Transnistria separatiste pretendon se ka pasur 'të shtëna' në një depo municioni

Bota

Transnistria separatiste pretendon se ka pasur 'të shtëna' në një depo municioni

Më: 27 prill 2022 Në ora: 14:35
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Ministria e vetëshpallur e Punëve të Brendshme e Transnistrisë, një rajon separatist moldav në kufi me Ukrainën, tha më 27 prill se u regjistruan të shtënat në një fshat me një depo të madhe municionesh ruse, pasi dronët u ngritën nga Ukraina.

“Disa dronë, mbrëmë, u vunë re në qiell mbi fshatin Kobasna”, ka publikuar kjo ministri në faqen e saj të internetit.

“Dronët u nisën në territorin e Transnistrisë nga drejtimi i Ukrainës”, theksohet në atë publikim.

Pretendimi, i cili nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, është i fundit në një seri pretendimesh të autoriteteve të Transnistrisë, të mbështetura nga Moska, të cilat përfshijnë akuzat për bombardimin e pretenduar të antenave të radios, një sulm ndaj një njësie ushtarake separatiste dhe shpërthime të drejtuara ndaj Ministrisë së sigurisë shtetërore të këtij rajoni separatist në Moldavi.

Zyrtarët e Transnistrias i kanë quajtur incidentet “sulme terroriste”, ndërsa Kremlini thotë se ato përbëjnë shkak për “shqetësim serioz”, gjatë kohës kur po ndodhë pushtimit rus në Ukrainën fqinje.

Transnistria, një rrip i ngushtë toke midis Moldavisë dhe Ukrainës, shpalli pavarësinë në vitin 1990.

Moldavia dhe Transnistria , në vitin 1992, zhvilluan një luftë të shkurtër, e cila shtypi forcat ruse që ndërhynë në anën e separatistëve. Rreth 1000 njerëz u vranë në atë konflikt.

Rusia ka rreth 1.400 trupa në Transnistria dhe kontrollon depo të mëdha armësh të epokës sovjetike, të cilat gjenden në rajon.

Në Kobasna, fshat rreth dy kilometra larg kufirit me Ukrainën, gjendet një prej depove më të mëdha të municioneve në Evropën Lindore. Aty janë magazinuar rreth 20.000 tonë municione të epokës sovjetike, të cilat ruhen nga rreth 1.500 ushtarë rusë.

Moldavia i ka bërë vazhdimisht thirrje Rusisë që të respektojë premtimin e dhënë në samitin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) të vitit 1999, për të evakuuar si depon e municioneve ashtu edhe trupat që e ruajnë atë.

Përveç trupave që pretendohet se ruajnë depon në Kobasna, Rusia ka 400 deri në 500 ushtarë të tjerë në Transnistria, të cilët llogariten si paqeruajtës që nga fundi i luftës së vitit 1992.

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të rrisin masat e sigurisë pas incidentit në Transnistri.

Më 26 prill, Sandu tha se sulmet e supozuara në Transnistri ishin një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet, duke fajësuar “fraksionet pro luftës” në atë territor.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë “ende duke analizuar shkaqet e shpërthimeve” në Moldavi.

“Është diçka në të cilën do të qëndrojmë të përqendruar”, tha Austin më 26 prill, gjatë një konference për shtyp në bazën e forcave ajrore Ramstein në Gjermani./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat