Mbi 40 qytetarë të Gjilanit humbën jetën si pasojë e koronavirusit

Gjilani

Mbi 40 qytetarë të Gjilanit humbën jetën si pasojë e koronavirusit

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 16:37
Arbër Ismajli

Komiteti i Emergjencave për parandalimin e virusit Covid-19, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në vlerësimin e gjendjes në 24 orët e fundit, konstaton rënie të numrit të të infektuarve, pasi që nga 46 mostra të testuara vetëm tri raste kanë rezultuar pozitive dhe 4 pacientë janë shëruar plotësisht.

Ismajli ka thënë se nga mostrat e testuara në 10 ditëshin e fundit ka pak raste pozitive dhe numër më të madh të të shëruarve që, sipas tij, është gjë optimiste.

“Ka rënie të rasteve pozitive, në mostrat e 10 ditëve të fundit, ndërsa për fat të mirë numri i pacientëve të shëruar është gjithnjë e më i madh. Sot në rezultatet e fundit nga 46 mostra janë vetëm 3 raste pozitive dhe 4 raste të shëruara plotësisht. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi të qetë, por edhe më tutje në bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivelin lokal dhe atë regjional, do të vazhdojmë respektimin e masave mbrojtëse, falë edhe përkrahjes që kemi nga sektori privat i biznesit dhe kultura e lartë qytetare në respektimin e rekomandimeve të shtetit”, ka thënë ai.

Një lajm i mirë, ai vlerëson ai se është edhe gatishmëria maksimale e stafit mjekësor për të përcjellë në aspektin shëndetësor nxënësit dhe mësimdhënësit, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë në bazë të planifikimit deri në stabilizimin e plotë të gjendjes me virusin.

“Mjekët në dy nivelet e organizimit të shëndetësisë, emergjencat civile, Policia e Kosovës, zjarrëfikësit dhe të gjitha institucionet publike, janë të angazhuar maksimalisht në mbështetjen e mbarvajtjes së procesit të mësimit nëpër shkollat e Gjilanit”, citohet të ketë thënë ai.

Në bazë të statistikave që ka publikuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmohet se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka konfirmuar gjithsej 933 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 777 pacientë, 41 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 116 pacientë, prej tyre 27 të hospitalizuar dhe gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat