Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka njoftuar se mbi 10 mijë ushtarë rusë janë dorëzuar tek ukrainasit që nga fillim i luftës në këtë vend.
Kievi kishte hapur një linjë të veçantë telefonike përmes të cilës ushtarët e rekrutuar rusë mund të lajmëroheshin dhe të dorëzoheshin vullnetarisht, në këmbim të trajtimit sipas ligjeve.
Të gjithë ata që dëshironin t’i linin armët dhe të mos vrasin civilë, ukrainasit u premtonin tretman sipas konventave ndërkombëtare, ndërsa nga hapja e kësaj linje deri më tani janë dorëzuar 10 mijë ushtarë rusë.
Ata fillimisht duhej të telefonin dhe nga operatori kërkohej që ata të japin të dhënat e tyre, dhe në fund këshilloheshin sesi duhet të veprojnë.
Më vonë u dërgohej edhe lokacioni i vendit ku do të duhej të bëhej dorëzimi. Në fillim një dron shkonte për t’u bindur që nuk është ndonjë kurth, dhe më pas dilnin ushtarët ukrainas dhe i merrnin.
Këto pretendime i ka mbështetur edhe inteligjenca ukrainase, që njoftoi se shumica e të dorëzuarve janë rekrutuar dhe pa ndonjë përvojë luftarake.