OSHEE: Për 8 muaj niveli i humbjeve u ul në 28.1%

Ekonomi

OSHEE: Për 8 muaj niveli i humbjeve u ul në 28.1%

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 15:39
Ilustrim

Janë publikuar treguesit kryesor të aktivitetit 8-mujor (janar-gusht 2016), nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Treguesi i humbjeve ka pësuar një ulje të ndjeshme në 28.1% për këtë periudhë të vitit”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së. Kjo e fundit ka mundur të grumbullojë nga arkëtimet për furnizimin me energji elektrike shumën prej 40.7 miliardë lekësh prej të cilave 2.6 miliardë lekë janë nga aktmarrëveshjet ndërsa 38.1 miliardë lekë nga faturat.

Sipas OSHEE-së, gjatë këtij 8-mujori janë kryer 21.342 lidhje të reja të energjisë elektrike ku kryesojnë me këtë tregues Tirana, Durrësi, Fieri dhe Shkodra.

“Ndërkaq, rezulton të jenë instaluar në total një numër prej 51.283 matësish të energjisë elektrike ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin instaluar 34.034 matës”, vijon njoftimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë 8-muajve të këtij viti janë nënshkruar 50.613 aktmarrëveshje të reja prej të cilave 46.238 i takojnë abonentëve familjarë ndërsa 4.375 të tilla me abonentët biznes.

Totali i aktmarrëveshjeve  te lidhura nga dhjetori i 2014-s deri në gusht të vitit 2016 ka arritur në 442.113.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat