, ndërsa shefi i drejtësisë iraniane Gholamhossein Mohseni Ejei u zotua të dielën se nuk do të jetë më i butë ndaj valës së trazirave që ka tronditur vendin dhe se do t’i dënojë pa mëshirë organizatorët e këtyre trazirave.

Hadith Najafi, një nga vajzat që u kthye në simbolin e protestave raportohet se është vrarë në Karaj. Kjo është konfirmuar në rrjete të ndryshme sociale dhe në veçanti nga gazetarja iraniane Masih Alinejad në profilin e saj në Twitter:

“Motra e saj më tha se ishte vetëm 20 vjeçe dhe u vra nga 6 plumba në qytetin e Karaj”.

Videoja në të cilën Hadithja bionde, pa hixhabin e saj, lidhte flokët e saj para një demonstrate ishte bërë virale.

Nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë, numri i viktimave ka arritur në 41 edhe pse organizatat e të drejtave njeriut shprehen se shifrat janë edhe më të larta.

Qindra demonstrues, aktivistë reformistë dhe gazetarë janë arrestuar mes demonstratave kryesisht gjatë natës, ndërsa regjimi iranian ka ndërprerë lidhjet e internetit në shumë zona.

Ndërkohë në Francë qindra shtetas iranianë që jetojnë në Paris dolën në shesh. Ata u mblodhën në qendrën

Place du Chatelet në kryeqytetin francez dhe i kërkuan presidentit francez Emmanuel Macron që të ndërhyjë dhe të mbajë një qëndrim kundër veprimeve të Khameneit. Protesta të ngjashme ndodhën edhe në Stokholm të Suedisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat