Alonso paralajmëron për të ardhmen

Formula 1

Alonso paralajmëron për të ardhmen

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 13:59
Alonso dhe shefi i tij i marrëdhënieve me shtypin, Michael Clayton, në Las Vegas

Fernando Alonso ka dhënë një sinjal të fortë për fundin e karrierës së tij në Formula 1, duke pranuar se nuk pret të jetë pjesë e kampionatit kur të rikthehen motorët V8 në vitin 2030.

Pas marrëveshjes paraprake mes FIA-s, Formula 1 dhe prodhuesve të motorëve, është vendosur që motorët e rinj V8 turbo të futen në përdorim nga viti 2030, një vit më herët sesa ishte planifikuar.

Alonso: Nuk do të jem në Formula 1 në vitin 2030

Kur u pyet nëse do të garojë me motorët e rinj V8, Alonso u përgjigj prerazi: "Jo, pa dyshim që nuk do të jem aty për motorët e rinj V8."

Piloti spanjoll, i cili do të jetë 49 vjeç në vitin 2030, pranoi se edhe vetë është befasuar nga vazhdimi i gjatë i karrierës së tij.

"Edhe unë jam habitur me veten, por këtë herë besoj se është përfundimtare", deklaroi Alonso.

Megjithatë, ai nuk e ka përcaktuar ende saktësisht vitin e tërheqjes.

2027 apo 2028? Gjithçka varet nga Aston Martin

Sipas raportimit të “Marca-s”, Alonso mund të largohet nga Formula 1 në vitin 2027, por nuk përjashtohet vazhdimi edhe në vitin 2028.

Gjithçka do të varet nga konkurrenca e Aston Martinit. Nëse skuadra do të jetë në gjendje të luftojë për fitore dhe për titullin e tretë botëror të spanjollit, ai mund të vendosë të qëndrojë edhe një sezon tjetër.

Alonso ka bërë të ditur se pas largimit nga Formula 1 dëshiron të provojë sfida të tjera, ndër të cilat edhe rikthimin në garën legjendare Indy 500.

Alonso nuk e fshehu zhgënjimin për faktin se motorët V8 nuk do të rikthehen më herët.

"Më vjen keq që nuk i kishim që në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2030 janë 16 apo 17 vite të humbura të garave të pastra", u shpreh piloti spanjoll.

Ai kujtoi se Formula 1 kaloi nga motorët V8 te motorët V6 turbo-hibridë në vitin 2014, një ndryshim që sipas tij nuk i ka bindur plotësisht pilotët.

Alonso, i cili fitoi dy tituj botërorë me Renault në vitet 2005 dhe 2006, gjithmonë ka shprehur nostalgji për motorët V10 dhe V8, të cilët ofronin një përvojë krejtësisht tjetër në pistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat