Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi sot një rikthim të mandatit të Kombeve të Bashkuara për të hetuar sulmin me armë kimike në Siri.
Mekanizmi i Përbashkët i Hetimit (JIM), ekipi hetimor i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), u shpërbë pasi Rusia bllokoi dy përpjekie për të rinovuar mandatin e tij vitin e kaluar.
“Në konfliktin sirian, përdorimi i armëve kimike sfidon seriozisht tabunë botërore kundër këtyre armëve të shkatërrimit masiv”, deklaroi Guterres në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork.
“Nëse përdorimi i armëve kimike në Siri verifikohet sërish, komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë mënyrën e duhur për të identifikuar përgjegjësit dhe t’i vendosë ata para përgjegjësisë”, theksoi shefi i OKB-së.
Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley përsëriti të martën kritikat kundër Rusisë se po përdor fuqinë e vetos për të bllokuar një hetim më të thellë mbi sulmin me gaz në Siri, duke akuzuar Moskën se po mbron regjimin e Bashar al Asadit.