Pas fitimit të titullit botëror në moshën 20-vjeçare, Kimi Antonelli nuk ka hyrë vetëm në historinë e Formula 1, por ka ngritur edhe një pyetje të madhe: a kemi përballë kampionin e ardhshëm dominues të këtij sporti?
Analiza e publikuar nga Flashscore vë në pah se sezoni 2026 i italianit ishte mbresëlënës, veçanërisht duke pasur parasysh se ky ishte vetëm edicioni i tij i dytë në Formula 1.
Një prej treguesve më të rëndësishëm është krahasimi me bashkëngasësin e tij te Mercedes, George Russell. Në 17 garat që të dy i përfunduan, Antonelli doli përpara britanikut në 12 prej tyre.
Në kualifikime, ai gjithashtu kishte epërsi të lehtë, edhe pse Russell pati disa probleme mekanike gjatë sezonit që ndikuan në rezultatet e tij.
Italiani regjistroi pesë fitore radhazi gjatë sezonit, arriti gjithsej nëntë triumfe dhe vendosi disa rekorde, përfshirë atë të pilotit më të ri që fiton titullin botëror, në moshën 20-vjeçare e 68-ditëshe.
Paraqitjet e tij kanë marrë vlerësime edhe nga kampionët e tjerë. Max Verstappen e cilësoi arritjen e tij si jashtëzakonisht mbresëlënëse.
“Për ta arritur këtë në sezonin e dytë në Formula 1 është gjithmonë shumë mbresëlënëse. Ai ka qenë shumë i qëndrueshëm dhe nuk ka bërë gabime të mëdha”, deklaroi holandezi, duke e cilësuar Antonellin kampion të merituar.
Edhe Lando Norris, kampioni i larguar, kërkoi që suksesi i italianit të vlerësohet më shumë.
“Ai i ka lënë të gjithë pa fjalë me atë që ka arritur këtë sezon”, u shpreh Norris.
Vetë Antonelli, pas konfirmimit të titullit në Çmimin e Madh të Meksikës, theksoi rëndësinë e mbështetjes që kishte marrë gjatë rrugëtimit të tij.
“Pa Mercedesin dhe familjen time, nuk do të isha këtu. Ky moment do të mbetet përgjithmonë”, deklaroi 20-vjeçari.
Megjithatë, analiza e Flashscore thekson se është ende herët për ta vendosur Antonellin në të njëjtin nivel me Verstappenin. Italiani ka dëshmuar se mund të luftojë në majë, por sfida e ardhshme do të jetë të konfirmojë këtë nivel edhe në sezonet pasuese, veçanërisht nëse përballet me rivalë me makina të barabarta.
Një gjë është e qartë: në vetëm dy sezone në Formula 1, Antonelli ka kaluar nga një talent premtues në kampion bote dhe tashmë konsiderohet një nga emrat që mund të përcaktojnë epokën e ardhshme të këtij sporti.