8 Prilli Dita e Romëve - Si „gjermanët“ ndryshojnë ngulimin më të madh të Europës

Bota

8 Prilli Dita e Romëve - Si „gjermanët“ ndryshojnë ngulimin më të madh të Europës

Më: 8 prill 2018 Në ora: 11:03
Foto ilustrim

Ata i thërrasin „gjermanët“. Mijëra romë nga rajoni bullgar i Stolipinovos vijnë si punëtorë sezonalë në Gjermani. Në pushimet e verës ata kthehen duke e ndryshuar ngadalë zonën ku jetojnë në Bullgari.

„Ka pasur punë në Gjermani vitin e kaluar: Prishja e ndërtesave parafabrikate, pa lëndë shpërthyese, me dorë. Kur një sipërmarrës turk kërkonte punëtorë, telefonte së pari në Stolipinovo, dhe burrat tanë niseshin që mëngjesin tjetër", rrëfen Gülce nga lagja rome Stolipinovo in Plovdivin bullgar. Shumica e të afërmve të saj jetojnë në Gjermani. Ka pasur disa familje që merrnin edhe ndihma sociale, por edhe ato kanë gjetur punë. Shumica e romëve të Stolipinovos punojnë në Dortmund, por edhe në Köln, thotë Gülce.

Stolipinovo, është ngulimi më i madh me romë në Europë, i ngritur në shekullin e 19-të e i njohur si „fshati i romëve" në afërsi të Plovdivit. Ndërkohë zona është zgjeruar, Stolipinovo gjendet në mes. Sipas disa llogaritjeve aty jetojnë 30.000 deri në 40.000 romë. Zona të le përshtypjen e një shembulli tipik të ndërtimeve ilegale. Kioska dhe baraka pa plan dhe leje ndërtimi. Bashkia i prish rregullisht, por ato ngrihen sërish.

Në një aksion të madh para dy vjetësh u prishën një sërë ndërtesash ilegale pas një ankese të fqinjëve: E pazakontë ishte se ankesat erdhën nga romët që fitonin mirë në Dortmund dhe që kishin ndërtuar shtëpi të mira në këtë rrugë. Ata i thërrasin në Stolipinovo „gjermanët".

"Kanë thjesht zakone të tjera"

"Kur ata kthehen në verë, dallohen menjëherë në rrugë. Në lagje unë dal gjithmonë me shapka, nuk e kam problem, kurse ata dalin të veshur me këpucë, janë të pastër", rrëfen Gülce. Jo, se ata duan të shesin mend, thjesht kanë zakone të tjera. Kjo më ka bërë edhe mua që të vishem më mirë, kur dal në rrugë."

Vitin e kaluar një grup vizitorësh erdhi nga Dortmundi në Stolipinovo –përfaqësues nga bashkia dhe organizata joqeveritare, që punojnë me romët në Gjermani. Ata donin të jepnin informacione, se në Gjermani një kontratë pune nuk merret sot me nesër dhe se kërkohen disa kritere për këtë. Së pari duhet mësimi i gjuhës, pastaj kualifikimi, mbledhja e dokumenteve, pas kësaj mund të punohet, thanë miqtë nga Dortmundi. Por në publik shihje fytyra të pakënaqura, nganjëherë pak të qeshura, mungesë mirëkuptimi, por megjithatë mesazhi mbërriti.

Shumë romë e kanë respektuar këtë. Brenda një viti 300 romë i kanë përmbushur kushtet e duhura dhe kanë filluar punë të rregullt në Gjermani. Janë këta që në pushimet e verës sjellin një mentalitet të ri në Stolipinovo. Por megjithatë ata mbeten pakicë, mijëra të tjerë që vijnë në Dortmund ose Köln nuk e kanë durimin për të pritur derisa të kalohen të gjitha pengesat.

Një shans "gjerman" në Stolipinovo

"Erdha me burrin dhe fëmijët në Gjermani, por nuk duruam dot më shumë se katër muaj. Nuk kishim letra, tezja e burrit donte 150 euro në muaj, që nuk i kishim, punë nuk gjetëm", rrëfen Nigiari. Familja e saj është kthyer, shumë të tjerë kanë qëndruar, shpesh duke punuar ilegalisht në gastronomi apo në ndërtim.

Fani është 30 vjeç. Ajo ka katër fëmijë dhe bashkëshorti punon. Ajo as që e mendon të shkojë në Gjermani. Bashkë me Nigiarin dhe katër gra të tjera ato e kanë gjetur shansin „gjerman" në Plovdiv në një rrobaqepësi që është ngriutr nga organizata humanitare bullgare dhe Rotary Club i Dortmundit. Gratë e papuna nga Stolipinovo, mund të trajnohen këtu gjashtë muaj rresht dhe mund të fillojnë punë në rrobaqepësi.

Qëkur romët falë lirisë së lëvizjes mund të punojnë në BE janë ngritur shtëpi të reja në Stolipinovo- Shumica ilegalisht. Disa nga „gjermanët" blejnë edhe apartamente në ndërtesat parafabrikate në periferi, zona që nuk banohen nga romët. Kështu, kur kthehen në verë, ata banojnë në zona më të „civilizuara", të pastra dhe legalisht. Në dimër zona e Stolipinovos është e trishtë, ndryshe nga vera, ku ka shumë  gjallëri. „Ne presim të kthehen ‚gjermanët‘", thotë Gülce që ka një dyqan ushqimor.

"Në Turqi na rrahin, në Gjermani na ndihmojnë "

Stolipinovo po ndryshon ngadalë, shenjat e para duken. Nigiar i thotë reporteres „E di ti motër, në Gjermani po hodhe edhe një farë luledielli në rrugë të vjen policia të gjobit". Në Stolipinovo koshat e plehrave janë të pakët, bashkia nuk tregon shumë kujdes. Tani Gülce ka vendosur dy kosha plehrash para hyrjes së dyqanit, që rruga të mbetet e pastër. Këtë e pashë në Dortmund, thotë ajo, kur vizitova nipin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat