Gjilani angazhoi kompani që nuk i kishin pajisjet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve - Bota Sot
Gjilani angazhoi kompani që nuk i kishin pajisjet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve

Gjilani

Gjilani angazhoi kompani që nuk i kishin pajisjet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 16:50
Foto Ilustrim

Komuna e Gjilanit ka angazhuar kompani për ndërtimin e rrugëve të cilat janë shpërblyer me miliona euro për implementimin e punimeve mirëpo ka rezultuar se këto kompani nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme për kryerjen e punimeve të cilat janë përcaktuar në dosjen e tenderit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin me gjetjet për komunën e Gjilanit për vitin 2019 dhe gjetjet tregojnë se komuna ka shpallur fituese ato kompani të cilat nuk kanë mekanizmin e duhur. Zyra Kombëtare në raport i tërheq vërejtjen komunës se shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomikë të cilët nuk plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit mund të ndikojë që të njëjtit të mos mund t’i përfundojnë punët siç kërkohet.

“Te procedura e prokurimit ‘Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e dytë’ në vlerë prej 2 milion e 388 mijë euro kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të kenë çekiç pneumatik, dhe një inxhinier apo bachelor të hidroteknikës me përvojë profesionale minimum 2 vite pas diplomimit në realizimin e projekteve të ngjashme dhe të caktohet me shkresë dhe të jetë nënshkruar nga inxhinieri dhe kompania. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit, dhe as dëshmi për kualifikimin dhe përvojën profesionale të inxhinierit të hidroteknikës”, thuhet në raportin e auditorit.

Gjithashtu në raportin e Auditorit përmenden edhe lëshimet në tenderin e rrugës “Vërbicë e Zhegovcit-Sllovi” në vlerë prej 1 milion e 346 mijë euro ku edhe në këtë rast operatori ekonomik nuk kishte pajisjet e nevojshme.

Po ashtu lëshime kishte pasur edhe në tenderin për asfaltimin e rrugëve në fshatin Livoq të Ulët në vlerë prej 466 mijë eurosh ku edhe në këtë rast operator ishte shpërblyer, por që nuk kishte ofruar asnjë dëshmi se kishte pajisjet e nevojshme për të kryer punimet.

Telashe tjera kishte edhe në procedurën e prokurimit që është “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese në vlerë prej 377 mijë euro”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat