Përplasja ushtarake midis Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdon për ditën e katërt të enjten, duke detyruar më shumë njerëz të largohen nga zonat kufitare dhe duke rritur bilancin e viktimave në 16.
Ministri i Lartë i Kamboxhias, Gjenerali Kun Kim, tha se aktualisht midis 130 mijë dhe 150 mijë persona po strehohen në vendstrehime të përkohshme, raporton Khmer Times, sipas Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias tha se forcat tajlandeze “vazhduan të sulmojnë” zonat kufitare dhe vendet kulturore me “armë të rënda si dhe avionë luftarakë F-16”, sipas Agence Kampuchea Presse, agjenci shtetërore. Ministria e Brendshme njoftoi se 10 civilë kamboxhianë kanë vdekur dhe rreth 60 janë plagosur që nga e hëna, transmeton KosovaPress.
Phnom Peni zyrtar gjithashtu dërgoi të mërkurën një letër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke akuzuar Tajlandën për “veprime të armatosura agresive, të pabazuara dhe në rritje” pa provokim.
Ushtria tajlandeze ka deklaruar se forcat kamboxhiane kanë sulmuar vazhdimisht kufirin që nga 7 dhjetori, duke përdorur armë të rënda dhe duke goditur edhe zona civile. Më shumë se 400 mijë persona janë evakuuar në vendstrehime të sigurta, ndërsa gjashtë ushtarë tajlandezë kanë humbur jetën.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për fillimin e përplasjeve, që shkelin marrëveshjen e paqes të nënshkruar në tetor. Shkollat në zonat kufitare janë mbyllur dhe disa janë kthyer në vendstrehime emergjente. Kufiri tokësor mbetet i mbyllur, ndërsa ambasada e Kinës këshillon qytetarët të shmangin zonat e konfliktit.