Ish-kryeshefi ekzekutiv i “Çabratit”: Ardian Gjini më shkarkoi për arsye politike

Gjakova

Ish-kryeshefi ekzekutiv i “Çabratit”: Ardian Gjini më shkarkoi për arsye politike

Më: 27 janar 2020 Në ora: 09:41
Berat Hadri

Pak ditë më parë, Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë, Berat Hadri, është shkarkuar nga kjo detyrë nga bordi i ri i emëruar në janar të vitit 2020.

Ai në Sytë 7 ka thënë se arsyeja e shkarkimit të tij është krejt politike.

“Arsyeja e shkarkimit është politike. Kryetari i komunës, Ardian Gjini, e ka prishur koalicionin me Degën e PDK-së në Gjakovë erdhi edhe deri te shkarkimi im. Edhe pse kjo nuk është pozitë politike, sepse është pozitë me konkurs, por kjo ndodhi për arsye të politikës”.

Ai ka deklaruar se ndërmarrjen e gjeti me shumë probleme dhe borxhe, derisa ka shtuar se nën menaxhimin e tij gjendja është përmirësuar shumë.

“Punën e kam filluar më 1 tetor të vitit 2018. Kur e kam pranuar këtë pozitë, ndërmarrja kishte jashtëzakonisht shumë probleme financiare, organizative edhe operative. Kishte mbi 100 mijë euro obligime financiare”.

“Tani ndërmarrjen e kam lënë në gjendje stabile dhe qëndron shumë mirë financiarisht, pasi ka mbi 100 mijë euro mjete financiare në llogari. Ndërmarrja kishte shumë probleme, por me një menaxhim të mirë së bashku me krejt puëntorët që e kanë kryer punën e tyre kemi arritur që të dalim në fitim”.

“Kemi zbatuar Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave e cila ka qenë në fuqi, por nuk është zbatuar. Kemi bërë zgjerimin e Planit Operativ ose zgjerimin e shërbimit ku kemi arritur që të shërbejmë më shumë se 3000 amvisëri që nuk kanë qenë në shërbim”.

“Ne kemi funksionuar me të njëjtat kapacitete dhe burime njerëzore të ndërmarrjes. Por, kemi arritur që ndërmarrja të ketë 22 për qind të hyra më shumë se sa në vitet paraprake”.

Hadri ka hedhur akuza ndaj kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit, për shkarkimin e tij.

“Kjo çështje i ka penguar kryetarit të komunës [Ardian Gjini], sepse nuk kishte qasje që të zhvatë dhe të veprojë si të dojë. Pas prishjes së koalicionit, e ka ftuar Bordin e Drejtorëve të cilëve u ka kërkuar që ta shkarkojnë Kryeshefin Ekzekutiv”.

“Bordi e ka kundërshtuar shkarkimin tim, pasi nuk kishte arsye për shkarkim. Ai më pas e shkarkoi Bordin e Drejtorëve përmes aksionarit dhe e shpalli konkursin. E emëroi bordin e ri, si piun të tij, që në mbledhjen e parë më kanë shkarkuar pa arsyetim dhe këshillë juridike”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat