Komuna e Gjilanit s’ka buxhet për t’i ndihmuar financiarisht qytetarët e saj të infektuar me COVID-19

Gjilani

Komuna e Gjilanit s’ka buxhet për t’i ndihmuar financiarisht qytetarët e saj të infektuar me COVID-19

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Komuna e Gjilanit nuk ka buxhet që t’i ndihmoj financiarisht qytetarët e saj të infektuar me COVID-19.. Ndonëse shpenzimet që kanë bërë qytetarët kanë qenë të larta, ata ende nuk kanë arritur të marrin asnjë ndihmë nga shteti.

Rreth 500 euro i kanë kushtuar të gjitha barnat e analizat që ka kryer për shkak të infektimit me COVID-19.

Një nga pacientët e infektuar me këtë virus ka treguar për Express se për 2 javë kishte qenë i shtrirë në Spitalin e Gjilanit pas infektimit me koronavirus. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, atij i ishte dashur që të shtriheJ në këtë spital.

Ai ka treguar se rreth 500 euro i ka shpenzuar gjatë kohës sa ka qenë i shtrirë në spital, për barna e analiza.

“Vetëm analizën e D-dimerit që kushton 15 euro e kam kryer 2 herë e më shumë në javë, pastaj kam kryer edhe analiza tjera, e kam blerë barna të cilat nuk kanë qenë në spital. Diku 500 euro më kanë kushtuar të gjitha gjatë kohës sa kam qenë i shtrirë, ndërsa edhe pasi jam liruar më është dashur të blejë fraxiparina e barna tjera. Të gjitha nga gjepi im”, ka thënë ai.

Edhe pse disa nga barnat nuk i janë siguruar nga shteti, e disa nga analizat nuk kryheshin në institucionet publike shëndetësore, atij komuna nuk i ka ndihmuar asgjë financiarisht.

Derisa shumë nga komunat tjera kanë ndarë subvencione për qytetarët, disa nga 50 euro, e disa nga 500, nga komuna e Gjilanit nuk ua kanë ndarë asnjë cent personave të infektuar.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Arbër Ismajli, ka thënë për Express, se përkundër që e kanë diskutuar pjesën e subvencionimit, komuna nuk ka buxhet për ta bërë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se të gjitha mjetet e ndara nga Qeveria vitin e kaluar janë destinuar për blerjen e barnave dhe pajisjeve mbrojtëse gjatë pandemisë.

“Ne momentalisht nuk kemi mundësi buxhetore. Të gjitha mjetet që janë ndarë nga Qeveria ne i kemi destinuar vitin e kaluar për blerje të pajisjeve mbrojtëse, barnave për qytetarët, dezinfektues e gjëra tjera. Ne jemi duke e parë mundësinë e subvencionimit por momentalisht nuk kemi mundësi konkrete”, ka thënë ai.

Vështirësi në subvencionim po del të jetë edhe numri i madh i të infektuarve në këtë komunë.

Ismajli ka deklaruar se mbi 3 mijë e 300 persona nga kjo komunë kanë rezultuar të infektuar me COVID-19.

Derisa Komuna e Gjilanit nuk ka buxhet që t’ua kompensoj qytetarëve të saj parat që kanë dhënë për barnat që nuk kanë arritur t’i gjejnë në institucionet publike shëndetësore, tashmë disa komuna e kanë bërë një gjë të tillë.

Një nga komunat që u ka ndarë banorëve një shumë më të lartë, ka qenë ajo e Dragashit.

Për çdo person të infektuar kjo komunë i ka ndarë nga 505 euro, derisa familjeve që u ka vdekur ndonjë familjar nga COVID-19, u janë ndarë nga 950 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat