Orgjia në Bruksel, jep dorëheqje politikani hungarez

Evropë

Orgjia në Bruksel, jep dorëheqje politikani hungarez

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 23:47
Jozsef Szajer

Një politikan hungarez ka dhënë dorëheqje nga partia në pushtet në Hungari, Fidesz, pas pjesëmarrjes së tij në atë që mediat belge e kanë quajtur orgji në Bruksel.

Kjo ndenjë është organizuar në kundërshtim me kufizimet me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Dorëheqja e Jozsef Szajer më 2 dhjetor ka ardhur një ditë pasi ai ka pranuar se ka qenë pjesë e ndenjës private më 27 nëntor dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit në Parlamentin Evropian.

“Këto veprime të shokut tonë deputet nuk janë në përputhje me vlerat e familjes sonë politike”, ka thënë kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Szajer është themelues i partisë Fidesz, të cilën Orban e ka përdorur për të miratuar politika autoritare në Hungari.

Kjo parti përkrah qasje konservatore të vlerave të krishtera dhe është kundër çështjeve që lidhen me komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor­).

Szájer është po ashtu bashkë-autor i ndryshimit kontrovers kushtetues më 2010 që ka definuar martesën vetëm si bashkim në mes të burrit dhe gruas.

Mediat belge e kanë përshkruar ndenjën ku ka marrë pjesë Szajer si orgji në kushte të izolimit, në të cilën dyshohet se kanë marrë pjesë vetëm burra, duke përfshirë diplomatë.

Policia belge, që ka ndaluar 20 persona, ka thënë se Szajer është parë duke ikur nga një “tubacion kullues” i ndërtesës dhe se “narkotikë janë gjetur në çantën e tij”.

Më pas ai është dërguar në shtëpinë e tij dhe është identifikuar me pasaportën e tij diplomatike, ka thënë policia.

Szajer, 59-vjeçar ka thënë përmes një deklarate se nuk ka përdorur drogë dhe se “nuk ka pasur njohuri” për narkotikët e gjetur në çantën e tij.

Teksa ka bërë të ditur dorëheqjen e tij si deputet evropian, ai ka thënë se “pjesëmarrja në problemet e politikave ditore ka qenë barrë e madhe emocionale” për të.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat