Sharl Lëklerk do të nisë sezonin e nëntë me Ferrarin, me Botërorin 2026 të Formulës që starton këtë fundjave në Melburn. Pas një viti 2025 për t’u harruar, piloti nga Monako, i sapomartuar, shpreson të jetë në garë për titullin kampion.
“Ambicia ime është të fitoj Kampionatin Botëror me Ferrarin.
Është diçka shumë e fortë, që do të mbetet me mua për aq kohë sa të jem në gjendje ta ndjek.
Është ende herët për të bërë parashikime, sepse nuk e dimë potencialin real të rivalëve. Mercedesi,
MekLareni dhe Red Bulli duken shumë të përgatitura, shumë të forta dhe mjaft pranë njëra-tjetrës, por ndoshta Mercedesi është pak përpara”, shprehet Lëklerk. Ai thekson rëndësinë e nisjes nga një fletë e bardhë dhe u rikthye te testet parasezonale:
“Kemi punuar mirë. Gjithçka ka rrjedhur në mënyrë perfekte, nuk kemi pasur probleme të mëdha. Ajo që donim të kuptonim, e verifikuam, por do të presim konfirmimet në Australi”. Ferrari duket se ka një avantazh në start: “Është diçka që e kemi marrë në konsideratë që në fillim, që kur nisëm të përqendroheshim te kjo rregullore e re.
Nisja nuk duket të jetë një pikë e dobët për ne”. Sa i përket stilit të ri të pilotimit, ai deklaron: “Nga ajo që është parë në pistë, nuk ka surpriza.
Disa përdorin marshe më të ulëta për të rikarikuar më shumë baterinë, por kjo ishte e pritshme”. Do të duhet më shumë forcë apo më shumë mendje? Përgjigjja e tij është e qartë: “
Forca do të duhet si gjithmonë, ndërsa mendja edhe më shumë se më parë. Faktorët që bëjnë diferencën nuk do të ndryshojnë”, përfundon Lëklerk.