Në finale ndeshen Golden State - Cleveland - Bota Sot
Në finale ndeshen Golden State - Cleveland

Basketboll

E martë, 23 tetor 2018

Në finale ndeshen Golden State - Cleveland

Më: 29 maj 2018 Në ora: 13:11
Stephen Curry dhe James Harden

Gjithçka është e qartë se kush do të luajë në finalen e madhe të ligës më të fortë në botë, NBA. Në finale ndeshen Golden State- Cleveland Cavaliers. Sfida e fundit u zhvillua mes Golden State Warriors dhe Houston Rockets dhe u përcaktua finalisti.  Me petk kampioneje. Golden State Warriors tregon dhëmbët në finalen e 7-të ndaj Houston Rockets duke eliminuar nga faza play-off-it skuadrën më të mirë të sezonit të rregullt, për të fituar për të 4-in vit radhazi titullin në Konferencën e Perëndimit. Golden State ngadhënjeu me rezultat 101:92 ndaj Houstonit.

Ashtu si në tri edicionet e fundit edhe në këtë sezon të NBA-së finalja e madhe e yjeve të koshit do të diskutohet mes dy skuadrave që kanë bërë ligjin në këto vitet e fundit në basketbollin amerikan. Cleveland Cavaliers përballë Golden State Warriors me skuadrën nga Oakland që do të ketë avantazhin e parketit në një finale ku do të synojë ta mposhtë për herë të dytë radhazi Cleveland-in dhe për të tretën në këto katër vite.

Merr fund në mënyrë të pabesueshme ëndrra e Houstonit për të fituar titullin e Konferencës së Perëndimit pas 23 vitesh dhe për të luajtur sërish një finale të madhe të NBA-së. Në Toyota Center skuadra e trajnerit Mike D’Antoni e nisi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh të plot 11 pikëve. Por vetëm kaq për Rockets sepse pjesa e dytë foli e gjitha në favor të kampionëve në fuqi të NBA.

Formacioni i drejtuar nga trajneri Steve Kerr i udhëhequr nga dyshja Durant-Curry zhvilloi një periodë të tretë fantastike të cilën e mbylli me shifrat 33:15 në favor duke marrë jo vetëm kryesimin por duke vendosur njërën dorë te triumfi. Në Toyota Center të Texasit përfundoi gjithçka me fitoren 101:92 të Golden State që mbylli serinë 4:3 me ndeshje duke prekur finalen e madhe. 34 pikë shënoi Kevin Durant i cili ishte basketbollisti më i mirë, ndërsa një ndihmë të madhe në këtë sukses skuadrës nga Oakland ja dha edhe Stephen Curry, autori i 27 pikëve. Të pamjaftueshme në krahun tjetër 32 pikët e realizuara nga James Hardeni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test