“Nord Stream 2” probleme me licensimin, rregullatori gjerman pezullon projektin

Evropë

“Nord Stream 2” probleme me licensimin, rregullatori gjerman pezullon projektin

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 00:20
“Nord Stream 2”

Enti rregullator gjerman i energjisë ka pezulluar procesin e çertifikimit të tubacionit të ri të madh që do të sjellë gaz nga Rusia në Evropë, duke krijuar një pengesë të re për projektin e diskutueshëm, çka u shoqërua edhe me rritje të çmimit rajonal të gazit.

Enti mbikëqyrës tha të martën se kishte ndaluar përkohësisht procesin e çertifikimit pasi sipas ligjit gjerman, konsorciumi me bazë në Zvicër, i cili qëndron pas projektit “Nord Stream 2”, duket të kishte hapur fillimisht një degë gjermane të kompanisë, në mënyrë që të siguronte një licencë për të nisur veprimtarinë.

Pas njoftimeve për bllokim të projektit, çmimet evropiane të gazit u ngritën pothuajse 11%.

"Kjo i shtyn shumë afatet kohore të pritshme (për vënien në funksion të gazsjellësit)", thotë analisti Trevor Sikorski i kompanisë Energy Aspects me seli në Agli që ofron analiza mbi tregun e energjisë. Ai shton se mbetet e paqartë se sa kohë do të zgjaste procesi i krijimit të një kompanie të re dhe riaplikimi për liçencë.

Ai shtoi se duket shumë e pamundur që gazsjellësi të nisë të fuksionojë në gjysmën e parë të vitit 2022, ashtu sikurse është parashikuar.

“Nord Stream 2” është përballur me kundërshtime të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat thonë se kjo gjë do ta bënte Evropën shumë të varur nga gazi rus. Por disa qeveri të tjera evropiane thonë se projekti është jetik për të siguruar furnizimin me energji, në kushtet kur në javët e fundit çmimet e gazit kanë pësuar rritje dhe për shkak të probleme me ndërprerjet e energjisë, që janë të mundshme me afrimin e sezonit të dimrit.

Përfaqësuesit e projektit “Nord Stream 2” thanë se ishte njoftuar nga enti rregullator gjerman lidhur me vendimin për licensim. “Nuk jemi në gjendje të komentojmë detajet mbi procedurën, kohëzgjatjen e mundshme të saj dhe ndikimin që do të ketë për sa i takon kohës së fillimit të punës së gazsjellësit”, thanë ata më tej.

Kremlini nuk ka komentuar ende mbi çështjen.

“Çdo vonesë në licensimin e gazsjellësit, aq më tepër në prag të dimrit, nuk është në interes të Bashkimit Evropian, pa asnjë dyshim”, tha për agjencinë e lajmeve TASS, Konstantin Kosachyov, zëvendëskryetar i dhomës së lartë të parlamentit rus.

Enti rregullator gjerman “Bundesnetzagentur” bëri të ditur se do të niste vlerësimin e aplikimit vetëm pas një transferimi të pronave dhe buxhetit kryesor tek dega gjermane e kompanisë, në përputhje me ligjin gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat