Koreja e Veriut ka vendosur objekte të ngjashme me balone rreth anijes së saj luftarake të dëmtuar, e cila ka qenë e shtrirë e anuar dhe pjesërisht e zhytur në ujë që nga lëshimi i saj i dështuar javën e kaluar.
Qëllimi i objekteve ende nuk dihet, por ekspertët thonë për CNN se ato mund të përdoren për të stabilizuar anijen ose për ta mbrojtur nda dronët zbulues, raporton kp.
Një mosfunksionim në mekanizmin e lëshimit më 21 maj shkaktoi rrëshqitjen e parakohshme të anijes në det, duke e lënë harkun të mbërthyer në rrëshqitës, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA në një pranim të rrallë të dështimit.
Lideri Kim Jong-un, i cili dëshmoi nisjen e gabuar në qytetin Chongjin, e quajti incidentin "akt kriminal" dhe urdhëroi që anija të riparohej deri në fund të qershorit, kur është caktuar seanca plenare e Partisë së Punëtorëve. Katër persona janë arrestuar, mes tyre edhe kryeinxhinieri i kantierit.
Analistët besojnë se balonat po përdoren si pjesë e një përpjekjeje për të rindërtuar me shpejtësi anijen, e cila synohej të ishte një simbol i modernizimit detar të vendit.
"Duket se këto objekte nuk janë vendosur për të rikthyer anijen, por për të parandaluar fundosjen e mëtejshme," tha Yu Yong-weon, një ligjvënës koreano-jugor dhe analist ushtarak.
Kapiteni në pension i marinës amerikane Carl Schuster tha se nëse ato janë vërtet balona, ato mund të shërbejnë që të parandalojnë zbulimin nga dronët ose të lehtësojnë ngarkesën në pjesën e anijes që ende është në tokë.
Sipas imazheve satelitore nga kompania Maxar Technologies, që nga 23 maji, rreth anijes janë vendosur dhjetëra objekte të bardha.
Për shkak të formës dhe stabilizuesve të pasmë, ekspertët supozojnë se ata mund të jenë një version më i vogël i një aerostati - një balonë që i ngjan një zepelin.
Ashtu si zepelin, aerostatet përdorin gaz më të lehtë se ajri për të arritur ngritje.