Çahet dega e PDK-së në Ferizaj, një prej themeluesve nuk përjashton largimin nga partia - Bota Sot
Çahet dega e PDK-së në Ferizaj, një prej themeluesve nuk përjashton largimin nga partia

Ferizaj

Çahet dega e PDK-së në Ferizaj, një prej themeluesve nuk përjashton largimin nga partia

Më: 27 prill 2019 Në ora: 18:47
Në Ferizaj sot Agim Aliu është zgjedhur në krye të kësaj dege, pa asnjë kundërkandidat.

Një prej degëve më të mëdha të Partisë Demokratike të Kosovës, ajo e Ferizajt, është përçarë në kohën kur kjo parti është duke zhvilluar zgjedhjet e brendshme.

Në Ferizaj sot Agim Aliu është zgjedhur në krye të kësaj dege, pa asnjë kundërkandidat.

Mirëpo në këto zgjedhje të brendshme nuk po merr pjesë fare, njëri prej themeluesve të kësaj dege, Nehat Mustafa.

Ai ka thënë se nuk po merr pjesë fare në procesin e zgjedhjeve të brendshme, pasi sipas tij ende pa përfunduar Kuvendi zgjedhor, dihet se kush do të jetë kryetar.

Mustafa thotë se gjithë kjo është një pazar i ndytë në mes të grupeve të interesit, e në dëm të aktivistëve të devotshëm të kësaj partie, për të cilët thotë se herët apo vonë do të nxjerrin në pah pakënaqësitë e tyre.

“Edhe pse jam një nga themeluesit e degës, nuk kam marrë pjesë në procesin zgjedhor nëpër nëndegë dhe as sot në Kuvendin e degës, kuvend në të cilin ende pa përfunduar votimet dihen rezultatet, krejt kjo si pasojë e pazareve të ndyta mes grupeve të interesit në dëm të aktivistëve të devotshëm”, ka thënë ai.

Ai thotë se vendimin për të mos u përfshirë fare në proces e ka marrë pasi që konsideron se dega e PDK’së në Ferizaj është uzurpuar nga një grup njerëzisht, dhe se qeverisja e PDK’së në Ferizaj ka degraduar.

“Unë para gati një viti, i pa kënaqur me mënyrën e qeverisje komunale qindra punësimeve pa kriter përmes kontratave në vepër, nepotizmit, masakrës urbanistike, shndërrimit të këshilltarëve komunal në makina votimit, dhe bllokimin e funksionimit të kryesisë së Këshillit Drejtues të Degës apo më mirë të themi uzurpimit të degës nga dy tre veta, fillimisht jam larguar nga Grupi i Këshilltarëve Komunal, dhe na atëherë më nuk kam marrë pjesë as në mbledhjet e kryesisë.

Zyrtari i PDK’së thotë se pakënaqësi të ngjashme kanë edhe një numër i madh i anëtarëve të PDK-së, dhe paralajmëron që ata do të reagojnë me kohën.

“Nuk është dhënë asnjë sinjal se gjendja në PDK në Ferizaj mund të ndryshojë, prandaj edhe nuk e kam parë të arsyeshme të prezantoj në Kuvend. Numri i atyre që nuk pajtohet me këtë gjendje është i madh, dhe me kalimin e kohës do të vërehet edhe reagimi i tyre konkret”, është shprehur Mustafa.

I pyetur se a e ka njoftuar kreun e PDK’së, Kadri Veselin, lidhur me këto zhvillime, Mustafa thotë se nuk e ka bërë një gjë të tillë, pasi thotë që Veseli e di saktësisht se si qëndron puna në degën e Ferizajt.

“ Personalisht nuk e kam kontaktuar kryetarin Veseli për të diskutuar për këtë çështje. Por ai e di saktësisht e si është situata”, ka shtuar ai.

I pyetur nga Express nëse do të largohet plotësisht nga partia, Mustafa thotë se ende nuk ka menduar për një gjë të tillë, megjithatë potencon se nuk e përjashton asnjë veprim në të ardhmen.

“Nuk e kam menduar ende një gjë të tillë, por e di mirë që ende shumë mund t’i jap skenës politike lokale dhe asaj qendrore. Pra, konfirmoj që do të veproj vareshit rrethanave që do të krijohen në konsultim edhe me përkrahësit e mi dhe nuk përjashtoj asnjë veprim për të ardhmen”, ka përfunduar Nehat Mustafa.

“Procesi zgjedhor është duke u mbajtur në degën e 33 sot në Ferizaj. PDK’ja. Agim Aliu është kandidati i vetëm’ , ka thënë anëtari i Komisionit Qendror të PDK’së, Betim Gjoshi.

Gjoshi ka treguar se gjatë ditës së nesërme do të vazhdojnë me zgjedhjene kryetarit të PDK’së në degën e Mitrovicës.

“I kemi edhe katër kuvende zgjedhore, pas dy jave do ta përmbyllim edhe Prishtinën, dhe pastaj do të fillojmë përgatitjet për Kuvendin Qendror. Zgjedhjet nëpër degë përfundojnë me 12 maj, pastaj pas 7 dite apo 10 dite do të caktojmë Kuvendin Qendror. Do të jetë një konventë dy ditore”, ka shpjeguar Gjoshi.

Deri tani për kryetar të PDK’së , si kandidat potencial është Kadri Veseli, edhe pse jo zyrtarisht. Deri tani nuk ka sinjale se ai mund të sfidohet nga ndonjë kundërkandidat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...