Ushtria izraelite ka identifikuar trupat e dy pengjeve të kthyera nga Hamasi. Në këtë foto janë Aryeh Zalmanovich, 85 vjeç, dhe Sergeant Tamir Adar, 38 vjeç.
Zalmanovich u rrëmbye nga shtëpia e tij dhe u vra në robëri më 17 nëntor 2023, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në një deklaratë. Adar ishte anëtar i skuadrës së sigurisë së komunitetit të Nir Oz dhe u vra ndërsa luftonte kundër personave të armatosur të Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Trupat e pajetë u dërguan në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore për të hetuar shkaqet e vdekjes.
Hamasi ka kthyer 15 nga 28 trupat e pengjeve të vdekur të përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga SHBA-të, e cila u nënshkrua më 9 tetor.
Në një kohë ku presionet e Shtëpisë së Bardhë janë rritur ndjeshëm ndaj Hamasit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, priti në Jerusalem Zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe Uasha Vance.
Më herët, Vance deklaroi se plani po shkon më mirë se sa pritej, por paralajmëroi ashpër Hamasin se do të “asgjësohej” nëse nuk bashkëpunon.
Armëpushimi, në fuqi prej 11 ditësh, mbetet tejet i brishtë, me Izraelin dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të përsëritura.
Që nga fillimi i tij, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se Izraeli ka vrarë të paktën 87 palestinezë, ndërsa dy ushtarë izraelitë u vranë në Gazën jugore.