Një cisternë nafte është përfshirë në një incident me forca ushtarake në Gjirin e Omanit, në lindje të Ngushticës së Hormuzit, pranë qytetit iranian Çabahar. Lajmi është bërë i ditur të dielën në mbrëmje nga Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), në një kohë kur raportimet për përpjekjet e Iranit për të thyer bllokadën detare amerikane kanë shtuar tensionet në rajon.
Sipas njoftimit të UKMTO-së, një zyrtar i sigurisë së kompanisë ka raportuar incidentin, ndërsa autoritetet janë njoftuar dhe hetimet janë duke vazhduar. Formulimi i njoftimit, ku përmenden “forcat ushtarake”, ka ngritur dyshime për një veprim të mundshëm të ushtrisë amerikane ndaj cisternës. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar se kush ishte i përfshirë në incident dhe çfarë ka ndodhur saktësisht, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Vendndodhja dhe koha e incidentit përkojnë me zonën ku mund të ndodhej një cisternë iraniane në rast se do të tentonte të çante bllokadën detare amerikane, pasi të ishte nisur nga ishulli Kharg të dielën në mëngjes.
Irani kishte paralajmëruar prej disa ditësh se çdo përpjekje e ushtrisë amerikane për të ndaluar cisternat e tij do të përballej me një “përgjigje të ashpër ushtarake”. Teherani kishte kërcënuar gjithashtu me sulme të menjëhershme ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë rajonin e Gjirit.
Ndërkohë, mediat iraniane, duke cituar marinën e vendit, raportuan më herët të dielën se dy supercisterna kishin marrë flakë pasi kishin goditur mina në një zonë të kufizuar në lindje të Ngushticës së Hormuzit dhe në veri të ishullit Ghanam. Ende nuk është bërë e qartë nëse këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Të shtunën, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi për mediat iraniane se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane përbën “akt lufte”, duke paralajmëruar se Teherani do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për ta thyer atë.
Deklarata e tij erdhi pas raportimeve se më shumë se 14 cisterna iraniane po përgatiteshin pranë ishullit Kharg për të dalë nga bllokada detare amerikane.
Edhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, e cilësoi situatën si një “luftë të heshtur ekonomike”, për të cilën tha se është edhe më e vështirë se lufta me raketa. Ai shtoi se Irani ka kapacitetet për t'i bërë ballë kësaj situate.