Historia e 42-vjeçares që u infektua nga Covid-19 dhe e zbuloi vetëm përmes nuhatjes

Bota

Historia e 42-vjeçares që u infektua nga Covid-19 dhe e zbuloi vetëm përmes nuhatjes

Më: 28 mars 2020 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Ajo ngriti kokën dhe mori frymë. Sapo ka lënë celularin plot me mesazhe urimi. Ka ditëlindjen. Mbush 42 vjeçe. Në derë i kanë “behur” tufat me lule, pa të zotët. Është në vet-izolim si e gjithë popullata. Afrohet të shijojë erën e orkideve. Asgjë. Aroma nuk i çan hundën si herët e tjera. Një gulç i del nga kraharori. E ka disa herë këtë ndjesi. Nuk ia vë mendjen. S’e ka mësuar ende dallimin nëse duhet të shqetësohet apo jo.

Atë gulç që po e shtrydh, nuk e lidh as me virusin që po na pushton mendjen. “Asesi” – i thotë vetes. “Nuk kam temperaturë, as kollë dhe marr frymë lirisht”.

Dita sapo i ka filluar. Nis të përtypet ngadalë. Por nuhatja sërish nuk e ndihmon. Nuk ka oreks. Mendja i është hallakatur. Lë ishullin e guzhinës dhe i drejtohet dhomës së gjumit. Përkulet mbi shtrat dhe qëndron ashtu për një copë herë. Ka një dhimbje të fortë koke dhe balli sa nuk i del vendit…

Fillon të shqetësohet. Zbret shkallët e pallatit dhe bash në ditëlindjen e saj blen një aparat tensioni tek farmacia ngjitur lagjes. Presioni i gjakut është 16 me 11.

E mat disa herë gjatë ditës, por asgjë nuk ndryshon. As dhimbja e kokës.

Partneri i sugjeron të bëjë një test të Covid-19, proces që sapo ka filluar në atë spital. “Pse jo”, – i thotë vetes dhe atij.

Të hënën në darkë merr përgjigjen. Rezulton pozitive. Është prekur nga Covid-19. Partneri, jo.

Jo pak e trazuar nga e papritura, paketon gjërat nga shtëpia ku jeton. Merr laptopin dhe disa rroba të rehatshme sportive.

Vetëm pak ditë para, ajo ishte duke gatuar, vraponte në pistën e vrapit të instaluar në shtëpi dhe kërcente. Sot i ka humbur ajo energji. Nga e marta e kësaj jave, ajo është izoluar “bollshëm”. Është zhvendosur në një tjetër shtëpi, krejt vetëm…

Furnizimet i merr tek dera me maskë dhe doreza. Është në kontakt të vazhdueshëm me mjeken e familjes. Fut nën gjuhë Adalat për tensionin dhe pi Paracetomol çdo gjashtë orë. Temperaturën e ka 37. Nuk ka as kollë. Ka vetëm atë gulç që nuk e lëshon, pulsin “e ndezur”, dhe tepër…, tepër e lodhur. Oreksi nuk i është kthyer ende. Ka humbur 5 kg. Ha shpesh hudhra me djathë që të ngacmojë nuhatjen. Por jo. Të gjitha i duken njësoj. Thjesht një dëng i madh ushqimesh në tavolinë…

….42 vjecarja I.N nuk ka sistem imunitar të dobësuar. Ajo nuk përfshihet tek ata që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, targeti më i prekshëm ndaj komplikacioneve të COVID-19. Nuk ka temperaturë të lartë, siç e zë në kohë gripi. Nuk ka vuajtur nga tensioni apo frymëmarrja. Sic rrëfen për gazetën “Si”, ajo nuk pati shenjat tipike që trumbetojnë sot mjekët për Covid-19; temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Megjithatë, rezultoi pozitive. Sepse “tinëz” futet tek ajo përqindja tjetër e vogël (por po aq e rëndësishme), që njerëzit pak ia vënë veshin, madje edhe mjekësia…

Njeriu me të cilin bashkëjeton ka bërë dy herë testin. Është negativ. Por deri kur? Nëse ajo nuk do ta bënte testin atë të dielë jave, sot situata do të ishte tjetër për të dy…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat