Smogu i rrezikshëm e shndërroi sot Lahoren, qytetin e dytë më të madh të Pakistanit, në metropolin më të ndotur në planet duke i lënë autoritetet të pafuqishme për të frenuar ndotjen.
”Cilësia e ajrit në Lahore regjistroi një përqendrim ndotësish prej 289, duke e bërë atë qytetin më të ndotur në botë”, sipas IQAir, një organizatë globale kërkimore për mjedisin.
Ky qytet lindor, që kufizohet me Indinë, është renditur vazhdimisht si qyteti i madh më i ndotur në botë gjatë javëve të fundit, që kur një smog i dendur dhe i rrezikshëm përfshiu pjesë të provincës qendrore të Punjabit.
Autoritetet kanë mbyllur për trafikun autostradat që lidhin qytetet kryesore, për shkak të shikueshmërisë së dobët në disa segmente.
Gjithashtu janë ndërmarrë masa kundër smogut, të cilat përfshijnë gjoba për automjetet që lëshojnë tym.
Autoritetet pakistaneze theksojnë se shkaktarët e ndotjes së ajrit dhe smogut në Lahore janë emetimet industriale, tymi nga furrat e tullave dhe automjetet, si dhe djegia e mbetjeve bujqësore dhe mbeturinave të përgjithshme.
Pakistani është përgjegjës për më pak se 1% të emetimeve globale të karbonit, por renditet ndër 10 vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike.