Pse Rusia dëshiron të ndalojë Jewish Agency for Israel?

Evropë

Pse Rusia dëshiron të ndalojë Jewish Agency for Israel?

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

Ministria ruse e Drejtësisë dëshiron të mbyllë një agjenci izraelite që mbështet emigrantët hebrenj. Po pse? A vjen kjo si pasojë e qëndrimit të Izraelit ndaj luftës në Ukrainë?

Marrëdhënia midis Rusisë dhe Izraelit është më e tensionuar se përpara. Pavarësisht thirrjeve telefonike në nivelin më të lartë, Agjencia Hebraike ("Sochnut") (Jewish Agency "Sochnut"), kërcënohet me mbylljen e përfaqësisë së saj në Rusi. Një gjykatë në Moskë vendos mbi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndalimin e punës së kësaj agjencie.

Për sfondin e këtij vendimi të mundshëm po flitet prej javësh në të dy vendet. Gazetarët nga departamenti rus i transmetuesit ndërkombëtar britanik BBC raportuan për një letër prej 20 faqesh që Ministria e Drejtësisë thuhet se ia kishte dërguar Agjencisë në qershor. Letra thuhet se përmbante një listë të tërë akuzash dhe parregullsish. Sipas një burimi anonim në përfaqësinë ruse të agjencisë, kishte dy kritika kryesore: trajtimi i të dhënave personale që u mblodhën dhe dërgoheshin jashtë vendit, dhe e ashtuquajtura ikja e trurit, pra ikja e fuqisë së kualifikuar punëtore.

"Fakti që ne po ndihmojmë njerëzit të largohen nga vendi, ka një ndikim negativ në ekonominë dhe perspektivat e Federatës Ruse”, tha burimi i BBC, lidhur me kritikat e qeverisë ruse të shkruara në këtë letër. Sipas shifrave zyrtare, rreth katër milionë rusë u larguan nga vendi në tremujorin e parë të 2022 – një rritje prej 46 përqind krahasuar me vitin e kaluar, raportojnë mediat ruse.

Si ndihmon Jewish Agency rusët të ikin nga vendi?

Jewish Agency ka dy detyra kryesore: të mbështesë hebrenjtë në mbarë botën në kthimin e tyre në Izrael dhe të forcojë identitetin hebre. Agjencia drejton kurse të gjuhës hebraike, programe arsimore dhe ndihmon ata në nevojë në Izrael dhe jashtë tij. Në Rusi, organizata mbështet, ndër të tjera, strukturat partnere që ndihmojnë të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara - hebrenj dhe johebrenj.

Agjencia u themelua në vitin 1929 dhe ka zyra në mbarë botën. Ajo ka qenë aktive në Rusi që nga viti 1989, kur filloi një emigrim masiv i hebrenjve sovjetikë në Izrael. Por Jewish Agency nuk reklamon emigracionin, ndonëse ndihmon ata që kanë të drejtë. Agjencia paguan biletat e avionit për në Izrael dhe ndihmon në ndërtimin e një jete të re në vend.

Sipas Jewish Agency, numri i emigrantëve nga Rusia u rrit me 10 përqind në vitin 2021, në rreth 7.500 njerëz. Kështu, Rusia ishte e para si vendi prej nga u larguan migrantët hebre dhe shkuan në Izrael.

Jewish Agency ishte "në shënjestër të autoriteteve ruse” pas shpërthimit të luftës në Ukrainë në vitin 2014, tha në një intervistë për DW ish-kreu i saj, ish-ministri izraelit dhe dikur disidenti sovjetik Natan Sharanski. Kur u ngritën tensionet me Perëndimin për herë të parë, Rusia i ndaloi OJQ-të të mblidhnin të dhëna për qytetarët rusë dhe t'i ruanin ato jashtë vendit. "Kjo nuk është e mundur me Agjencinë, sepse pikërisht kjo është puna e saj, ajo kontakton me njerëz që kanë të drejtë të emigrojnë, drejton programe të ndryshme dhe ndihmon ata për të shkuar në Izrael”, tha Sharanski.

Presioni politik 

Gazeta izraelite The Jerusalem Post dyshon se pas këtyre vendimeve fshihet presioni politik rus. Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Izraelit janë bërë më të komplikuara pas pushtimit rus të Ukrainës. Izraeli ka shprehur mbështetje për Ukrainën dhe ka kritikuar Moskën, por nuk ka mbajtur anën e sanksioneve perëndimore. Në maj, një deklaratë e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov shkaktoi një skandal. Në një intervistë, Lavrov e krahasoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski me Hitlerin: "Mund të gaboj. Por edhe Adolf Hitleri kishte gjak hebre". Presidenti rus Vladimir Putin më vonë i kërkoi falje kryeministrit të atëhershëm izraelit Naftali Bennett për këto deklarata.

Ministri izraelit i Çështjeve të Diasporës Nachman Shai sheh një lidhje të drejtpërdrejtë midis vendimit të Ministrisë ruse të Drejtësisë për mbylljen e Jewish Agency dhe qëndrimit të qeverisë izraelite ndaj pushtimit rus të Ukrainës. "Hebrenjtë rusë nuk do të mbahen peng në luftën në Ukrainë”, citohet të ketë thënë ai nga The Times of Israel. Përpjekja për të ndëshkuar Agjencinë për qëndrimin izraelit është "e kritikueshme dhe lënduese".

Në fund të korrikut, kryeministri izraelit Jair Lapid paralajmëroi për pasoja të rënda për marrëdhëniet ruso-izraelite nëse Jewish Agency vërtet ndalohet. Më 9 gusht, ka pasur edhe një telefonatë midis Putinit dhe kolegut të tij izraelit Isaac Herzog për këtë shkak. Sipas Kremlinit, ata kanë rënë dakord për kontakte të mëtejshme në nivel të autoriteteve përgjegjëse.

Jewish Agency me sa duket po përgatitet për një rast emergjent. E gjithë puna do të bëhet "online ose me telefon", thuhet në Jerusalem Post. Por ndihma në vend në Rusi, do të ishte e pamundur në rast të mbylljes./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat