Babai lë vetëm djalin 7-vjeçar në malin Fuji, u ankua se ishte lodhur

Azia

Babai lë vetëm djalin 7-vjeçar në malin Fuji, u ankua se ishte lodhur

Më: 23 gusht 2026 Në ora: 16:03
Mali Fuji

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në malin Fuji të Japonisë, ku një baba 48-vjeçar la vetëm djalin e tij 7-vjeçar gjatë një ngjitjeje disaorëshe, pasi fëmija u ankua se ishte i lodhur.

Sipas mediave japoneze Japan Today dhe FNN, rreth orës 07:40 të mëngjesit të së enjtes, më 20 gusht, një punonjës i një strehimoreje malore njoftoi policinë pasi kishte vënë re djalin të ulur i vetëm në një stol pranë stacionit të gjashtë të shtegut Fujinomiya në malin Fuji, shkruan people.

Policia nga stacioni i Fujinomiyas kontaktoi babain, një 48-vjeçar nga qyteti Nagoya, i cili në atë moment ndodhej pranë stacionit të tetë të shtegut.

Sipas raportimeve, babai ishte nisur për ngjitje së bashku me djalin 7-vjeçar dhe djalin tjetër, 12 vjeç. Në një moment gjatë rrugës, 7-vjeçari u ankua se ishte i lodhur. Babai i tha të “priste aty”, ndërsa vazhdoi ngjitjen me djalin më të madh.

Autoritetet besojnë se fëmija ishte lënë pranë stacionit të gjashtë rreth orës 04:30 të mëngjesit, në një lartësi prej afërsisht 2,500 metrash mbi nivelin e detit.

Situata u bë edhe më shqetësuese pasi në zonë po zhvilloheshin reshje shiu dhe kishte mjegull në momentin kur fëmija u gjet.

Fatmirësisht, 7-vjeçari ishte pa ndonjë lëndim. Ai u ribashkua më vonë me babanë, ndërsa ky i fundit u paralajmërua nga autoritetet.

“Isha i nxituar në vendimin tim dhe pendohem thellësisht”, mësohet të ketë deklaruar babai, sipas Japan Today.

Autoritetet japoneze nuk kanë bërë publike identitetet e babait dhe fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat