U zhvillua ceremonia e varrimit të 26 viktimave të sulmit në Zelandën e Re

Bota

U zhvillua ceremonia e varrimit të 26 viktimave të sulmit në Zelandën e Re

Më: 22 mars 2019 Në ora: 21:22
Foto

Më herët në një veprimtari në hapësirat përreth xhamisë ku ka ndodhur sulmi fatal në Christchurch, imami Gamil Fouda iu drejtua turmës prej mijëra njerëzve që ishin mbledhur aty duke u thënë se “jemi zemërthyer, por nuk jemi të mposhtur”.

Ai u tha të tubuarve se “urrejtja do të zhbëhet dhe dashuria do të ngadhënjejë”.

Imami falënderoi fqinjët “që hapën dyert e tyre për t’i shpëtuar njerëzit nga vrasësi”, si dhe ata që ndaluan makinat e tyre për të ndihmuar. Imami Fouda gjithashtu shprehu mirënjohje për kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, sepse siç tha ai, “ajo u ka qëndruar pranë familjeve të të prekurve dhe i ka nderuar ata duke vënë një shami të thjeshtë në kokë”. Ai tha se “udhëheqja e kryeministres është një mësim për botën”.

Gratë gjithandej Zelandës së Re vunë shami në kokë të premten për të treguar mbështetjen dhe respektin e tyre për komunitetin mysliman. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se oficeret femra të policisë gjithashtu vendosën shami në kokë dhe nga një trëndafil të kuq në uniformat e tyre.

Para fjalimit të imamit, pati një thirrje publike për lutje në park që u transmetua në radio dhe televizion në të gjithë vendin. Dy minuta heshtje pasuan thirrjen për namaz, në kujtim të atyre që vdiqën në xhami. Zonja Ardern tha pas thirrjes për lutje se “Zelanda e Re vajton me ju, ne jemi një”.

Ajo ka qenë e shpejtë në reagimin e saj ndaj sulmit të përgjakshëm në xhami.

Zonja Ardern vendosi një ndalim të menjëhershëm për të gjitha armët gjysmë automatike dhe automatike.

Ndalimi, të cilin kryeministrja e bëri publik të enjten në Wellington, gjithashtu karikatorët me kapacitet të lartë si dhe pajisje që mund t’i kthejnë pushkët e zakonshme në armë sulmuese me veprim të shpejtë.

Zonja Ardern njoftoi gjithashtu një skemë blerjeje në shkallë të gjerë për të inkurajuar ata që kanë në pronësi armë të tilla t’i dorëzojnë ato tek autoritetet.

Ajo tha se qeveria mund të shpenzojë deri në 140 milionë dollarë për të blerë armë nga pronarët. Policia e Zelandës së Re njoftoj përmes faqes zyrtare të internetit se gjatë një “periudhe kalimtare” do të lejohen njerëzit t’i kthejnë armët pa dënime.

Parlamenti pritet të miratojë ligjet e propozuara kur të mblidhet në mes të prillit.

Autoritetet kanë akuzuar 28 vjeçarin australian, Brenton Harrison Tarrant, për vrasje në lidhje me sulmet e 15 marsit në xhamitë al-Noor dhe Linwood. I vetëshpalluri nacionalist i bardhë, nuk pranoi fajin në paraqitjen e tij të parë gjyqësore një ditë pas sulmit. Paraqitja e ardhshme para gjykatës është caktuar më 5 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat